Përralla e Krishtlindjes
Nga Paulo Coelho/ Shumë vite më parë, jetonte në Kinë një djalosh i quajtur Mogo, që jetesën e nxirrte duke thyer gurë. Sado i shëndetshëm e i fortë, Mogo nuk ishte aspak i kënaqur me fatin që i kishte rënë për pjesë dhe ditë e natë vetëm ankohej. Aq shumë e mallkoi Zotin, sa iu shfaq engjëlli mbrojtës.
– Ke shëndet dhe një jetë të tërë përpara – tha engjëlli. Të gjithë të rinjtë kështu e nisin, duke bërë ndonjë punë si e jotja. Pse e kalon jetën duke u ankuar?
– Zoti ka qenë i padrejtë me mua. Nuk ma ka dhënë mundësinë të rritem – tha Mogo.
I shqetësuar, engjëlli u paraqit përpara Zotit, për t’i kërkuar ndihmë, që i mbrojturi i tij të mos përfundonte duke ia mallkuar shpirtin vetes.
– U bëftë vullneti yt – tha Zoti – do t’i jepet çfarë të dojë.
Të nesërmen, teksa po thyente gurët si zakonisht, Mogo pa një karrocë në të cilën po udhëtonte një fisnik, i mbushur me xhevahire. Duke fshirë me duar fytyrën e tij të bërë bërë pis e të djersitur, Mogo briti me hidhërim:
– Pse s’mund të jem edhe unë fisnik? Ky është fati im!
– Do të jetë! – murmuriti engjëlli, përshkuar prej gëzimit.
Dhe kështu Mogo u bë zot i një pallati të stolisur, rrethuar nga një pasuri e madhe, me shumë shërbëtorë dhe plot kuaj. Dilte çdo ditë me kortezhin e tij madhështor dhe shijonte pamjen e miqve të një kohe, të cilët rreshtuar anës rrugës, e shihnin me respekt.
Një pasdite, vapa ishte aq e padurueshme sa, edhe nën ombrellën e tij të artë, Mogo djersinte si në ditët kur thyente gurë. E kuptoi pra, se tekefundit nuk ishte edhe aq i rëndësishëm: mbi të kishte princa dhe perandorë dhe, shumë më lart se të gjithë këta, ishte dielli, i cili nuk i bindej askujt, pasi ai ishte sovrani i vërtetë.
– Ah, mor engjëlli im! Pse s’mund të jem unë dielli? Ky duhet të jetë fati im! – u ankua Mogo.
– Epo mirë, do të jesh! – thirri engjëlli, duke e fshehur parehatinë karshi një ambicie kaq të madhe.
Dhe Mogo u bë diell, siç ishte dëshira e tij.
Ndërsa shkëlqente në qiell, i magjepsur prej fuqisë së madhe për të pjekur të mbjellat ose për t’i djegur sipas qejfit, një pikë e zezë nisi t’i dilte përpara. Njolla e errët vazhdonte të zmadhohej dhe Mogo e kuptoi se bëhej fjalë për një re që po i vinte përballë dhe pak nga pak, e pengonte të shihte Tokën.
– Engjëll! – ulëriti Mogo – Reja është më e fuqishme se dielli! Fati im është të jem re!
– Do të jesh! – u përgjigj engjëlli.
Mogo u shndërrua në re dhe mendoi se kështu e realizoi ëndrrën e tij.
– Jam i fortë! – bërtiste, duke errësuar diellin.
– Jam i pamposhtur! – gjëmonte duke ndjekur dallgët.
Por në bregun e shkretë të oqeanit qëndronte një shkëmb i madh graniti, i vjetër sa bota. Mogo mendoi se ai shkëmb ishte aty për ta sfiduar dhe lëshoi një stuhi që nuk ishte parë kurrë më parë në tokë. Dallgët, të mëdha e të tërbuara, goditën shkëmbin duke u përpjekur ta shqyejnë nga toka dhe ta hedhin në fund të detit.
Por shkëmbi, i fortë dhe indiferent, mbeti në vend.
– Engjëll! – u ngashërye Mogo – Shkëmbi është më i fortë se reja! Fati im është të jem shkëmb!
Dhe Mogo u kthye në shkëmb.
– Kush mund të më mposhtë tani? – pyeti. – Unë jam më i fuqishmi në botë!
Kështu kaluan disa vite derisa, një mëngjes, Mogo ndjeu një dhimbje të mprehtë në zorrët e tij të gurta, ndjekur nga një dhimbje e thellë, sikur një pjesë e trupit të tij prej graniti po shqyhej. Pastaj dëgjoi një trokitje të shurdhër dhe këmbëngulëse, dhe përsëri atë dhimbje të tmerrshme.
I çmendur nga habia, bërtiti:
– Engjëll, dikush po përpiqet të më vrasë! Ai ka më shumë fuqi se unë, dua të jem si ai.
– Dhe do të jesh! – thirri engjëlli i përlotur.
Dhe kështu, Mogo nisi sërish të thyente gurë.
*Paulo Coelho është ndër shkrimtarët më të njohur brazilianë. Çdo fundvit ai boton një histori në vigjilje të Krishtlindjes. U përkthye në shqip nga Erjon Uka. Lexo këtu përrallën e Krishtlindjes 2022