Blog
Evolucioni i politikës, arroganca në parlament dhe rasti i De Gasperit

Evolucioni i politikës, arroganca në parlament dhe rasti i De Gasperit

Në fillim suksesi në politikë arrihej me muskuj, më vonë me ide. Sot rëndësinë e ka marrë spektakli…

Nga Erjon Uka/ Në fillim suksesi në politikë arrihej me muskuj, më vonë me ide. Sot rëndësinë e ka marrë spektakli.

Me një jetë gati shekullore, Indro Montanelli është ndoshta figura më përfaqësuese e gazetarisë italiane. Madje edhe më shumë se kaq. Dëshmitar okular i ngjarjeve që nga lufta e Italisë në Shqipëri kur raportonte për Corriere della Sera, te krijimi i Republikës italiane, Bashkimit Europian, lëvizjet e 1968-ës e deri te krijimi i të ashtuquajturës “Republika e dytë”, shkroi historinë e vendit të tij që nga Roma e lashtë deri në ardhjen e Berlusconit.

Në gjashtë vëllime me titullin “Incontri” ai përshkruan edhe takimet me ata që bënë historinë e shekullit të kaluar: politikanë si Gomulka, Tito e Krushovi; industrialistë si Gianni Agnelli; regjisorë si Fellini e Rossellini, filozofë si spanjolli Jose Ortega apo artistë si Eduardo de Filippo. Por pa fshehur aspak ndjenjën e admirimit, një ndër përshkrimet më të bukura të Montanellit është për Alcide de Gasperin, demokristian, kryeministrin e parë të Republikës italiane që qëndroi në zyrë, ashtu si askush tjetër deri më sot, për tetë vite rresht e njëkohësisht një ndër krijuesit e Europës së bashkuar.

Ja si e përshkruan ai: “Kur në Dhomën e Deputetëve u bë sulmi i madh ndaj Paktit Atlantik, socialkomunistët mbajtën 160 diskutime. Alcide de Gasperi i dëgjoi thuajse të gjithë me shumë durim, me vëmendje, nga podiumi i qeverisë. Herë-herë merrte shënime, por kurrë nuk qeshi, nuk dha as shenja lodhjeje apo mërzie…”

E kur lexon këto rreshta, nuk mund të ndodhë ndryshe të mos mendosh për “lagjjen tonë” këtej. Ose ndryshe parlamentin. Aty ku dhurohen shfaqje, ku tregohen barcaleta, ku flitet nga vendi apo nga prapa krahëve, ku vihen kufiet apo filmohen video live, ku rrëzohen vazot e luleve apo gjuhet me vezë. Dhe këto nuk ndodhin për Paktin Atalantik, për Europën jo e jo. Një dreq e di se për çfarë. Më e rënda është se mungesa e interesit dhe e përqendrimit shfaqet dhe bëhet e dukshme me mënyra nga më ekstravagantet që pikë së pari synojnë poshtërimin e kundërshtarit. Prej kohësh parlamenti është kthyer në një “Big Brother”, jo si ai i Orwell-it te romani “1984”, por si ai që shihet në televizor. Gilman Bakalli, që e lexoja çdo herë me kënaqësi te Mapo, në një nga shkrimet e tij thoshte se nëse hiqen kamerat në Kuvend, menjëherë palët do të qetësohen, gjakrat do të shuhen e ka shumë më shumë mundësi që puna të vazhdojë rregullisht, ashtu siç duhet.

Dhe është e vërtetë. Mjafton të shohësh andej nga ora katër e pasdites, kur salla është e boshatisur dhe pas sherreve disa orëshe të “shefave”, u ka ardhur radha për të folur atyre që kanë regjistruar emrin. Aty është edhe momenti kur mbahen diskutimet më të mira (nga aq sa kanë mbetur në Kuvend që mund të bëjnë fjalime të mira), ku jepet ndonjë ide, ndonjë propozim: pa sharje, pa fyerje, pa kunja e nënqeshje. Pikërisht kur salla është thuajse bosh dhe vëmendja e publikut është në minimum: atëherë gjërat funksionojnë deri diku siç duhet të funksiononin.

E duke përshkruar edhe takimin në zyrën e tij, Montanelli tregon një tjetër aspekt që të bën të reflektosh. “Për De Gasperin nuk tregohen barcaleta, nuk tregohen ndodhi, nuk shpiken përkufizime… De Gasperi nuk frymëzon asgjë dhe asgjë nuk i ngjan… Por si mundet, përsëris, si mundet që ky njeri me këtë defekt të mrekullueshëm por pak të zakonshëm, të arrijë të na qeverisë?”, shkruan ai.

Sa shumë ka ndryshuar politika! Dikur “mjaftonte” që një lider të bënte punën e tij, të prodhonte ide e të kishte aftësinë dhe guximin për t’i zbatuar. Ndryshe nga sot, ku politika është shndërruar jo në atë ç’ka bën, por në atë çfarë tregon se bën, në një arenë ku spektakli po zë vendin kryesor. Jo vetëm te ne, megjithëse si gjithmonë tregojmë se jemi të parët për shembullin e keq. Mjafton vetëm të kujtoni skenat e Berlusconit, të shihni veprimet e Trumpit apo të mendoni për risitë e komunikimit që solli Obama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *