Blog
Albin Kurti, idealizmi i nevojshëm në momentin e duhur

Albin Kurti, idealizmi i nevojshëm në momentin e duhur

Nga Erjon Uka/ Zgjedhja e Albin Kurtit sot kryeministër nuk përbën më lajm, sepse përtej gjashtë, gjashtëmbëdhjetë apo gjashtëdhjetë mijë votave më shumë në zgjedhjet e 6 tetorit, diçka e tillë ishte vullneti dhe dëshira jo vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por e krejt shqiptarisë. Shpesh herë nuk kanë rëndësi numrat, por fryma, dhe ky është rasti.

Vetëvendosja nuk është vetëm një parti, por është një fenomen në politikën shqiptare. I tillë edhe Albin Kurti, i ardhur në krye të vendit jo pas një karriere të gjatë politike, as përmes aleancave me të fortët e krahinave apo pas darkave me biznesmenët, por prej idealeve të tij për ndërtimin e një vendi. Në një prej debateve televizive, ku ballë për ballë po e quanin “utopik”, “naiv” apo “komunist”, ai u përgjigj qetësisht duke thënë: “Më quani idealist!” Prandaj jam pro tij, sepse Albin Kurti nuk është produkt i lëvizjes së marionetave në prapaskenë. Albin Kurti është tërësisht produkt i vetes dhe i ideve të tij.

Ai vjen në krye të Kosovës duke sjellë me vete idealizmin, koncept që rikthehet si një dinosaur i periudhës triasike në politikë, për të cilën kërkojnë të na bindin se është normale të funksionojë vetëm në bazë të pragmatizmit të shfrenuar. Dhe Vetëvendosja e ka sfiduar këtë bindje. Sepse tre aktivistë të saj nuk e kanë humbur jetën për pragmatizëm, por për idealizëm. Sepse lëvizja nuk lindi nga pragmatizmi, por nga idealizmi. Sepse protestat nuk i kanë zhvilluar për pragmatizëm, por për idealizëm.

Rastësisht në një bisedë miqësore, Henri Çili, një prej kundërshtarëve më të fortë publik në rrafshin idelogjik të Albin Kurtit, më pyeti se si ka mundësi që një njeri me prirje liberale si unë të isha pro Vetëvendosjes. Iu përgjigja se edhe mund të mos jem dakord me disa propozime të tyre, por Vetëvendosja si fenomen është frymëzim për gjithë shqiptarinë: ajo tregon se ndryshimi i klasave politike mund të ndodhë, se politika mund të shihet sërish si mekanizëm përmirësimi të fenomeneve sociale, se një gjë e nisur nga zero mund të arrijë deri në majë. Një fenomen si Vetëvendosja i zhbën për mirë ekuilibrat politikë, të cilët deri tani dukeshin të betonizuar më fort se bregdeti i Vlorës. Dhe në këtë arsyetim më dha të drejtë.

Sigurisht nuk ndërtoj iluzione në rërë. Kosova nuk do të bëhet shteti më i pasur i Ballkanit në katër vite dhe universitetet e Kosovës nuk do të sfidojnë brenda katër vitesh ato të Skandinavisë. Por në këtë moment asfiksimi politik, në këtë stanjacion ekonomik dhe në këtë udhëkryq të vlerave dhe vizionit social, një qasje ndryshe mund të bëjë diferencën e madhe. Shqiptarët kanë arritur t’i mbijetojnë kohëve më të vështira, edhe në kushte pushtimi apo diktature, mjerimi dhe genocidi. Por, siç e tregojnë shifrat e Instituteve të Statistikave, valixhet plot dhe biletat e autobusëve, nuk i bëjnë dot ballë mungesës së shpresës.

Dhe kjo është barra e Albin Kurtit në qeverisjen e saponisur: shpresa. Jo vetëm shpresa e shqiptarëve të Kosovës, por e mbarë shqiptarisë. Barra është e rëndë, shpresa e madhe, por suksesi, nëse vjen, do të jetë i të gjithëve.

Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *