Ekziston diçka që paratë s’mund ta blejnë
Nga Michael Sandel/ Ja një pyetje mbi të cilën na duhet sërish të reflektojmë: Cili do të duhej të ishte roli i parave dhe i tregjeve në shoqëritë tona?
Sot ka pak gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë. Nëse jeni i mbyllur në një burg në Santa Barbara të Kalifornisë dhe nuk ju pëlqen sistemimi standard që bëhet në këto raste, mund të blini një qeli të kategorisë superiore. Më çfarë çmimi? Tetëdhjetë e dy dollarë nata. Nëse shkoni në një park argëtimi dhe nuk keni dëshirë të mbani radhë, ekziston një zgjidhje po ashtu. Në shumë parqe të tilla, mund të paguani për të shmangur radhën e njerëzve. E quajnë “Fast Track”, ose bileta VIP. Kjo ama nuk ndodh vetëm në parqe argëtimi. Në Washington shpesh herë krijohen radhë për dëgjesat e rëndësishme në Kongres. Disa njerëzve u ndodh të presin deri në darkë, edhe në kohë shiu. Por ata që duan, mund t’u drejtohen kompanive që punësojnë njerëz të pastrehë për të pritur në radhë në vend të tyre.
Përdorimi i mekanizmave të tregut, i arsyetimeve të tregut dhe i zgjidhjeve të orientuara nga tregu ndodh gjithmonë e më shumë. Shihni se si i kryejmë luftërat. A e dini se në Irak dhe në Afganistan ka pasur më shumë kontraktorë ushtarakë privatë sesa trupa shtetërore amerikane? Jo sepse pati një debat publik mbi dëshirën për t’u dhënë me konçension luftën kompanive private, por sidoqoftë kjo ishte ajo që ndodhi.
Në tre dekadat e shkuara, kemi përjetuar një revolucion të heshtur. Pa e vënë re jemi zhvendosur nga pasja e një ekonomie tregu në shndërrimin e plotë si një shoqëri tregu. Ndryshimi është ky: një ekonomi tregu është mekanizmi efikas dhe i çmuar për organizimin e aktiviteteve prodhuese, por një shoqëri tregu është vendi ku thuajse gjithçka është në shitje. Bëhet fjalë për stil jete, në të cilin arsyetimet e tregut dhe vlerat e tregut nisin të dominojnë çdo aspekt të jetës: marrëdhënie personale, jetë familjare, shëndet, arsim, politikë, ligj.
Dhe kjo është shqetësuese për dy arsye kryesore.
Njëra ka të bëjë me pabarazitë. Sa më shumë që paratë arrijnë të blejnë gjëra, më e rëndësishme bëhet prezenca apo mungesa e tyre. Nëse e vetmja gjë që paratë do të garantonin do të ishte një shëtitje me jaht apo pushime luksoze, pabarazia nuk do të ishte bërë kurrë kaq e rëndësishme. Por kur paratë nisin të përcaktojnë aksesin e të mirave të nevojshme për një jetë të denjë si mbështetja shëndetësore, arsimimi më i mirë, ndikimi në politikë, pra e thënë shkurt kur paratë vendosin për gjithë këto gjëra, pabarazia merr një rëndësi të madhe.
Arsyeja e dytë është kjo që vijon: në lidhje me disa të mira dhe aktivitete shoqërore, kur mbizotërojnë arsyetimi dhe vlerat e tregut, ato mund të ndryshojnë kuptimin e këtyre aktiviteteve dhe të përjashtojnë sjelljet dhe normat për të cilat ia vlen vërtetë të shqetësohesh. Do të doja të jap një shembull.
Shumë shkolla bëjnë përpjekje për të motivuar fëmijët, kryesisht nxënësit e disavantazhuar, që të mësojnë më shumë, të arrijnë rezultate të larta, të aplikojnë për të ndjekur cikle të tjera studimi. Disa ekonomistë kanë propozuar një zgjidhje tregu: ofrimi i shpërblimeve monetare për fëmijët që marrin nota të mira apo që lexojnë libra. Madje kanë kryer edhe disa eksperimente në disa prej qyteteve më të mëdha amerikanë si New York, Chicago dhe Washington. Ofruan 50 dollarë për notën dhjetë dhe 35 dollarë për notën nëntë. Në Dallas kanë një program që u jep çdo fëmije tetëvjeçar 2 dollarë për secilin libër që lexojnë. Disa e mbështesin këtë nismë, disa e kundërshtojnë. Ata që janë kundër arsyetojnë se në këtë mënyrë vritet ai motivim që duhet të lindë spontanisht. Sepse shtrohet pyetja, çfarë ndodh kur rresht së paguari? A ndalojnë fëmijët së lexuari libra? Ata që bien dakord, në vend të kësaj mendojnë se nxitja monetare e shtyn fëmijën të bëjë gjëra që ai nuk do t’i kishte bërë dhe se ndoshta ai do të vijojë të lexojë edhe pasi të mos marrë më shpërblime për këtë gjë.
Por tani do t’ju tregoj se çfarë ndodhi me këto eksperimente. Paratë për notat në shumicën e rasteve nuk prodhuan nota më të larta. Nga ana tjetër, 2 dollarët për libër bënë që fëmijët të lexonin më shumë libra, por ama librat që lexonin ishin gjithmonë e më të shkurtër.
Për këtë arsye mendoj se pyetja e vërtetë është një tjetër. Diçka që shumë ekonomistë e lënë në hije. Këta ekonomistë thonë se tregjet lëvizin nga inercia, që nuk ndikojnë në të mirat e shkëmbyera. Që shkëmbimi në treg nuk ua ndërron kuptimin apo vlerën mallrave të shkëmbyer. Kjo mund të jetë e vërtetë kur flitet për të mira materiale. Qoftë kur më shisni një televizor të sheshtë, qoftë kur ma dhuroni, ai do të mbetet i njëjti objekt, duke funksionuar në të njëjtën mënyrë. Por kjo nuk mund të jetë e vërtetë për të mirat jo-materiale dhe aspektet sociale si mësimdhënia dhe mësimnxënia, si përpjekja e përbashkët për jetën shoqërore. Përdorimi i mekanizmave të tregut dhe stimujve me pará në këto fusha mund të minojë ose përjashtojë vlerat dhe sjelljet jashtë tregut për të cilat ia vlen të shqetësohemi.
Duhet të pyesim veten se çfarë i përket tregut dhe çfarë jo. Por për ta kryer këtë debat, duhet të bëjmë diçka për të cilën nuk jemi aq të mirë, pra të arsyetojmë së bashku mbi vlerën dhe kuptimin e aspekteve të shoqërisë, të trupave dhe të jetës familjare, nga marrëdhëniet shoqërore te shëndeti, nga arsimi te jeta sociale.
Këto janë çështje me spec, prandaj ne priremi t’i injorojmë. Nga frika e mosmarrëveshjes, u shmangemi këtyre pyetjeve. Kjo shkakton një gjendje në të cilën të pasurit dhe ata me mjete më modeste po jetojnë gjithnjë e më shumë të ndarë. Ne jetojmë, punojmë, blejmë dhe luajmë në vende të ndara. Fëmijët tanë shkojnë në shkolla të ndryshme. Argëtohemi në vende të ndryshme, shërohemi në vende të ndryshme, mblidhemi në vende të ndryshme etj.
Kjo nuk është e mirë për demokracinë dhe nuk është mënyra e jetesës që duhet të jetë, madje edhe për ata që kanë mundësi të blejnë një vend në ulëset e rreshtit të parë. Sepse një botë përjashtuese është një botë e pak njerëzve. Pak emocione, pak zbulime, pak marrëdhënie, pak mundësi. Ne duhet të përfshijmë.
*Michael J. Sandel është filozof amerikan, profesor i Teorisë së Qeverisjes në “Harvard University Law School”. Në vitin 2002 u zgjodh anëtar i Akademisë Amerikane të Artit dhe Shkencës, ndërsa në vitin 2018 u nderua me çmimin “Princi i Asturias” në shkencat sociale. Një ndër librat e tij më të rëndësishëmë shtë “Çfarë nuk mund të blejë paraja: Kufijtë moralë të tregut”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.
Publikuar edhe në Tiranapost.al