Montanelli
Punët me orare fleksibël prodhojnë jetë pa shtyllë kurrizore. Richard Sennett: Kapitalizmi po kthehet në sistem dominimi

Punët me orare fleksibël prodhojnë jetë pa shtyllë kurrizore. Richard Sennett: Kapitalizmi po kthehet në sistem dominimi

Tentojmë gjithmonë e më shumë të kërkojmë punë me orare fleksibël, me shpresën se do të jemi më të lirë. Por a është me të vërtetë kështu? Richard Sennett, sociolog, nga apartamenti i tij në Washington Square thotë se një jetë e tillë do të prodhonte një sërë eksperiencash të ndara nga njëra-tjetra, pa një lidhje logjike. Ose e thënë më troç, qenie njerëzore pa shtyllë kurrizore. Mund të duket shumë pesimiste, të tilla ishin edhe parashikimet e tij përpara krizës së vitit 2007 kur askush nuk ia vinte veshin. Por dolën të vërteta, sepse me monopolet kapitalizmi rresht së qeni sistemi i konkurrencës dhe kthehet në sistemin e dominimit.

Thotë se nuk do të dalë kurrë në pension, megjithëse para pesë vitesh ka pësuar një infarkt. Prej asaj kohe ka nisur dietën duke humbur në peshë, por nuk ka reshtur së piri kafe dhe as së shkruari. Madje vazhdon të luajë në piano, pasioni i tij i rinisë, atëherë kur Hannah Arendt e përgëzoi në Universitetin e Çikagos.

Si është e mundur që gjëra të cilat më parë quhen të drejta, sot shihen si privilegje?
Kapitalizmi modern funksionon duke kolonizuar perceptimin që njerëzit kanë për gjërat e mundshme. Marksi e kishte kuptuar me kohë se kapitalizmi nuk ishte fort i lidhur me ndarjen e punës se sa me përvetësimin e gjësë së përbashkët. Facebook ishte rasti i fundit i përvetësimit të perceptimit tonë: ajo që shihej si diçka e dobishme, tashmë u zbulua si një mënyrë për të manipuluar mendjen e njerëzve para se të veprojnë. Institucionet që e shitën veten si liberale, u kthyen shpejt në instrumente kontrolli. Në emër të lirisë, Google dhe Facebook po na çojnë në rrugën e kontrollit absolut.

Por si mund të identifikojmë rreziqet e teknologjive të reja pa u transformuar në paranojakë që dyshojmë në gjithçka?
Duhet të hetojmë për atë që na shitet si e vërtetë. Është pikërisht ajo që bëjmë ne shkrimtarët dhe artistët. Unë nuk dyshoj. Të dyshosh implikon ekzistencën e diçkaje të errët dhe unë nuk besoj se Facebook ka ndonjë gjë të errët. Është shumë e qartë, por ne nuk duam të shohim. Nuk duam ta pranojmë faktin se çfarë është falas është gjithmonë një formë dominimi.

Esetë tuaja lexohen ndryshe pas falimentimit të Lehman Brothers.
Pas shpërthimit të asaj flluske, shitjet e librit tim “Kultura e kapitalizmit të ri” arritën majën. Deri atëherë kritikat ndaj rendit ekonomik quheshin si dokrra nostalgjikësh. Shumë prej gjërave që ndodhin janë aq të pabesueshme sa edhe ne tentojmë të mos i besojmë, edhe pse i kemi para syve.

Çfarë mund të bëjnë sot politikanët për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve përballë presioneve të fuqive ekonomike?
Këtë e shpjegon historia. Njëqind vjet më parë, Theodore Roosevelt vendosi që shteti duhej të shkatërronte monopolet. Ishte konservator, por ishte presidenti i gjithë amerikanëve. Kapitalizmi ka tendencën për të kaluar lehtësisht nga tregu te monopoli. Dhe pikërisht aty, me shtypjen e konkurrencës, nisin problemet e mëdha. Me monopolet kapitalizmi rresht së qeni sistemi i konkurrencës dhe kthehet në sistemin e dominimit.

Në librin “Njeriu fleksibël” ju tregoni hidhni poshtë bindjen e gabuar se fleksibiliteti në punë do të përmirësojë cilësinë e jetës. Ç’lloj jetësh do të sjellin Uber apo Deliveroo?
Jetë pa shtyllë kurrizore. Do të prodhojnë njerëz që nuk arrijnë të ndërtojnë një bashkësi harmonike eksperiencash jetësore. Ne, qeniet njerëzore, kemi nevojë të kemi historitë tona personale, kemi nevojë për një shtyllë kurrizore.

Si e shihni të ardhmen e studentëve tuaj?
Përpiqem t’u heq nga koka idenë se jeta intelektuale varet nga universiteti. Në çfarëdolloj profesioni një njeri mund të ketë një jetë intelektuale aktive. Është thelbësore që gjithkush të jetë i vetëdijshëm për kapacitetin e tij intelektual.

Ju nuk dukeni shumë teorik. Si sociolog merreni më shumë me punët në fusha se sa me statistikat. Flisni për njerëzit me emër e mbiemër…
Gjithmonë i kam pasur rrënjët në antropologjinë e jetës së përditshme. Kjo gjë shihej me dyshim nga eksponentët më të rëndësishëm të shkollës së Frankfurtit në vitet ’30, përveç Benjaminit, i cili përdorte eksperiencat personale për të kuptuar problemet e botës. Prandaj e përçmonin në shkollën e Frankfurtit dhe e vetmja që e mbrojti ishte Hannah Arendt.

Ju konsideroheni si dishepull i Arendt.
E njoha në vitin 1959. Grupi im po luante kuartetet e Bartokut në Universitetin e Çikagos dhe në fund të shfaqjes, një grua e imët hipi në skenë dhe na përgëzoi. Na tha se e kishte njohur personalisht Bartokun. Më pas zgjodha kursin e saj të estetikës dhe e urreva estetikën. Mendoj se e kam zhgënjyer: ndoshta për mua ajo ka përfaqësuar shumë më shumë nga sa unë për të.

E çfarë përfaqëson Arendt për ju?
Ka qenë një gur krahasimi intelektual në rrugëtimin tim. I tregova fillimet e librit tim “Rënia e njeriut publik” dhe më tha se i ishte dukur i tmerrshëm… Kishte marrëdhënie më të mira me njerëz që filozofikisht ishin më të sofistikuar se unë. Prandaj them se ndoshta marrëdhënia jonë është mbivlerësuar. Do të më pëlqente të isha dishepulli i saj, por nuk mendoj se jam.

A është kreativiteti i rëndësishëm për çdo profesion?
Po. Në sociologji, të jesh kreativ do të thotë të kesh një zë tëndin. Por dikush mund ta ketë zërin e tij vetëm kur i flet dikujt: zëri vetjak nuk hyn në punë për t’i folur vetes./Richard Sennett është sociolog dhe aktualisht profesor në London School of Economics. Autor i më shumë se njëzetë librave, ka fituar shumë çmime ndërkombëtare për mendimin e tij që kryesisht është influencuar nga Hannah Arendt. Artikulli origjinal është botuar në gazetën spanjolle “El Pais”, shqipëruar nga Erjon Uka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *