Blog
Integrimi është karamele. Ne ende nuk kemi ujë!

Integrimi është karamele. Ne ende nuk kemi ujë!

Nga Erjon Uka/ Qofshin të një natyre populiste ose jo, të ashtuquajturat dëgjesa të Edi Ramës me popullin nxorën në pah një veçori e cila në përditshmërinë e lajmeve të mira që sillen e shkojnë matanë detit sfumohet: Shqipëria përballet me probleme thellësisht ekzistenciale!

Në 11 raporte të publikuara deri tani, 5 qarqe e kishin furnizimin me ujë problem parësor, ndërsa në 5 qarqe ky ishte ndër tri problemet kryesore. Dy të tjerët? Prona dhe rrugët.

Nëse pyetet shpesh se përse investitorët nuk vijnë në Shqipëri, përgjigja nuk duhet gjetur vetëm te sistemi fiskal. Ai është një anë e medaljes. Ana tjetër është se çdokush që kërkon të investojë duhet të jetë i sigurt se për truallin e zgjedhur të ketë dokumentin e pronësisë të kohës së Sulltanit, të para vitit ’45, të kohës së diktaturës dhe të zaptuesit pas viteve ’90. Vetëm në këtë mënyrë mund të jetë i qetë se nuk do t’i trokasë në derën e biznesit asnjë nip apo mbesë që kërkon tokën mbrapsht.

Ndërsa rrjeti rrugor është një problem më vete. Vëmendjen e kronikave e marrin gjithmonë rrugët nacionale, por janë qindra fshatra të tjera tërësisht të izoluara, duke bllokuar jo vetëm “lëvizjen e lirë të qytetarëve”, por edhe transportin e të mirave bujqësore.

Dëgjesat, edhe nëse nuk do të shërbejnë që të zgjidhin të gjitha problemet e qytetarëve (ashtu siç me shumë mundësi do të ndodhë), treguan një fakt: Përtej Tiranës dhe qendrave të urbanizuara të 4-5 qyteteve të mëdha, ka jetë. Jetë primitive, pa standarde, kaotike.

Prandaj përballë kësaj panorame më është dukur gjithmonë e pavend të flitet për integrim europian. Ajo është një karamele që në radhë të parë u jepet nga Brukseli zyrtarëve tanë, e ata na e japin neve sa herë i kanë duart e zëna me çështje të tjera. Prej vitesh çdo problem eklipsohet për integrimin, një integrim që do të jetë shumë i vonë jo vetëm se Brukseli ka hallet e veta, por mbi të gjitha sepse ne ende përballemi me probleme jetike, ndaj nuk kemi ç’të ofrojmë. Edhe sot, mbi gjashtë vite nga liberalizimi i vizave, qytetarët nuk janë të lirë të udhëtojnë kur, ku e si të duan sepse duhet të plotësojnë katër-pesë kushte.

Imagjinoj Schumanin, De Gasperin, Monnetin, Spinellin, Spaakun dhe Johan Beyen në një tavolinë duke marrë raportin e plotë mbi Shqipërinë. Natyrisht kam në mendje ata që hodhën bazat e BE-së gjysmë shekulli më parë, sepse sot as që mund të imagjinohet kjo situatë në një vend buzë Mesdheut. Do të mjaftonin këto shqetësime të shqiptarëve që Schuman ta mbyllte dosjen me një buzëqeshje ironike dhe të bezdisur për kohën e humbur duke thënë “Integrim? Por këta ende nuk kanë ujë!”./Botuar fillimisht në gazetën Mapo, 15/08/17

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *