Montanelli
Aleksandra tregon dashurinë në moshën 78-vjeçare me Zygmunt Bauman: Më propozoi gjatë një konference, dashuria është arti i dhënies

Aleksandra tregon dashurinë në moshën 78-vjeçare me Zygmunt Bauman: Më propozoi gjatë një konference, dashuria është arti i dhënies

Të dy studentë në Universitetin e Varshavës. Pas përjashtimit nga Polonia, Zygmunt Baumani u bë ndoshta sociologu më i madh i kohës sonë, i famshëm për teorinë e shoqërisë së lëngët. Ajo vazhdoi të jepte mësim në Varshavë, deri sa u ritakuan pas rënies së Murit të Berlinit. Kaluan dy dekada për të ardhur te propozimi në Bellagio, buzë liqenit të Komos. Ajo ishte 78 vjeç, ai 85.

“Më kupton më shumë Aleksandra se sa unë veten time.” Kështu thoshte Zygmunt Bauman për zonjën rebele që e shoqëroi në vitet e fundit të jetës. Një histori sentimentare që ka shijen e një romani. Takimin e parë e patën në Universtitetin e Varshavës, mbi gjashtëdhjetë vite më parë. Por lidhja intelektuale e tyre u pre më 1968 pas përjashtimit të Zygmunt-it për motive politike. Trishtimi i ndarjes, pastaj martesat me Janina Levinson dhe Albin Kania, bashkëshortët e tyre të ndjerë. Deri sa në vitin 2010 ndodhi “mrekullia e dashurisë”: Ajo 78 vjeç, ai 85, u bashkuan sërish deri më 9 janar 2017, kur sociologu polak u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare. E ftuar nga shtëpia botuese “Laterza”, sociologia Aleksandra Kania përshkruan sërish jetën e saj me Baumanin, me thjeshtësinë dhe ironinë që karakterizonin edhe bashkëshortin e saj.

U njohët më 1954 në Varshavë, kur të dy ishit studentë të filozofisë. Çfarë ju goditi më shumë nga bashkëshorti juaj i ardhshëm?
Shikimi. I kishte sytë e zinj dhe të gjallë si zjarri, të aftë për të kapur çdo detaj me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Zygmunt dinte të dëgjonte. Ishte vetëm 29 vjeç por dukej shumë më i rritur. Ishtë lideri i padiskutueshëm i grupit tonë, por kurrë nuk kërkonte të thyente rregullat. Nuk ishte në natyrën e tij.

Ju ishit e bija e Boleslaw Bierut, i quajtur si Stalini polak. A ju ka ndihmuar Baumani që të përballeni me figurën e babait tuaj?
Për mua ishte shumë e rëndësishme të flisja me të. Të dy arritëm në konkluzionin se ishte një burrë i mirë dhe i ndershëm, ama në ato rrethana përcaktuese të historisë veproi keq. Është ky paradoksi i komunizmit: të duash të shpëtosh njerëzimin, e më pas arrin komplet rezultatin e kundërt.

Në vitin 1968 Baumani u përjashtua nga universiteti me akuzën se po nxiste revolta studentore kundër regjimit komunist.
Në departamentin tonë të filozofisë dhe sociologjisë ato ishin ditë të tmerrshme. Iu kundërvumë atij vendimi, por nuk na dëgjoi kush. Edhe unë gjithashtu u pezullova nga klasat. Zygmunt më pas u detyrua të largohej nga vendi si pasojë e fushatës antisemite.

Pas rënies së Murit të Berlinit, Baumani u kthye në Poloni së bashku me bashkëshorten Janina. Pastaj mbetët të dy të ve dhe në vitin 2010 zbuluat se ishit të dashuruar?
Doni të dini se çfarë do të thotë të dashurohesh në moshën tetëdhjetë vjeçare? Asgjë e ndryshme nga dashuria e 16-vjeçarëve. Nuk është aspak e vërtetë se të moshuarit nuk janë më në gjendje të ndjejnë dëshira seksuale, intimitet, emocione të forta karshi njëri-tjetrit. E gjitha kjo mbetet e paprekur, së bashku më eksperiencën e së shkuarës që mund të kthehet në mënyrë të rëndë.

Në ç’kuptim?
Në të tetëdhjetat frika se mos humb partnerin që dashuron është shumë më e madhe. Kur je i vjetër, rreziku shtohet në momentin kur kupton se ka mbetur edhe pak kohë për të jetuar. Por pavarësisht kësaj, eksperiencat duhen përjetuar deri në fund. Zygmunt shkruante se dashuria nuk është thjesht premtimi i një lumturie të lehtë, por tentativa konstante për ta mbajtur gjallë këtë ndjenjë përmes kujdesit për njëri-tjetrit. Dhe e gjithë kjo pa dashur t’i imponosh tjetrit lumturinë kundër vullnetit të tij. Kthehemi sërish te paradoksi i komunizmit! Për shembull Zygmunt marrosej nga dëshira për të gatuar për mua, por brenda pak muajsh u shëndosha gjashtë kile…

Nga e kuptuat se miqësia po kthehej në diçka tjetër?
Nga shikimet. Në mjedisin akademik të gjithë nga shihnin si një çift, para se ne ta kuptonim.

Ju nuk kishit kuptuar asgjë?
Herën e parë që ndjeva diçka ishte në festën e tij të 85-vjetorit. Qeveria polake kishte organizuar një ceremoni të madhe në nder të tij në të cilën unë nuk isha ftuar, por Zygmunt këmbënguli që të isha pranë tij gjatë darkës. Mes shumë miqve më zgjodhi pikërisht mua! Më pas gjatë konferencës ndodhi edhe diçka mallëngjyese. Shumë persona i jepnin lule, por ai zbriti nga skena për të m’i dhënë mua. Mbeta pa fjalë.

Pastaj çfarë ndodhi?
Ditëlindjen pasardhëse shkova ta takoja në shtëpinë e tij në Leeds, në Britani. Bashkë me mua ishin edhe disa studentë që po përgatisnin temën e diplomës mbi Baumanin. Kjo ishte mënyra që zgjodha për t’i shprehur dashurinë. Erdhi Viti i Ri dhe Zygmunt më kërkoi që të shkonim në një vend, të cilin unë nuk e dija. Shkuam në Bellagio, në liqenin e Komos. Aty më dha edhe unazën e fejesës. (Aleksandra e mban ende në dorë atë unazë me dy diamantë.)

Po kur ju kërkoi që të martoheshit?
Ma tha gjatë pushimit të një konference. “Mund të të bëj një pyetje? Do të martohesh me mua?” Iu përgjigja: “As njërën, e as tjetrën: Nuk dua pyetje dhe nuk dua të martohemi.” Kishim pasur të dy martesa të lumtura, nuk kishte asnjë kuptim të rimartoheshim. Mund të rrinim miq dhe të dashur, por ai këmbënguli duke thënë se do të ishte e vështirë ta ruanim marrëdhënien për sa kohë jetonim në dy shtete të ndryshme. Pas shumë ngulmimesh, kapitullova.

U transferuat në shtëpinë e tij në Leeds. Si u ndjetë kur hytë në të njëjtën shtëpi që i përkiste Janinës, dashurisë së madhe të Baumanit?
Gjeta një dhomë të mbushur me letra, kartolina dhe libra të Janinës, por edhe unë kisha nevojë për hapësirën time. Kështu që i vura mënjanë gjërat e saj. “Dëgjo mirë”, më tha Zygmunt, “Janina nuk është më këtu. Këtu tani je ti.” Ndoshta për të më dhënë më shumë siguri më tha se kishte parë Janinën në ëndërr që i kishte uruar mirëseardhjen në shtëpinë e tyre. Për mua nuk ishte e lehtë. Nuk ishte e lehtë të zëvendësoja Janinën krah tij dhe nuk ishte e lehtë të merrja rolin e gruas së Baumanit. Përpiqesha të mbroja identitetin tim dhe mbi këtë gjë Zygmunt bënte shumë shaka duke më kujtuar edhe një aspekt që nuk e njihja: pas pamjes së qetë, fshihja një natyrë luftarake. Luftoja për të ruajtur diversitetin tim, zakonet e mia, pavarësinë time.

Para disa kohësh mbajtët një leksion mbi dashurinë në Modena. Megjithëse në mënyrë indirekte, a flisnit aty edhe për veten tuaj?
Në mënyrë shumë indirekte, sepse bëhej fjalë për një leksion teorik.

Po ju pyes pasi ju thoni se “dashuria është bashkimi i dy zemrave: problemi qëndron në arritjen e ekuilibrit pas krijimit të një amalgame.” Ju ia arritët?
Nëse ia kemi dalë, kjo ishte falë përballjeve ndonjëherë edhe të tepruara që mund të degjeneronin në sherre. E mora vesh më vonë se edhe me Janinën Zygmunt kishte pasur një marrëdhënie luftarake.

Në atë leksion Baumani tha se dashuria është më shumë kënaqësia e të dhënit se sa e marrjes. Juve çfarë ju dha?
Një dhuratë të madhe, që bashkonte pasionin sentimanetal me sintoninë intelektuale. Zygmunt më pyeste shpesh nëse ndihesha e dashuruar dhe unë ia ktheja me zakonin e tij: preferoja që ta doja më shumë se të më donte. Deri në ditën e fundit stimulohesha nga interpretime origjinale.

Bauman e ndjente se po i afrohej fundi?
Po, e kishte këtë parandjenjë. Një ditë më kërkoi që të telefonoja tre vajzat e tij, si një ceremoni lamtumire. Mbrëmjen e Vitit të Ri, natën e fundit që kaluam bashkë, i kërkova të vallzonim siç bëmë në Bellagio. U çua në këmbë me mundim dhe duke ngritur gotën e shampanjës më tha: “Besoj se ky vit do të jetë shumë i shkurtër”. Vdiq nëntë ditë më vonë./Përkthyer nga Erjon Uka, botuar fillimisht në “Blogu i rërës” në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.