Borges
Të mos biesh pre e teorive të konspiracionit

Të mos biesh pre e teorive të konspiracionit

Nga Yuval Noah Harari/ Teoritë e konspiracionit mund të marrin përmasa dhe shije të ndryshme, por forma më e zakonshme është ndoshta ajo e “komplotit global”.

Në një kërkim të kohëve të fundit, zhvilluar me 26 mijë individë në 25 vende, pyetja ishte nëse besonin në ekzistencën e “një grupi të vetëm njerëzish, që së bashku kontrollojnë në mënyrë sekrete ngjarjet që ndodhin dhe dominojnë botën.” 37% e amerikanëve u përgjigjën se një pohim i tillë korrespondonte “me siguri ose me shumë mundësi me të vërtetën”. Po kështu deklaruan 45% e italianëve, 55% e spanjollëve dhe 78% e nigerianëve.

Sigurisht që teoritë e komplotit nuk u shpikën nga QAnon por qarkullojnë prej mijëra vitesh. Disa prej tyre madje kanë pasur një ndikim shumë të madh në histori. Le të marrim për shembull nazizmin, që zakonisht nuk shihet si një teori komploti: që kur arriti të merrte nën kontroll një shtet të tërë dhe të shkaktonte Luftën e Dytë, tentojmë ta përkufizojmë si një “ideologji” të së keqes.

Por në të vërtetë, nazizmi ishte një teori globale komploti e bazuar në një gënjeshtër antisemite: “Një rrjet i ndërlidhur financierësh hebrenj dominon në mënyrë sekrete botën duke komplotuar për zhdukjen e racës arjane. Kanë sajuar revolucionin bolshevik, komandojnë demokracitë perëndimore dhe kanë nën kontroll bankat dhe mjetet e komunikimit. Vetëm Hitleri ia doli të mos mashtrohej nga gjithë truket e tyre dhe vetëm ai mund t’i ndalojë duke shpëtuar racën njerëzore.”

Të kuptojmë strukturën që ndodhet në bazë të teorive të tilla konspiracionesh globale mund të shpjegojë magjepsjen e pabazuar që ato shkaktojnë.

Struktura

Teoritë e konspiracionit global besojnë se pas ngjarjeve që shohim në botë, të cilat ia lënë vendin njëra-tjetrës, ndodhet një grup i vetëm me synime të mbrapshta. Identeteti i këtij grupi mund të ndryshojë: ka nga ata që besojnë se bota kontrollohet nga masonët, nga shtrigat apo satanistët, por ka edhe nga ata që besojnë se bota është në duar të jashtëtokësorëve, njerëzve zvarranikë apo bandave të hardhucave.

Por struktura bazike është gjithmonë e njëjta: ky grup kontrollon thuajse gjithçka dhe në të njëjtën kohë e fsheh pushtetin e tij. Teoritë e konspiracionit kënaqen në ndërthurjen e të kundërtave. Sipas teorisë naziste të konspiracionit, komunizmi dhe kapitalizmi ishin në dukje armiq të papajtueshëm. A nuk është kështu? Jo! Por është pikërisht kjo që konkregacioni hebraik kërkon që njerëzit të besojnë.

Tërheqja

Teoritë e konspiracionit janë në gjendje të krijojnë shumë ndjekës, së pari sepse ofrojnë një shpjegim unik dhe të qartë për një pafundësi procesesh komplekse. Kërkesat tona vazhdimisht tronditen nga luftërat, revolucionet, krizat dhe pandemitë. Por nëse besojmë në një teori globale konspiracioni mund të ndihemi të qetë me faktin se arrijmë të kuptojmë çdo gjë.

Lufta në Siri? Nuk kam nevojë të studioj historinë e Lindjes së Mesme për të kuptuar se çfarë ndodh në atë vend. Gjithçka bën pjesë në komplotin e madh. Zhvillimi i teknologjisë 5G? Nuk më duhet të bëj ndonjë kërkim fizike mbi valët radio, është konspiracioni. Pandemia dhe Covid-19? Nuk ka të bëjë fare me ekosistemet, me lakuriqët e natës dhe viruset. Bëhet fjalë qartësisht për komplotin.

Teoria e konspiracionit global më ofron një çelës leximi për të kuptuar gjithë misteret e botës dhe gjithashtu më bën pjesë e një rrethi të veçantë njerëzish: ata që e kanë kuptuar se ç’po ndodh. Më bën më dinak dhe më të ndriçuar se sa një qytetar mesatar, por gjithashtu më ngre më lart se elitat dominuese: profesorët, gazetarët, politikanët. Unë jam në gjendje të shoh atë ç’ka ata nuk kanë arritur ta kuptojnë, ose që qëllimisht përpiqen ta fshehin.

Kufizimet

Teoritë e konspiracionit bien pre e të njëjtit mëkat fillestar: prezumimi se historia është shumë e thjeshtë. Premisa e tyre bazë është se manipulimi i botës është një gjë relativisht e thjeshtë dhe se një grup i ngushtë njerëzish janë në gjendje të kuptojnë, të parashikojnë dhe të kontrollojnë çdo gjë.

Ky grup kupton luftërat, revolucionet teknologjike dhe pandemitë, dhe gjithashtu ka aftësinë për të parashikuar atë që do të ndodhë në tavolinën globale të shahut me dhjetë lëvizje paraprake. Por bota, natyrisht, është më e ndërlikuar.

Le të marrim për shembull pushtimin amerikan të Irakut. Në vitin 2003, ajo që për kohën ishte superfuqia e vetme globale, pushtoi një vend të Lindjes së Mesme me përmasa mesatare, duke thënë se donte të asgjësonte armët e shkatërrimit masiv dhe t’i jepte fund regjimit të Saddam Hussein. Kishte nga ata që dyshonin se Shtetet e Bashkuara nuk do ta përbuznin mundësinë për të shtrirë hegjemoninë e tyre në rajon dhe të merrnin kontrollin e depozitave irakene të naftës. Për të arritur këto objektiva, Shtetet e Bashkaura mobilizuan ushtrinë më të mirë në botë dhe harxhuan miliarda dollarë.

Kanë kaluar shumë vite prej atëherë, e cili është rezultati i atij operacioni imponues? Një flluskë totale. Armët e shkatërrimit masiv nuk ekzistonin dhe vendi ra në kaos. Fituesi i madh i atij konflikti ishte Irani, që u konfirmua si fuqia mbizotëruese e rajonit. Do të na duhet prat ë arrijmë në përfundimin që George W. Bush deh Donald Rumsfeld ishin në të vërtetë spiunë të kamufluar iranianë, që ishin ngarkuar me detyrën për të çuar përpara një plan djallëzor dhe të zgjuar Iranian? Sigurisht që jo.

Përfundimi është që parashikimi dhe kontrolli i sjelljeve njerëzore është pabesueshmërisht i vështirë. Dhe nuk ka nevojë të pushtosh një vend në Lindjen e Mesme për ta mësuar këtë leksion. Në qofshi anëtarë të një këshilli studiuesish apo të një këshilli bashkiak, ose thjesht keni tentuar të organizoni një festë surprizë në ditëlindjen e nënës suaj, me siguri do ta keni kuptuar se sa e vështirë është të kontrollosh qeniet njerëzore. Organizo diçka dhe të kthehet kundër. Përpiqu të mbash një sekret dhe të nesërmen do të jetë në gojën e të gjithëve. Beso në një mik të afërt dhe në momentin kur nuk e pret ai të vë thikën pas shpine.

Teoritë e konspiracionit kanë për qëllim të na bëjnë të besojmë se teksa të parashikosh dhe të kontrollosh sjelljen e mijëra njerëzve, ose fundja vetëm njëqind të tillëve, qenka një gjë shumë e vështirë, të shpjegosh çdo gjë për tetë miliardë njerëz qenka shumë më e thjeshtë.

E vërteta

Në botë ekzistojnë sigurisht shumë komplote të vërteta. Indivitë, koorporata, organizata, kisha dhe qeveri organizojnë dhe ndjekin vazhdimisht komplote. Është kjo që e bën kaq të vështirë parashikimin dhe kontrollimin e botës në paqartësinë e saj.

Në vitet ’30, Bashkimi Sovjetik komplotonte vërtetë për të ndezur kudo revolucione komuniste. Bankat kapitaliste ndërmerrnin çdo lloj strategjie në prapaskenë që kjo të mos ndodhte. Por këto komplote, dhe shumë të tjera, ndesheshin mes tyre dhe nuk ekzistonte një grup i vetëm njerëzisht që drejtonin spektaklin.

Edhe sot me shumë mundësi jeni dëshmitarë të llojeve të ndryshme të komploteve. Kolegët tuaj ndoshta kërkojnë t’ju vënë kundër një shefi. Një koorporatë e madhe farmaceutike ndoshta kërkon të korruptojë mjekun tuaj për ta bërë që të këshillojë opiume të rrezikshme. Ndonjë gjigant teknologjie po kërkon të marrë të dhënat tuaja personale. Mund të bëhet fjalë për komplote të vërteta, por nuk janë të gjitha në një dorë.

Mund të ndodhë që një koorporatë, një parti politike apo një diktator të arrijë të kapë një pjesë të konsiderueshmë të pushteteve globale. Por kur kjo ndodh, është thuajse e pamundur që të rrijë në heshtje. Pushteti i madh është edhe i dukshëm. Madje në shumë raste, vizibiliteti i lartë është një parakusht për të marrë shumë pushtet.

Bindja se asnjë grup nuk mundet që i vetëm dhe në heshtje të marrë nën kontroll fatin e gjithë botës nuk është vetëm bindja e duhur, por edhe pikë force. Na lejon në fakt të identifikojmë fraksionet e ndryshme që përballen mes tyre në botën tonë dhe të marrim anën e njërit apo të tjetrit. Politika, në fund të fundit, kjo është!

*Yuval Noah Harari është autor i librave “Sapiens, një histori e shkurtër e njerëzimit” dhe “Homo Deus, një histori e shkurtër e së nesërmes” dhe “21 leksione për shekullin e 21”. Është profesor në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka. 

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *