Borges
Përralla e Krishtlindjes

Përralla e Krishtlindjes

Nga Paulo Coelho/ Poeti i famshëm persion Rumi rrëfente se një ditë, në një fshat në veriun e Iranit të sotëm, u duk një burrë që tregonte histori të mrekullueshme për një pemë, frytet e së cilës i jepnin pavdekësinë gjithkujt që i hante. 

Lajmi arriti shpejt në veshët e mbretit, por para se të mund ta pyeste se ku ndodhej ajo mrekulli e natyrës, udhëtari ishte larguar.

Megjithatë, mbreti, ishte i vendosur të bëhej i pavdekshëm, sepse donte të kishte mjaftuesheshëm kohë për ta shndërruar mbretërinë e tij në një shembull për gjithë popujt e botës. 

Që i ri kishte ëndërruar ta mposhtte varfërinë, t’u mësonte njerëzve drejtësinë dhe të siguronte ushqim për secilin nga nënshtetasit e tij, por shpejt e kuptoi se t’i arrije të gjitha këto, do të kërkonte më shumë se një brez. Tani jeta po i ofronte një mundësi dhe ai natyrisht që nuk do ta linte t’i rrëshqiste duarsh.

Thirri njeriun më të guximshëm në oborrin e tij dhe i besoi misionin për të gjetur pemën.

Oborrtari u nis të nesërmen, i majmur me parà për të marrë informatat e nevojshme, me ushqime dhe me gjithë sa i duhej për të arritur synimin. Kaloi qytete, pllaja e male, duke pyetur e duke ofruar shpërblime. Njerëzit e ndershëm e siguronin se një pemë e tillë nuk ekzistonte, cinikët i tregonin respekt ironik e ndonjë mashtrues e çonte në vende të largëta për t’i marrë monedhat. Pas zhgënjimesh të njëpasnjëshme, oborrtari vendosi të hiqte dorë nga kërkimi. Sado që kishte admirim të pakufishëm për sovranin e tij, do të kthehej duarbosh. Ai e dinte se, pikërisht për këtë, do të humbiste nderin, por ishte i lodhur dhe mbi të gjitha ishte thellësisht i bindur se pema e pavdekësisë nuk ekzistonte.

Rrugës së kthimit, teksa i ngjitej një kodre të vogël, iu ndërmend se aty banonte një i urtë. Dhe mendoi: “Kam humbur çdo shpresë për ta gjetur atë që dua, por të paktën mund të kërkoj bekimin e tij dhe t’i përgjërohem që të lutet për fatin tim.”

Me të mbërritur pranë tij, nuk e mbajti dot tensionin dhe shpërtheu në lot.

– Pse je kaq i dëshpëruar, bir?, e pyeti njeriu i urtë. 

– Mbreti më kërkoi të gjeja një pemë unike në botë: frytet e saj na japin përjetësinë. Ia kam plotësuar gjithmonë kërkesat me ndershmëri dhe guxim, por këtë herë do të duhet të kthehem duarbosh. 

Njeriu i urtë ia plasi të qeshurit dhe tha: 

– Ajo që po kërkon ekziston dhe është uji i jetës që vjen nga oqeani i pafundëm i Zotit. Gabimi yt ishte se e kërkoje me një formë, me një emër të caktuar. Ndonjëherë quhet “pemë”, tjetërherë “diell”, ose “re”. Mund ta quajmë si gjithçka tjetër që ekziston mbi Tokë. Çdo gjë në të cilën ekziston prania e Krijimit përmban përjetësinë brenda vetes. Asgjë nuk mund të shkatërrohet. Kur zemra jonë pushon së rrahuri, ekzistenca jonë shndërrohet në natyrën që shohim përreth. Ne mund të bëhemi pemë, pika shiu, bimë apo edhe qenie tjetër njerëzore. Pse të ndalemi te fjala “pemë” dhe të harrojmë se jemi të pavdekshëm? Ne rilindim gjithmonë tek fëmijët tanë, apo në dashurinë që tregojmë ndaj botës, apo në çdo akt bujarie dhe bamirësie që kryejmë. Kthehu te mbreti yt dhe thuaji se nuk do të duhet të shqetësohet për gjetjen e frutit të një peme magjike: çdo qëndrim dhe çdo vendim që ai merr në të tashmen është i destinuar të zgjasë për shumë breza. Kërkoji, pra, të jetë i drejtë me popullin e tij. Nëse ai di ta kryejë punën e vet me përkushtim, askush nuk do ta harrojë dhe shembulli i tij sigurisht që do të ndikojë në historinë e popullit dhe do të inkurajojë fëmijët dhe nipërit e tij që të sillen në mënyrën më të mirë. Ah, thuaji edhe këtë: kushdo që kërkon vetëm një emër do të mbetet përgjithmonë i lidhur me dukjen dhe nuk do të jetë kurrë në gjendje as të zbulojë të panjohurën që qëndron brenda gjithçkaje dhe as mrekullinë e jetës.”

Në fund, ai nuk harroi t’i kujtonte se “të gjitha betejat me të cilat përballemi shkaktohen nga emrat: prona, xhelozia, pasuria, pavdekësia. Ama, kur shpërfillim emrat dhe ndjekim të vërtetën që fshihet pas fjalëve, do të kemi gjithçka që dëshirojmë. Dhe mbi të gjitha do të arrijmë qetësinë shpirtërore.”

*Paulo Coelho është ndër shkrimtarët më të njohur brazilianë. Çdo fundvit ai boton një histori në vigjilje të Krishtlindjes. U përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Lexo përrallën e vitit 2023: https://tiranapost.al/shenime-ne-blog/perralla-e-krishtlindjes-i530030

Lexo përrallën e vitit 2022: https://tiranapost.al/shenime-ne-blog/perralla-e-krishtlindjes-i521358

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *