Blog
Për ty që përqeshe reagimet për luftën në Gaza

Për ty që përqeshe reagimet për luftën në Gaza

Të protestosh për kauza ndërkombëtare, nuk i mbivendoset zemërimit për padrejtësi lokale. Të irritohesh për një luftë, nuk do të thotë se nuk mund të irritohesh për taksat. Të demaskosh padrejtësitë globale, nuk të harxhon asnjë energji për të denoncuar spiralet e vuajtjeve në shoqërinë e përditshme.

Nga Erjon Uka/ Vargjet e mëpasshme nuk janë poezi: “Më thanë shokët çfarë ke këtë natë/ Mos në zemër diçka ti na mban? Kam diçka që dua t’ju them/ Jo asgjë në zemër nuk mbaj/ Në Vjetnam o shokë bombarduan prapë sonte/ Shqetësimin tonë në kitarë ta këndojmë…”

Nuk janë të përkthyera nga ndonjë këngë amerikane, por është copëz e tekstit “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, e kënduar nga Françesk Radi në festivalin e njëmbëdhjetë. Një këngë me tematikë politike, e cila më pas do të bëhej shkas për vite internim të kantautorit në zonën e Pukës e një kalvari të gjatë vuajtjesh personale. Gjithsesi, kur kohë më parë pashë dokumentarin për jetën e Françesk Radit, pyetja instiktive fatale ishte: Ç’e shtyn një 22-vjeçar shqiptar, të këndojë për Luftën në Vjetnam? Megjithëse nuk ishte aspak vetëm. Ishte një luftë që nxiti lëvizjet studentore fillimisht në SHBA, e më pas në gjithë Europën, për të kulmuar me protestat e famshme të vitit ’68, protagonistët e të cilëve kryesisht në Francë e në Itali do të dominonin agorën socio-filozofike deri në fund të shekullit të kaluar.

Reagime të ngjashme kam parë përgjatë këtyre ditëvë në rrjete sociale, ku me doza cinizmi përqesheshin statuset apo qëndrimet që disa bënin për konfliktin e ri mes Palestinës dhe Izraelit. Nga njëra anë disa shqiptarë shprehnin dhimbje për luftën, irritimin për standardet e dyfishta të reagimit të Perëndimit, solidarizoheshin me civilët e vrarë përmes një statusi a një fotografie. Përkundrejt këtyre, të tjerë talleshin me atë që e quanin pseudo-aktivizëm dhe me faktin se vogëlsia e Shqipërisë dhe problemet e përditshme këtu kanë topitur aftësitë protestuese në vend, duke i lënë mundësi vetëm statuseve patetike në rrjete sociale nga rehatia e kolltukut shtëpiak. “E ndritëm këtu, prandaj merremi me punët e botës”, ishte refreni kundërshtues.

Është e pamohueshme se jetojmë në një periudhë ku shpërndarja e videos së raketave që bien mbi Gaza bëhet më shpejt se tymi që del nga ndërtesat e shkatërruara shpesh herë pa paralajmërim. Është kjo arsyeja që nuk mund të rrimë të papërditësuar me çfarë po ndodh jo vetëm rreth e rrotull nesh, por kilometra e kontinente larg. Më pas, vetëm një pjesë e vogël, që kryesisht janë qytetarët e angazhuar apo ata të cilët kanë një ndjenjë përkatësie me një prej grupeve të përfshira, krijojnë mendim mbi ngjarjen dhe e shpalosin atë. Njerëzit mund të ndahen në idealistë e në pragmatistë, në të angazhuar dhe në indiferentë, racionalë dhe emocionalë, skematikë dhe kreativë. Nëse dikush është një qytetar idealist dhe i angazhuar, ai do të jetë i tillë për shumë çështje: qofshin këto lokale apo globale.

Reagimet që në këtë rast u bënë për luftën në Rripin e Gazës, të paktën në rrjetet e mia sociale, ishin nga ata miq realë apo virtualë që mund të quhen të angazhuar: statuset e tyre janë periodike, denoncimet e tyre të përhershme, pjesëmarrjet e tyre në kauza dhe në marshime janë të shpeshta. Nga ana tjetër, edhe ata që kritikonin këtë sensibilizim të quajtur të pavend, janë po ashtu të angazhuar me një frymë më lokale e pragmatiste, të përqëndruar më shumë te problemet komunitare se sa tek ato të jashtme. Prandaj gjatë më shumë se dhjetë ditëve, pashë një luftë në erë mes grupeve të ngjashme, të cilat akuzoheshin për kusuret e një pjese tjetër popullsie apatike.

Irritimi nuk ndodh me komandë. Ndjenja e revoltës nuk mund të programohet. Ajo ndodh sipas një botëkuptimi dhe një liste idesh e parimesh, shumicën e rasteve të krijuara edhe pavetëdije. Kur këto preken, zemërimi zë vend.

Nëse do të presim të zgjidhen problemet tona, për të reaguar për probleme të tjera, nuk do të reagojmë kurrë. Sidomos në këtë botë të ndërlidhur, ku në një mënyrë a në një tjetër, problemi i dikujt është problemi gjithkujt. Problemet kurrë nuk do të mbarojnë. Njeriu, e për pasojë shoqëria njerëzore, është e ndërtuar në atë mënyrë që ta shohë të tashmen gjithmonë si të pamjaftueshme.

Të protestosh për kauza ndërkombëtare, nuk i mbivendoset zemërimit për padrejtësi lokale. Të irritohesh për një luftë, nuk do të thotë se nuk mund të irritohesh për taksat. Të demaskosh padrejtësitë globale, nuk të harxhon asnjë energji për të denoncuar spiralet e vuajtjeve në shoqërinë e përditshme. Prandaj statuset për luftën në Palestinë, nuk i heqin askujt mundësinë të reagojë për luftërat e tij personale e shoqërore në Shqipëri. Kjo nuk është një lojë me shumë zero, ku suksesi i një proteste i shkarkon bateritë një proteste tjetër.

Dikush mund të reagojë ndaj një lufte, jo vetëm sepse në globalizëm në një formë a në një tjetër ajo do të na ndikojë edhe ne, por sepse identiteti i dikujt nuk është vetëm kombëtar, mund të jetë edhe fetar, racor e gjinor. Afërsia me dikë mund të jetë për shkak të besimit, apo me dikë tjetër kilometra larg prej racës, ose të trishtohemi për një burrë a një grua që pëson një fatkeqësi, dhimbjet e së cilës i kemi ndjerë a mund t’i parashikojmë pasi flemë me frikën se mund të jemi vetë në të njëjtën situatë. Por ndonjë mund të reagojë edhe pa ato që konsiderohen shkaqe të qenësishme. A është ky gabim?

Them se jo. Çdo kauzë meriton protestën e vetë! Çdo reagim, marshim, a fundja thjesht filiz proteste, është e panevojshme të dëmtohet me kundërshti cinike. Protesta, kundërshtimi, kryengritja: mund t’i kesh, por edhe duhen kultivuar, zhvilluar, stërvitur. Qoftë edhe kur në dukje të jep përshtypjet se s’ka lidhje me botën tonë të vogël përqark. Qoftë edhe për të mbajtur gjallë empatinë.

Publikuar edhe në Tiranapost.al

Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *