Rreth meje

Erjon Uka Blog

I diplomuar në Informatikë Ekonomike me profil Menaxhim Biznesi, më pas kam përfunduar studimet e ciklit master në Administrim Biznesi me profil Marketing, kohë gjatë së cilës kam ndjekur edhe një shkëmbim studentor në Universitetin e Bolonjës në Itali, në programin International Management.

Aktualisht kryej rolin e Këshilltarit për Komunikim dhe Media të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, jam i angazhuar si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Metropolitan Tirana, si edhe prej vitit 2023 vazhdoj studimet PhD në fushën e marketingut në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Kontributor në Tiranapost.al dhe krijues i Sofist.al, një faqe në rrjetet sociale kushtuar kulturës.

Eksperiencat e punësimit kanë qenë kryesisht në fushën e komunikimit, të menaxhimit dhe të marketingut, fillimisht në Universitetin Europian të Tiranës, gazeta Mapo, mediat si Tiranapost.al dhe Opinion, pranë “Creative Business Solutions” në pozicionin e koordinatorit të komunikimit dhe marketingut, në “Consulcesi” në pozicionin e menaxherit të marrëdhënieve me publikun, në Universitetin Metropolitan Tirana si Përgjegjës i Departamentit të Marketing&PR. Vazhdimisht ndaj eksperiencën time në fushën e marketingut si trajnues në kurset profesionale në Digital Marketing & SEO.

Fushat e mia të interesit profesional janë marketingu, marrëdhëniet me publikun, optimizimi i fushatave në rrjete sociale dhe display network, kapitali social dhe menaxhimi. Në këto fusha kanë qenë edhe dy kërkime shkencore të prezantuara në “Simpoziumin e kërkuesve të rinj” në Óbuda University të Budapestit (2020) dhe në “Konferencën e Kërkuesve të Rinj Shkencorë” në Universitetin Europian të Tiranës (2019).

I pasionuar pas letërsisë, filozofisë, sociologjisë dhe shkencave politike, kjo faqe e konceptuar si blog personal përmbledh artikuj dhe qëndrime të miat, si edhe përkthime të artikujve më të mirë të shkrimtarëve, filozofëve, ekonomistëve dhe politikanëve të huaj. Gjithashtu këtu publikohen edhe artikuj të botuar në kohë në media të tjera si Tiranapost ku aktualisht shkruaj në “Shënime në blog“, gazeta Mapo, gazeta Fjala, gazeta Koha Jonë, Opinion.al, Leximtari.al, Telegrafi.com etj., por edhe intervista apo prononcime për media të ndryshme tradicionale dhe online.

Kam përkthyer gjithashtu në shqip librin “Teoria e gjithçkaje: Origjina dhe fati i universit” nga Stephen Hawking, i botuar nga shtëpia botuese “Minerva”.