Borges
Të rinjtë në Shqipëri nuk e flasin më gjuhën tonë, politika e orientuar drejt një raporti të privilegjuar me Turqinë

Të rinjtë në Shqipëri nuk e flasin më gjuhën tonë, politika e orientuar drejt një raporti të privilegjuar me Turqinë

Nga Romano Prodi dhe Marco Ascione/ Në politikën e jashtme, Prodi vë në provë menjëherë marrëdhëniet me krahun e majtë të koalicionit të tij. Më 9 prill të vitit 1997 “Rifondazione Comunista” nuk e voton misionin italian në Shqipëri. Është poli i Berluskonit dhe Fini që plotësojnë numrin e votave të munguara.

“Nuk mund të rrinim duke vështruar se çfarë ndodhte në anën tjetër të detit. Ishte e qartë. Më vjen keq që “Rifondazione” nuk e kuptoi. Pati një precipitim të ngjarjeve. Me rënien e piramidave financiare që u mundësonin shqiptarëve të dyfishonin paratë e investuara brenda pak muajve, vendi kishte rënë në kaos: një luftë civile me banda kriminelësh dhe qytetarë që ecnin rrugëve të armatosur. Nga ana tjetër, ishin edhe refugjatët që masivisht tentonin të vinin në Itali, si në vitin 1991. Arritëm një marrëveshje fillestare me kryeministrin Bashkim Fino. Ne do të patrullonim kanalin e Otrantos dhe do të dërgonim ndihma financiare dhe humanitare në mënyrë që Shqipëria të ringrihej.”

Një bllokim detar i arritur me mirëkuptimin e qeverisë shqiptare. Kështu u krijua ajo hapësirë detare e shndërruar me rrezik të lartë, më 28 mars 1997, të Premten e Shenjtë, kur korveta “Sibilla” e Marinës Ushtarake italiane goditi tragetin shqiptar “Kater i Radës”. Bilanci: 84 të vdekur të konfirmuar. Asnjë përfaqësues i qeverisë italiane nuk shkoi në vendin e tragjedisë në orët që kaluan. “Qartësisht ishte një zgjedhje e gabuar.” Nanni Moretti, duke xhiruar një skenë të filmit të tij “Aprile” në bregdetin e Brindizit, komentoi: “Fakti që këto ditë në Puglia nuk ka ardhur as edhe një drejtues i së majtës nuk është simptomë e mungesës së tyre politike, por mbi të gjitha e mungesës së tyre njerëzore, sepse nuk i intereson asgjë.”

Kjo është klima në të cilën Prodi merr pjesë në funeralet e viktimave në Shqipëri: “Ishin ditë çorientimi. Përballë polemikave dhe tensioneve që po rriteshin, vendosa kundër mendimit të shumë njerëzve, të shkoja në Tiranë për funeralet. Gjesti im u mirëprit për kuptimin e tij të sinqertë, një shenjë solidariteti midis popullit italian dhe atij shqiptar. Ende nuk mund ta harroj radhën e gjatë të kamionëve me arkivole, të rrethuar nga një turmë e madhe. Ishte vërtet një ceremoni tronditëse, një dhimbje e përbashkët që duhet të mbahet mend jo për t’u ndarë, por për të bashkuar dy popujt që jetojnë në brigjet e të njëjtit det”.

Organizata e Kombeve të Bashkuara votoi rezolutën 1101 të kërkuar nga Italia për krijimin e një force mbrojtëse ndërkombëtare.

“Duhet të bashkonim menjëherë kontigjentin ndërkombëtar. Bashkëbiseduesi natyral me të cilin duhej gjetur një marrëveshje ishte Franca. Pikërisht pak para tragjedisë së kanalit të Otrantos isha në Paris për të folur me Shirakun. Shoqërohesha nga Flavia sepse ne të njëjtat orë do të mbahej një koncert i organizuar nga bashkëshortja e presidentit francez për shtatëdhjetë vjetorin e violinçelistit të madh Rostropoviç. Një koncert i shkëlqyer në të cilin Zhaku arriti me vonesë, thuajse në fund. Duke qeshur, e qortova për këtë gjë. Ma ktheu përgjigjen me një batutë: “Më mirë gjysmë orë muzikë të keqe, se sa një orë muzikë të mirë.” Me mbarimin e koncertit, në një të natës, i shpjegova se kisha nevojë patjetër për një mijë ushtarë francezë për operacionin në Shqipëri. “Treqind”, ishte përgjigja. I thashë se në këtë rast nuk do të mund të përmbushnim kërkesën e OKB-së për të organizuar vërtetë një mision ndërkombëtar, por ia bëra të qartë se do të shkonim në Shqipëri me apo pa ata. Ndaloi për një moment dhe pastaj m’u përgjigj: “Do të të dërgoj një mesazh brenda orës 8.” Mëngjesin e së nesërmes mora përgjigjen pozitive për pjesëmarrjen në mision me numrin e ushtarëve sipas asaj që kërkuam. Ishte një sinjal i fortë i bashkëpunimit që ka karakterizuar marrëdhëniet mes meje dhe Shirakut.

U nisëm: ne, Franca, Turqia, Spanja, Rumania, Austria dhe Danimarka, por nën udhëheqjen italiane. Një mision që u përmbyll me sukses në periudhën e shkurtër mes 13 prillit dhe 12 gushtit. Një operacion paqeje për të cilin edhe sot jam krenar, qoftë edhe për kapacitetet logjistike që Italia tregoi se i kishte. Shiraku komentoi: “Kurrë në jetën time nuk kam parë një mision ushtark që të përfundojë në ditën e parashikuar”.

Shkova disa herë në Shqipëri. Udhëtimi i Vlorës, kryeqytetit të jugut, ishte më kuptimploti. U ulëm me helikopter më 14 prill, mes shqetësimeve të shumta të komandantëve ushtarakë. Sheshi ishte plot me njerëz, shumica ishin të armatosur me kallashnikovë dhe shtinin në ajër. Tension shumë i madh. Teksa ne takoheshim me Këshillin e zonës në pallatin qytetit, Parisi tërhoqi vëmendjen time mbi një kor që vinte nga sheshi dhe dukej se thoshin diçka që na dukej e njohur. U afruam në një ballkon, ndërsa poshtë ishte një turmë shumë e madhe. Bërtisnin në italisht kundër presidentit shqiptar: “Berisha, Berisha, vaff…”. Kështu për një moment, harruam aspektet më të rrezikshme të udhëtimit tonë në Vlorë. Një çast do të ishte i mjaftueshëm për disa agresorë dashakeq të revoltuar kundër Tiranës që të na sulmonin, duke vënë në rrezik misionin tonë të paqes. Na eci mirë.

Shkova në Tiranë menjëherë pikërisht për të folur edhe me Sali Berishën, për të treguar se marrëdhënia ime ishte me të gjithë Shqipërinë dhe jo me një pjesë të saj. Kofi Annan i tha gruas sime se në Vlorë kisha treguar “një guxim prej luani”. Në rastin më të mirë, mund të them që isha disi jo i vetëdijshëm. Respektova rregullin tim: në kontekste të tilla duhet folur me të gjithë lojtarët në fushë, me mazhorancën dhe me opozitën, pa u bërë pjesë e luftës së politikës së brendshme. Për këtë arsye, gjatë fushatës së mëtejshme elektorale, i këshillova ngrohtësisht politikanët italianë që të mos shkonin në Shqipëri për të mbështetur kandidatë të partive të ndryshme.

Mbollëm diçka të mirë. Tirana nuk i harroi ato momente, siç pamë edhe me gjestin bujar të dërgimit të mjekëve dhe infermierëve në fazën më të vështirë të Koronavirusit. Përkundrazi, është Italia ajo që ka reshtur së luajturi rolin e saj në Shqipëri, ku tani brezi i ri nuk e flet gjuhën tonë dhe politika shqiptare po orientohet gjithnjë e më shumë drejt një marrëdhënieje të privilegjuar me Turqinë.”

*Romano Prodi ka qenë dy herë kryeministër i Italisë, në vitet 1996-1998 dhe 2006-2008, si edhe President i Komisionit Europian në periudhën 1999-2004. Është një prej themeluesve të qendrës së majtë italiane dhe një ndër personazhet politike më të rëndësishme në Itali. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri i ri me kujtime “Strana vita, la mia”, përkthyer në shqip nga Erjon Uka.

Il nuovo libro di Romano Prodi - UNSIC - Unione Nazionale Sindacale  Imprenditori e Coltivatori
Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *