Blog
Të rinjtë, një potencial i shpërdorur

Të rinjtë, një potencial i shpërdorur

Millenialët (të rinjtë e mijëvjeçarit) përbëjnë një potencial të madh, por të çuar dëm. Ka shumë faktorë që i paralizojnë këta të rinj për të qenë pjesë e dinamikave të tregut të punës. Variojnë nga arsimimi, rimëkëmbja e ngadaltë pas krizës globale, burokracitë shtetërore dhe mungesa e politikave frymëzuese. Dhe nëse mendoni se kjo situatë ndodh vetëm në vendet e varfra apo ato në zhvillim si Shqipëria, gaboheni. Në Francë, shkalla e papunësisë së të rinjve është 25% dhe ka qenë shumë e lartë përgjatë tri dekadave të fundit.

Situata sipas The Economist

Nuk është vetëm Franca që ka këto probleme. Në eurozonë, Greqia, Spanja dhe Italia kanë rregulla të tillë që i shkurajojnë ata që mendojnë jashtë kornizave. Papunësia në këto vende është respektivisht 48%, 48% dhe 40%. Në rajonin tonë, shkalla e papunësisë për të rinjtë 15-24 vjeç është 55.3 % në Greqi, Kroaci 42.1% dhe Kosovë 55.3%. Gjithashtu, vendet në zhvillim kanë tregje shumë të ngurta pune. Në Afrikën e Jugut miksohen politikat proteksioniste të stilit Europian me seleksionimin racor, kurse në Brazil punëdhënësit për aq sa paguajnë punonjësin, paguajnë edhe taksa apo benefite të tjera. Firmat janë të detyruara të përkrahin punën e zezë, sidomos nëse punonjësit janë të pakualifikuar, për sa kohë ata mund të mësojnë aftësitë e duhura në një periudhë të shkurtër kohe. 16% e të rinjve brazilianë dhe 63% e atyre afrikano-jugorë janë të papunë. Mesatarisht, në nivel global, papunësia e të rinjve është 13% (nga 4,5% që është te të rriturit). Millenialët janë më të preferueshëm për të punuar në punë sezonale, të pasiguruara apo të paguara keq.

Papunësia ka rëndësi për disa arsye: Së pari, është fatkeqësi për të prekurit. Së dyti, është një vrasje e mirëfilltë e potencialit njerëzor. Koha e shpenzuar duke dërguar CV apo duke qëndruar i shkurajuar në kolltuk, nuk është e njëjtë me kohën që shpenzohet duke rregulluar një pajisje, duke shtruar kabllo apo duke ndërtuar një biznes. Së treti, është financiarisht rrënuese. Nëse të rinjtë nuk mund të hedhin hapin e parë në karrierë, as nuk mund të mendohet se si ata do të përballojnë më pas numrin e zmadhuar të pensioneve. Së katërti, papunësia mund të kthehet në diçka kronike. Sa më shumë të qëndrohet jashtë tregut të punës, aq më shumë zbehen aftësitë dhe vetëbesimi.

Ky efekt “tmerrues” është akoma më i keq kur jeni të ri, sepse në këtë kohë zhvillohen dhe integrohen aftësitë tuaja të punës. Një studim tjetër nga University of Bristol, arriti në përfundimin se personat që kanë qenë të papunë në rininë e tyre, arkëtojnë 13% deri në 21% më pak të ardhura në moshën 42-vjeçare. Ndërsa, profesorët nga Dartmouth College dhe University of Stirling kanë provuar se njerëzit që kanë qenë të papunë në të njëzetat, janë më pak të lumtur në moshën 50-vjeçare.

“10 vitet e para janë thelbësore. Ato mprehin karrierën për në afatgjatë”, argumenton Stefano Scarpetta nga OECD. Kjo është periudha kur njerëzit zhvillojnë aftësitë esenciale që nuk mund t’i fitojnë në shkollë, si për shembull korrektësia, puna në ekip dhe ndërgjegjësimi. Rreth 90% e punëve të reja në dekadën e ardhshme do të krijohen nga sektori privat. Gjëja më pozitive e vendeve të reja të punës është rritja ekonomike, kështu që politikat të cilat promovojnë rritjen janë veçanërisht të mira për të rinjtë. Heqja e barrierave rregullatore mund të jetë një tjetër gjenerues pune. Zoti Scarpetta nga OECD thotë se përpjekje të tilla po bëhen në Spanjë, Itali dhe Portugali me qëllim kthimin e tregut të punës në fleksibël, por thekson se këto ligje duhet të jenë edhe më të thjeshta për t’u kuptuar. Për shembull, do të ishte më mirë të eliminoheshin dallimet mes kontratave provizore dhe atyre të përhershme. Danimarka është shembulli më i mirë që tregon se si një vend mund të ketë politika fleksible dhe në të njëjtën kohë t’u japë punonjësve ndjesinë e sigurisë.

Të rinjtë e kanë më të vështirë që të krijojnë një kapital, pasi i mungon historiku financiar dhe nuk kanë kolateral. Ata gjithashtu dinë me pak për industrinë ku po kërkojnë të futen dhe kanë më pak kontakte se sa punonjësit më të vjetër.

Çfarë ndodh në Shqipëri – pagat e ulëta dhe dëshpërimi

Problemi i papunësisë së të rinjve në Shqipëri është një problem kyç për vetë faktin se edhe niveli i përgjithshëm i papunësisë është i lartë. Megjithëse shifrat e organeve kompetente si INSTAT e japin papunësinë në nivelet e 15,2%, kjo shifër mund të debatohet për shkaqet e informalitetit të lartë të tregut, vetëpunësimit në bujqësi apo problemet me anketat e forcës së punës. Gjithsesi, referuar sërish INSTAT, papunësia për grupmoshën 15-29 vjeç është në shifrat e 27,4%.

Ndër arsyet e të rinjve të kësaj grupmoshe për të mos punuar, shkak kryesor është shkollimi, por edhe shkaqe të tjera, si mentaliteti i prindërve për të mos i përfshirë në punë pa mbaruar arsimin e lartë, kontributi në punët e shtëpisë (veçanërisht për femrat), por edhe mungesa e besimit se mund të gjejnë punë të mirëpaguara në sektorët ku kanë studiuar. Nga të rinjtë e punësuar, vihet re se peshën kryesore e zë bujqësia me 44,1% në rang vendi, ndërsa e ndjekin tregtia (20,7%), shërbimet (15,9%) apo ndërtimi (8,4%). Fragmentarizimi i tokës dhe mungesa e shumë fermave apo agrobizneseve të mëdha me kapacitete të larta punësimi, të bën të mendosh që një numër i lartë i këtyre të punësuarve në bujqësi janë të vetëpunësuar.

Përtej statistikave, problem thelbësor në Shqipëri është mospërputhja e profileve të studimit dhe gjetjes së vendeve të punës. Sektori i Call Center e ka zbutur plagën e papunësisë, pasi janë mbi 25,000 persona, pjesa dërrmuese të rinj, të punësuar në këtë sektor. Por efekti i këtij punësimi është vetëm i përkohshëm pasi nuk ofron mundësi karriere dhe gjithashtu, siç u dëshmua muajin e kaluar, është vulnerabël nga politika të shteteve mëmë të këtyre kompanive (në rastin konkret Italia). Në vitin 2011 në Shqipëri ishin plot 53,9% e të rinjve të diplomuar të papunë.

Gjithashtu puna informale, pra pa kontrata të rregullta pune, mungesë siguracionesh, pa të drejtë pushimesh apo orare të zgjatura të papaguara janë një pengesë e madhe për motivimin dhe kënaqësinë e të rinjve në punë. Në të njëjtën kohë, të gjitha këto janë shkaqe që detyrojnë shumë të rinj të emancipuar për të mos filluar punë në pritje të një alternative më të mirë, por që shpeshherë përfundon në papunësi afatgjatë dhe “nxjerrje jashtë loje” nga tregu i punës.

Nga ana e kompanive, arsyet e pagesave të ulëta të të rinjve apo mospunësimit, lidhet me nivelin e varfër të njohurive teknike apo profesionale. Edhe ato kompani që preferojnë të punësojnë të rinj, aplikojnë një sistem trajnimi vetjak duke mos i besuar shumë diplomës. Kjo nxjerr në pah një tjetër problem madhor që është mospërputhja e kurrikulave universitare me nevojat e tregut të punës.

Çfarë mund të bëhet?

Në kushtet kur papunësia e të rinjve është një problem global, nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor në Shqipëri. Megjithatë, trekëndëshit punëkërkues-shtet-universitet i del shumë punë përpara:

Të rinjtë: Duhet të investojnë në degë të cilat kanë një të ardhme në tregun e punës në përputhje me trendet globale. Zhvillimi i programeve, marketingu online apo menaxhimi operacioneve janë ndër punët më të kërkuara. Por kjo nuk do të thotë që të gjithë të shkojnë në këto degë. Balanca mes dhuntive, arsimimit dhe tregut është faktor kyç i suksesit në punë.

Shteti: Formalizimi i tregut të punës, arsimi profesional dhe nxitja nëpërmjet politikave fiskale e kompanive për të punësuar të rinj, mund të rrisin ndjeshëm nivelin e punësimit. Nisma të tilla si ajo e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, USAID dhe Avokaturës së Shtetit për praktikat profesionale është një hap i mirë, por që duhet masivizuar.

Universiteti: Dije e tregtueshme dhe jo sokratike. Ky është përkufizimi i universitetit modern dhe sidomos vende në zhvillim si Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur me kurrikula boshe. Akademikët duhet të zbresin nga katedrat në terren, për të aplikuar dijen që iu siguron të rinjve punësim./Botuar fillimisht në gazetën Mapo, 06/03/17

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *