Borges
Uroj të kesh kohë

Uroj të kesh kohë

Nga Enzo Bianchi/ Ka nisur një vit i ri e ndërsa themi për të fundit se “kaloi shumë shpejt”, fillojmë të projektojmë që tani se ç’duam të bëjmë, çfarë do të duam të jetojmë në ditët që kemi përpara. Por një gjë është e qartë: nëse nuk do të jemi të aftë për të ndryshuar paradigmën dhe stilin tonë të jetës, do të vazhdojmë të qahemi duke i përsëritur në mënyrë këmbëngulëse vetes dhe të tjerëve se: “Nuk kam kohë! Nuk gjej kohë!”.

Jo! Është koha për të pasur kohë, dhe për këtë arsye, përpara se të zhvillojmë ndonjë projekt, është e nevojshme të marrim vendimin për të jetuar në kohë, për të banuar në kohën që kalon: të jemi vigjilentë, të aftë për vëmendje të përpiktë, të vetëdijshëm për atë që jetojmë duke i rezistuar çdo tundimi dembelizmi, inercie, përgjumje, duke rizbuluar ndjenjën e kohëzgjatjes dhe duke iu përmbajtur realitetit të përditshëm, fabulës së marrëdhënieve që jetojmë.

Duhet të angazhohemi për ta bërë kohën hapësirë të jetës, për të luftuar tjetërsimin e shkaktuar nga admirimi për kohën që na zotëron, por që në fakt na pengon ta shijojmë jetën me stinët e saj. Ky disiplinim i kohës është kushti për të menduar para veprimit, ose për ta thënë më mirë: të mund të mendojmë përsëri në këtë fillim të mijëvjeçarit, karakterizuar nga mërgimi i mendimit, pikërisht në çastin kur dikush shpreh dëshirën për të qenë i ndërlidhur me gjithë botën.

Është domethënëse të ngrihen zëra për “një rilindje të re … një humanizëm të ri … një zgjim kulturor …” jo vetëm për të filluar nga e para sapo engjëlli i vdekjes (pandemia) të jetë zhdukur, por për të nisur një bashkëjetesë më të shëndetshme, “Më njerëzore” siç shpresonte Theilard de Chardin, vizionar aspak apokaliptik.

Sepse nëse qeniet njerëzore nuk mendojnë, nuk janë të tilla. Dhe nëse heqin dorë nga mendimi bëhen çnjerëzore deri sa kthehen në subjekte të banalitetit të së keqes. Mendimi nënkupton angazhim, është ushtrim dhe përpjekje, por më shumë se kurrë është i nevojshëm, veçanërisht për brezat e rinj të infektuar nga shmangia progresive e tij. Me trishtim vërejmë se ata që i përkushtohen mendimit abstrakt dhe soditës s’perceptohen më si të domosdoshëm, dhe as si njerëz prania e të cilëve është e rëndësishme për shoqërinë dhe kishën. Preferohen ata që merren me punë, militantët që janë gjithmonë të zënë.

Sa i takon intelektualëve, jo gjithmonë janë mendimtarë, sepse vëmendjen e kanë të drejtuar nga moda dhe lajmet e kronikës. Dhe Hermann Hesse paralajmëronte: “Kur mendimi nuk është i pastër dhe vigjilent, kur nuk njihet më përparësia e shpirtit, edhe anijet e automobilat s’punojnë më, edhe rregulli i rrëshqitjes së inxhinierit dhe matematika e bankave apo e bursave lëkunden prej mungesës së fuqisë dhe autoritetit, e kështu nis kaosi.”

Silvia Ronchey, në librin e saj të fundit me James Hillman, ka shkruar: “Nëse Steve Jobs në prag të vdekjes u largua duke thënë ‘Ji i uritur, ji teveqel’, mësimi i fundit nga James Hilmann është: ‘mendo, deri në stacionin e fundit të qenies tënde’.”

Urimi im për vitin e ri është: gjeni kohën për të menduar!

*Enzo Bianchi është murg dhe publicist italian, themelues dhe drejtues i Komunitetit të Boses nga viti 1965 në 2017. Autor i mbi 300 librave, bashkëpunon rregullisht me disa media në Itali. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *