Borges
Lamtumirë mashkullit alfa

Lamtumirë mashkullit alfa

Nga Daniela Hamaui/ Një re është formuar në Shtetet e Bashkuara, por që fillon të shfaqet edhe në Europë: kriza e mashkullit. Burrat janë të përhumbur, konfuzë, kanë vështirësi të marrin rolin e tyre tradicional dhe të gjejnë modele pozitive në të cilat të identifikohen.

Në Amerikë, debati u ndez pas botimit të librit “Of Boys and Men” nga Richard V. Reeves, një analizë e pamëshirshme e efekteve që ka pasur mashkullizimi toksik tek të rinjtë. Sipas autorit, djemtë kanë një probabilitet 50% më të lartë se vajzat të dështojnë në tre prej lëndëve kryesore shkollore: matematikë, letërsi dhe shkencë. Ata mbeten prapa në shkollë dhe, kur hyjnë në tregun e punës, pagat e tyre janë proporcionalisht më të ulëta se në vitin 1979. Kanë më shumë vështirësi në jetën familjare, janë më të rrezikuar të përfundojnë në burg dhe siç ndodh Mbretërinë e Bashkuar, kanë rrezik të shtuar të kryejnë vetëvrasje (është shkaku kryesor i vdekjes për burrat nën moshën 45 vjeç).

Në një editorial në “New York Times”, Michelle Goldberg tregon: “Shumë vite më parë, në një qendër luksoze në Kampala të Ugandës, shkova në një sallon për thonjtë dhe u befasova nga fakti që pothuajse të gjithë punonjësit ishin burra. Kur pyeta njërin prej tyre mbi arsyen e kësaj situate, ai më shpjegoi se të bësh thonjtë ishte punë mashkullore pasi paguhej mirë”.

Kjo pasqyrë e jetës afrikane na ndihmon për të kuptuar këndvështrimin e Reeves. Një nga arsyet e krizës është se meshkujt ndihen të lënë jashtë loje, nuk janë më në sektorë strategjikë dhe mendojnë se dominimi i tyre është në rënie të lirë. Sipas Reeves “është e rëndësishme të rekrutohen më shumë meshkuj në fushat me zhvillim të shpejtë dhe që tani janë në duar të grave, si shëndetësia dhe arsimi, sepse gjendja negative në të cilën ndodhen meshkujt është rezultat i sfidave të thella strukturore, të cilat kërkojnë zgjidhje po aq strukturore”.

Burrat po përballen me vështirësi në tregun e punës për shkak të një zhvendosjeje ekonomike nga punët e tyre tradicionale në profesione të reja ku aftësitë e grave performojnë më mirë. Në të njëjtën kohë ata shohin rënien e figurës së kryefamiljarit, që nuk është më aq qëndror në shoqëri. Rezultati është se për shumë djem tani jeta paraqitet më komplekse, më e padeshifrueshme dhe shpesh e më shpesh kultivojnë atë pakënaqësi që është bërë karburanti i shumë lëvizjeve populiste të krahut të djathtë.

Sipas Reeves, “burrat në rang udhëheqjeje janë ende në lulëzim, por jo më në sektorë të tjerë.” Por duke parë politikën, rënia e liderëve alfa duket se ka ndodhur tashmë. Donald Trump, njeriu që kurrë s’ka nevojë të pyesë për diçka, u mund fillimisht në vitin 2020 dhe më pas në zgjedhjet afatmesme nga Joe Biden, “i përgjumuri Joe”, presidenti i moshuar, pa sharm seksual, i cili përkundër gjithë mendimeve fitoi të rinjtë e lodhur nga prototipi i mashkullit agresiv dhe mbizotërues.

Europa nuk mbetet pas. Nëse do të përjashtojmë Vladimir Putinin që më së shumti radhitet në anën e diktatorëve, në kontinet, krisjet e imazhit të politikanëve të fortë dhe kapriçiozë janë kudo të qarta: Matteo Salvini u turbullua nga Giorgia Meloni dhe Boris Johnson u mund nga Rishi Sunak, me origjinë indiane, gjithmonë i veshur me kostum e kravatë dhe pa asnjë qime floku të dalë jashtë radhe. Dikush është përpjekur të bëjë një ndërlidhje mes dështimit dhe modelit të flokëve – të Trump, Johnson dhe madje edhe të Berlusconit, i cili mburret me transplante – megjithatë kjo është diçka më e thellë dhe flokët nuk kanë të bëjnë fare me të.

Shumë djem u shmangen shtigjeve të shkelura tashmë, shpesh refuzojnë kategoritë gjinore dhe e përkufizojnë veten si jobinarë. Idhulli i tyre, Timothée Chalamet, u shfaq në Festivalin e Filmit në Venecia me veshje të kuqe gjysmë lakuriq, i tërboi të gjitha rrjetet sociale dhe pohoi fluiditetin e tij. Por as kjo zgjedhje nuk duket e mjaftueshme për t’i shpëtuar djemtë nga vala e pakënaqësisë që po i merr përpara. Dhe pastaj, nëse është e vërtetë që krizat krijojnë mundësi të reja, mund të jetë momenti i duhur për t’i ftuar të rinjtë ta përmbysin situatën, duke u nisur nga shqetësimet që kanë, nga paaftësia e tyre për të gjetur një rol në shoqëri, për të ndryshuar dhe për t’u bërë më të mirë.

Sipas Reeves, djemtë duhet ta fillojnë shkollën një vit më vonë se vajzat, t’u jepet më shumë hapësirë ??në profesionet e kujdesit dhe të rimendojnë atësinë jashtë kontekstit të bërthamës së familjes. Ai thotë se ka nevojë për një vizion pozitiv të mashkullores që përputhet me barazinë gjinore.

E drejtë, por ndoshta arrijmë të fluturojmë më lart. Mund të shpresojmë se djemtë do të vendosin të zhvishen nga pritshmëritë dhe nga stereotipet që shoqëria u ka ngjeshur, që të përpiqen të mos jenë prepotentë, të ngurtë, që të kuptojnë se femrat janë shoqe për t’u respektuar dhe jo armiq për t’u luftuar dhe nënshtruar.

Fiksimi për të ndjekur pushtetin dhe nënshtrimin, në vend se t’i bëjë të fortë, i bën të ndihen të dobët, në mëshirën e impulseve më të këqija dhe, siç del nga kërkimet amerikane, të palumtur. Megjithatë, të rinjtë e botës, jo vetëm ata amerikanë, mund ta refuzojnë gjithë këtë dhe të rishpikin veten. Po sikur viti 2023 të ishte viti i kundërrevolucionit të meshkujve të rinj jo më “meshkuj”? I presim me padurim.

*Daniela Hamaui është gazetare dhe opinioniste italiane, drejtuese në “La Repubblica”, “L’Espresso” dhe “Vanity Fair”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *