Borges
Profecia që në mijëra vjet nuk u bë realitet

Profecia që në mijëra vjet nuk u bë realitet

Në realitetin e jetëve tona, frika qëndron gjithmonë në pritë. Kemi gjithmonë një shpatë që tundet mbi kokët tona. Një popull që ka jetuar për shumë vjet në gjendje lufte është i detyruar ta përkufizojë vetveten dhe gjendjen ku ndodhet në terma luftarakë, të dhunshëm, të mbijetesës.

Nga David Grossman/ Kur m’u propozua të shkruaja diçka mbi temën e “metamorfozës”, mendova mbi një ndryshim të jashtëzakonshëm të përshkruar në Bibël, në librin e Isaias, që duhej të ndodhte në të ardhmen, në fundin e kohëve, e që parashikon një ndryshim të thellë të vetëdijes dhe të sjelljes së të gjitha qenieve njerëzore.

Zoti – profetizon Isaia – do të gjykojë popujt dhe ata “do të shndërrojnë shpatat e tyre në lopata pluguese dhe harqet e shigjetave në drapërinj, një popull kurrë nuk do ta ngrejë më shpatën mbi një tjetër popull dhe nuk do të dinë ç’është lufta”.

Në thelb ky është përshkrimi i një “ç’armatimi” global, universal, gjatë së cilit të gjitha qeniet njerëzorë do të transformojnë armët në vegla pune bujqësore për të punuar tokën, për ta bërë pjellore dhe produktive. Isaia profetizon se popuj të ndryshëm “nuk do të mësojnë më se ç’është lufta”. Pra jo vetëm që nuk do të luftohet më, por do të jenë aq të vendosur sa ta ç’rrënjosin konfliktin nga ndërgjegja njerëzore e do të reshtin së mësuari dhe së nxëni “doktrinën e luftës”.

Isaia, djali i Amozit, jetoi në Jeruzalem rreth tre mijë vjet më parë, në gjysmën e dytë të shekullit VIII p.K. dhe neve, në shekullin XXI mb.K., do të duhej të gjendeshim në të ardhmen utopike të profetizuar prej tij, të shijonim frytet dhe të vlerësonim ekzistencën paqësore që na kishte premtuar, të zhveshur nga dhuna.

E kotë të thuash se jemi jo më pak larg kësaj prespektive të dëshiruar nga ç’ishte ai në kohën e tij. Por le të zbresim nga radhët lirike të kësaj profecie në realitetin prozator të ekzistencës sonë. I shkruaj këto rreshta gjatë një cikli tjetër luftimesh veçanërisht të dhunshme mes Izraelit dhe Hamasit, organizatorëve që kontrollojnë Rripin e Gazës.

Është e vështirë të thuash se kush e ka shkaktuar realisht këtë shpërthim dhune dhe vdekje, por mund të parashikojmë mbi bazën e eksperiencave të kaluara, që duke arritur në periudhën e armëpushimit, situata do të qetësohet për disa muaj, ose për ndonjë vit.

Të dyja palët do të varrosin të vdekurit e tyre, do të rindërtojnë shtëpitë e qyteteve të shkatërruara dhe do të rikthehen të furnizohen me armë dhe me municione. Asnjë përpjekje serioze nuk do të bëhet për të zgjidhur rrënjësisht problemin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Rripit të Gazës dhe me shumë mundësi gjërat do të jenë të njëjta deri në përballjen tjetër të armatosur.

Izraeli është në gjendje lufte prej më shumë se një shekulli, fillimisht me popullin palestinez dhe tashmë prej pesëdhjetë e katër vitesh ky popull është nën dominimin e tij. Me sa duket nuk ka ndonjë zgjidhje për këtë situatë të shtrembëruar dhe asnjë nuk po e kërkon diçka të tillë.

Prej më shumë se një shekull, pjesëtarët e të dy popujve zgjohen çdo mëngjes me lajmërimin e vrasjes apo të shkatërrimit të radhës, të hakmarrjes apo të urrejtjes gjatë natës. “Ai që qesh”, ka shkruar Bertolt Brecht, “me shumë mundësi nuk e ka marrë ende lajmin e keq”. Sa e vërtetë është kjo fjali për ne izraelitët dhe palestinezët.

Unë jam 67 vjeç dhe në gjithë jetën time nuk kam njohur një ditë paqeje. Po them për paqe të vërtetë, të rrënjosur në zemër, që ndryshon vetëdijen. Po, marrëveshjet e firmosura nga Izraeli me Egjiptin dhe Jordaninë (e së fundi edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe) janë shumë të rëndësishme, por në fund të fundit, janë firmosur nga qeveri, nga liderë, dhe nuk përkthehen në një paqe të vërtetë dhe “natyrale” mes popujve. Nuk krijojnë ndonjë situatë në të cilën shigjetat kthehen në drapër për të punuar tokën.

Në realitetin e jetëve tona, frika qëndron gjithmonë në pritë. Kemi gjithmonë një shpatë që tundet mbi kokët tona. Edhe pse herë pas herë çelin momentet e qetësisë, këto perceptohen më së shumti si iluzione të rrezikshme, konspiracione të thurura në errësirë. Pra, nëse do ta plogështonim sado pak vigjilencën tonë, tensionin, nëse do të tregohemi të shpërqëndruar, nëse do t’u jepnim besim fqinjëve-armiq, ky iluzion mund të shpërthejë papritur dhe si zakonisht, do të gjendeshim në realitetin e luftës.
Ja një copëz e vërtetë historie: në vitin 1977 presidenti egjiptian Anwar Sadat deklaroi se ishte gati të vinte në Izrael për të firmosur traktatin e paqes me shtetin hebraik, armikun më të madh të Egjiptit. Izraeli u përfshi nga një valë e jashtëzakonshme emocionesh, por Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë paralajmëroi se Sadat ndoshta po planifikonte një kurth dhe duke përfituar nga euforia që mbretëronte në Izrael, mendonte të ndërmerrte një sulm në befasi siç kishte bërë në luftën e Yom Kippur.

Këtë mendonte seriozisht Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe nuk kam dyshime se shumë izraelitë ndanin të njëjtën frikë. “Një popull nuk do ta ngrejë më shpatën kundër një populli tjetër dhe nuk do të mësojnë më për luftën”. Kjo frazë përmbyll një aspiratë të madhe dhe autentike, por edhe me një dozë të caktuar naiviteti. Ama është një naivitet që e kam zili, siç kam zili kurajën për të shprehur me zë të qartë dhe të fortë një dëshirë të tillë të guximshme, një mundësi kaq të dëshiruar.

Një popull që ka jetuar për shumë vjet në gjendje lufte është i detyruar ta përkufizojë vetveten dhe gjendjen ku ndodhet në terma luftarakë, të dhunshëm, të mbijetesës. Një popull i tillë, që nuk njeh e realitetin që të mos jetë i plazmuar nga lufta, e ka të vështirë të besojsë se ekziston edhe mundësia e të mos pasurit konflikte. Në vitin 2000, në Camp David, u zhvilluan bisedime paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve me shpresën për të arritur një marrëveshje. Bisedimet dështuan.

Ndryshimet reciproke ishin më të forta se vullneti për paqe dhe nxitën një spirale brutale dhune. Në atë kohë, në ditët e Intifadës së dytë (rebelimit), shumë izraelitë u ndjenë të gënjyer, të tradhtuar, jo vetëm nga palestinezët. E shihnin veten si tradhtarë, kishin përshtypjen se kishin tradhtuar eksperiencën e tyre historike, të mbledhur përgjatë brezave, luftërave dhe vuajtjeve. Një eksperiencë që do të duhej t’i bënte vigjilentë dhe të mos e lejonin veten të tundoheshin nga “iluzionet e paqes”. Por në fakt ndodhi, e lanë veten në tundim, kishin tradhtuar instiktin e tyre luftarak dhe atë instiktin e të mbijetuarve të përhershëm, bindjen e hidhur se ne hebrenjtë jemi një popull i dënuar të jetojmë dhe të vdesim me shpatë në dorë, në përjetësi.

A është e mundur që izraelitë e palestinezë të kenë një jetë të ndryshme, të sigurt dhe paqësore në tokën e tyre? Që të mund të shijojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë? A mund të ndodhë brenda nesh ndryshimi i lakmuar, metamorfoza e profetit Isaia?

Siç theksova kohët e fundit janë firmosur marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Emirateve Të Bashkaura Arabe dhe mes Izraelit e Marokut. Këto janë zhvillime shumë të rëndësishme dhe positive. Por në fund të fundit këto marrëveshje kanë sanksionuar një paqe mes të pasurve ndërsa ajo më jetësorja, mes izraelitëve dhe palestinezëve nuk është firmosur ende. Një paqe mes popujve që të ndryshojë vetëdijen, ekzistencën, perceptimin për të ardhmen dhe qasjen ndaj jetës. Një paqe që ditët e sotme nuk ka shumë mbështetës dhe thuajse asnjë “agjent” që ta promovojë. Agjentët e pranishëm në rajonin tonë më së shumti ushqejnë dyshimin, dhunën dhe dëshpërimin.

Profeti Isaia jetoi në një epokë luftërash mes mbretërive të Judës, të Egjiptit dhe të Asirisë. Nëse do të ringjallej sot, do të shushatej duke parë se kanë ndryshuar luftëtarët, por jo luftërat. Shndërrimi i dëshiruar prej tij nuk ka ndodhur ende.

*David Grossman është ndër shkrimtarët më të suksesshëm izraelitë, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës. Nuk ka shkruar vetëm romane, por edhe libra për fëmijë, poezi dhe opera. Në vitin 2017 ka fituar Man Booker International Prize dhe në vitin 2018 çmimin e Izraelit në letërsi. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka. Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *