Të gjitha
Do të mbetem gomari i përhershëm 

Do të mbetem gomari i përhershëm 

I ka kaluar të shtatëdhjetat dhe ka nisur një tur në 10 qytete: Dëshira më e madhe? Të vdesë në skenë. Vasco Rossi mbetet i njëjti, që urren fanatizmin hipokrit dhe gjuetinë e shtrigave moralizuese. “Do të ishte më mirë nëse gratë do të ishin kudo në krye të qeverive; burrat kanë testosterone dhe e thyejnë shtambën”, thotë në këtë intervistë, si gjithmonë, të shpenguar.

I riu premtues, gomari i zakonshëm apo mjeshtër i nderuar. Në cilën prej këtyre fazave të teorizuara nga Arbasino mendon se je tani?
Unë e kam nisur nga të qenit gomar. Kam qenë një kokë… Të thuash se jam bërë poet, është ekzagjerim. Unë bëj këngë autor, të cilat i quaj kështu për t’i dalluar nga këngët e viteve ’60: është një lloj arti modern, që bën bashkë poezinë dhe muzikën.

Kultura e konsideron poezinë si një shprehi artistike të lartë, ndërsa këngën të ulët…
Mua as që më pëlqen ta quaj “muzikë të lehtë”. Është diçka që peshon: të prek, të bind, të mbështet, komunikon emocione të forta dhe shumë të fuqishme. Kur kam qenë në shkollë, poezia s’më pëlqente dhe aq shumë. Ekzistonte ai detyrimi i mësimit përmendësh, e pastaj unë i konsideroja si gjëra krejt të thjeshta të tipit “çupëza që vjen nga fshati…”. Ia kuptova vlerën pasi zbulova kantautorët. De Andrè ishte i pari që hapi një botë të tërë para meje. Pastaj De Gregori dhe Guccini.

Këngët në anglisht, pa muzikë. Çfarë ndjesie të japin?
Jam vetëm në leksionin e pestë të anglishtes…

Po si mundet, ke muaj që rri në Los Angeles!
Qëndroj gjithmonë me një grup italianësh dhe jam goxha dembel për të mësuar. Ama, prej disa muajsh, gjatë stërvitjeve të mëngjesit, vendos tablet-in përpara dhe ndjek leksione në YouTube… Dua të arrij t’i kuptoj filmat në gjuhën origjinale.

E ke ndjerë momentin historik të 70 viteve?
Shifrat e rrumbullakosura të trondisin disi, por ishte më keq kur isha 60. Pastaj dëgjova këmbanat. Porsi muzika që vendosin në fund të mbrëmjes nëpër klube: mund të rrish pa lëvizur, dritat janë ndezur dhe nuk do të të nxjerrin jashtë, por… Ndërsa tani që jam 70 vjeç kam arritur në pikën që i them vetes “Bëj atë që dua sepse ajo e ardhme që më ka ngelur përpara, nuk mund të më sjellë më zhgënjime të mëdha”. Covid-i nuk ishte një numër i rrumbullakosur, por gjithsesi ishte një moment krize sepse e kuptova që jam totalisht i varur nga dalja në skenë.

Dhe si do të jetë jeta kur të mos bësh më koncerte?
Shpresoj të vdes në skenë… Në të vërtetë, po punoj shumë me veten që të gjej një kuptim pavarësisht projekteve të punës. Duhet të mësosh të jetosh momentin, të tashmen.

Të ndihmon dashuria për filozofinë?
Më pëlqen të lexoj, jam njeri kurioz. Kam ndjekur shkollën teknike, për tre vjet na mësuan kontabilitetin, diçka që mund ta mësosh brenda një jave përmes një kursi, por asnjë fjalë për filozofinë. Kështu që e zbulova vetë.

Dhe si kapet e tashmja?
Për vite me radhë jam përpjekur të arrij meditimin. Mendova se po e bëja gabim, sepse fokusohesha te frymëmarrja ime dhe në një moment të caktuar vinin mendime të tjera për të më shpërqendruar. Duke lexuar Jon Kabat-Zinn, një ekspert në praktikat e vetëdijes, kuptova se ato mendime mbeten aty, për sa kohë që nuk i gjykojmë dhe t’i lëmë të ikin. Prej aty, kalova në budizëm dhe zbulova se ato që na shkaktojnë vuajtje janë mendimet, dëshirat, pritshmëritë dhe lidhjet tona. Nëse në vend të feve të tjera do të ishte përhapur budizmi, bota do të ishte më mirë.

Në një intervistë të vitit 1983 thoshe: “Nuk do të plakem kurrë, do të vdes herët”.
Po bëja më të mirën. Ishte një periudhë teprimesh dhe kreativiteti. Bëja gjithçka me synimin e vetëm që të shkruaja këngë dhe të arrija në zemrën e njerëzve. Jetoja në një kapanon në zonën industriale të Bolonjës, përdorja substanca që më mbanin zgjuar dy apo tre ditë për të shkruar këngë, ndërsa gjumin e shihja si humbje kohë. Isha gati të sakrifikoja jetën, por jo në kuptimin që doja të vdisja apo të vrisja veten. E kuptoja që po e ekzagjeroja, gjithçka e kam bërë me vetëdije. Nuk rashë brenda. E përjetova në maksimum atë udhëtim dhe në fund u përplasa pas murit. Por nuk ishte një aksident rrugor.

Çfarë muri?
Ai i fanatizmit hipokrit dhe i gjuetisë së shtrigave që më bëri kokë turku të një kohe kur praktikisht të gjithë po bënin të njëjtën gjë. Unë isha i vetmi në botë që u denoncova nga furnizuesi i tij i mallit (një famëkeq). Më arrestuan dhe para se prokurori të denjonte të më takonte, kalova pesë ditë në izolim. E përdora atë përvojë për të rilindur krejtësisht.

Vasco, rrezik publik…
Unë dukesha i çrregullt dhe pa tru në vend, por gjithmonë i kam pasur idetë e qarta. Deri në moshën 20 vjeç mendoja se sistemi mund të ndryshohej, pas kësaj ndërtova sistemin tim. Shpika një punë si “disc jockey” me një radio private dhe më pas filloi kjo aventurë e këngës. Mësova nga kantautorët, por isha i pari, së bashku me Nannini-n dhe Bennato-n që e përdora në italisht gjuhën e rock-ut.

Kënga e kthesës?
Me “Ogni volta” gjeta rrugën time në shkrimin e teksteve. Ishte sinteza e gjuhës: të them diçka, por në mënyrën më sintetike të mundshme. Ishte e kundërta e asaj që bënin kantautorët. Fillova ta shkruaja “Ogni volta” me mendimin se do të isha i vetmi që do ta kuptoja. I lija të gjitha vargjet në mes, nuk tregoja asgjë. Kur, më vonë, pashë që të tjerët i mbushnin ato pasazhe me imagjinatën e tyre, kuptova se ishte një magji e jashtëzakonshme.

Kënga perfekte?
“Vita spericolata”. Në vitin 1983, më në fund shkova i lumtur në Sanremo sepse këndoja një këngë që i çonte të gjithë për dreq, mbi të gjitha ata që mendojnë gjithmonë korrekt. Ishte mënyra ime për të thënë “shko vetë në dreq, unë dua ta kem jetën si më teket”. Në të vërtetë kënga është një himn i jetës. Sigurisht, një jetë e jetuar duke rrezikuar dhe duke bërë gabime, dhe rrjedhimisht duke mësuar.

A mund të kesh një “vita spericolata” kur je 70 vjeç?
Mbetem gjithmonë i njëjti. E përballoj jetën me të njëjtin ritëm, nuk kërkoj një jetë të qetë, të rrafshët e të rregullt. S’do të isha në gjendje ta jetoja. Ndihem gjithmonë ai djali 15-vjeçar. Dy vjet më parë nxorra shpatullën duke u hedhur nga një shkallë me biçikletë mali, nuk e di se çfarë kisha në mendje… Djali im Luca më bëri moral, por koka ime mbetet gjithmonë e njëjta.

“Por ti je aty, pranë meje/ dhe fort më shtrëngon dorën/ Dhe gjithçka duket më e lehtë/ Me ty, pranë meje”. E njeh?
Jo.

Në fakt, i kërkova inteligjencës artificiale të shkruajë një këngë në stilin tënd…
E kam bërë edhe unë (qesh me të madhe). I thashë inteligjencës artificiale se nuk e njihja mirë Vasco-n dhe ajo më tregoi gjithë historinë time, që mbaronte me “ka pasur ca probleme me drejtësinë”. Po ik o pirdhu! Pastaj i kërkova të më jepte një titull për një artikull mbi Vasco-n: “Heroi i rock-ut italian: historia e Vasco Rossi, rebeli që fitoi zemrën e kombit”. Më mirë kjo.

Të frikësojnë këto teknologji?
Një inteligjencë artificiale që ndihmon njeriun është e dobishme, por duhet rregulluar sa më shpejt. Duhej ta bënte Kongresi amerikan, por grupet e interesit të kompanive teknologjike janë të fuqishme. Edhe rrjetet sociale duhet të rregullohen: për të hapur një llogari duhet të japësh emrin e vërtetë, mbiemrin, adresën. Duhet që gjithsecili të jetë i përgjegjshëm. Edhe sa i takon lajmeve jetojmë me dëngla, me post-të vërtetën e Trump… një botë që e kuptoj shumë mirë dhe nuk më pëlqen.

A është Vasco i brishtë?
Brishtësia ime është ndrojtja. Kam përdhunuar veten për të dalë në skenë. Unë jam në shërbim të publikut, dua që ata të kënaqen. Për vite me radhë nuk argëtohesha edhe pse tani është i vetmi vend ku mund të jem në këtë moment, në të tashmen për të cilën po flisnim më parë.

Si i sheh fëmijët e brezit GenZ? Gjimnazistët milanezë kanë shkruar një letër të hapur në të cilën pretendojnë të drejtën e brishtësisë.
Konkurrenca, në tregun e punës, është shumë e fuqishme, është një gjë e egër, çnjerëzore. Teprimet e këtij sistemi ekonomik i shoh sa herë jam në Los Angeles, por mendoj se gjithsesi është më i mirë se ai kinez. Këta fëmijë më dhurojnë butësi, edhe pse janë burim i vërtetë, janë plot energji. Ata kanë më shumë shanse se ne për të qenë të brishtë, falë atyre betejave që kemi bërë për të pasur mirëkuptim për të ndryshmen, edhe pse në nivel politik nuk më duket se shkoi aq mirë.

Brezi yt ishte “pa shenjtorë e pa heronj”…
Në vitet ’70 i kishim heronjtë. Si për shembull Che Guevara. Pastaj isha unë vetë që nisa të ripërmasoja veten. Mendoja se ishte më e lehtë të ishe hero, sesa të shkoje të punoje në fabrikën e Fiat-it çdo ditë. Në atë kohë Che-ja u bë më pak hero, dhe heroi i vërtetë u bë babai im, që kryente punën e tij për të siguruar të ardhurat.

Nuk e pe të plaket. Iku në vitin 1979, kur ishte 56 vjeç.
Më vjen keq që ai nuk pa asgjë nga karriera ime, mendoj se do të ishte krenar. Do ta kishte parë si një shpërblesë. Duhet të më ketë dashur shumë, sepse në fillim nuk po bëja asnjë mut me atë “disc jockey”, por ai as që e kuptonte se çfarë ishte.

Po mamaja?
Me atë ishte tjetër gjë. Admiruesit nisën t’i shkonin në shtëpi, ajo i fuste brenda dhe më thoshte: “Qetësohu, ata të duan shumë.” Dhe unë i thoja: “Ma, ti më do shumë. Ata më duan derisa t’u pëlqejë albumi”. Për fat, vinin vetëm njerëz të hajrit dhe nuk ndodhi asgjë, por në një farë pike, u detyrova të vendosja një gardh përpara shtëpisë së saj.

Në vitin 2021, kur po prezantoje albumin e fundit, flisje për parti që nxisin frikë…
Nuk kishin ardhur ende, por e dija se mund të ndodhte dhe përpiqesha t’i paralajmëroja njerëzit. Tani erdhën.

A të shqetësojnë këto muaj të parë të qeverisë Meloni?
Shumë. Giorgia është e kendshme, por shpresoj që pas deklaratave propagandistike elektorale të mbizotërojnë qëndrimet më të arsyeshme, mbi të gjitha për sa i takon të drejtave civile. Por le të jemi të kujdesshëm, i them vetes gjithashtu që të mos shpërqëndrohemi nga gjërat për të cilat kemi luftuar aq shumë, dhe që tani duken të rrezikuara. Historia na mëson se kur diçka mund të shkojë keq… do të ndodhë.

Të pëlqen fakti që në krye të qeverisë dhe opozitës janë dy gra?
Një sinjal i bukur. Do të ishte më mirë nëse gratë do të ishin kudo në krye të qeverive; burrat kanë testosterone dhe e thyejnë shtambën… Nuk e mendoja që pas atij budallai Kim Jong-un një tjetër si Putini, ndër të tjera kreu i një fuqie, do të guxonte të hidhte bomba bërthamore.

*Vasco Rossi është këngëtar, kantautor dhe poet italian. Ka publikuar 30 albume gjatë karrierës dhe ka shkruar mbi 250 këngë, si edhe shumë tekste për artistë të tjerë. Koncerti i tij “Modena Park” në vitin 2017 ishte koncerti i dytë me më shumë bileta të shitura i të gjitha kohërave. Intervista për Andrea Laffranchi u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *