Paradokset e zgjedhjeve: të kesh më shumë mundësi, jo gjithmonë është më mirë
Nga Barry Schwartz/ Kam bërë kërkime të gjata, shumë testime dhe eksperimente dhe kam shkruar një libër mbi “zgjedhjen” për të kuptuar pse në një botë që na ofron kaq shumë ekziston një nivel kaq i lartë depresioni, pakënqësie dhe vetëvrasjesh.
I quajnë të këqija moderne, të këqijat e mirëqenies. Dhe ajo që kam zbuluar është vërtetë shumë interesante. Prandaj dua të flas duke u nisur nga ajo që unë e quaj “dogma zyrtare”. Arsyetimi qëndron në faktin se liria në vetvete përbën një vlerë, ajo është e çmuar, e dobishme, thelbësore për qeniet njerëzore.
Por ana tjetër lidhet me faktin se jemi të lirë, secili prej nesh mund të veprojë për llogari të tij në bërjen e gjithçkaje që mund të maksimizojë mirëqenien personale. Mënyra për të maksimizuar lirinë është maksimizimi i zgjedhjes. Sa më shumë zgjedhje kanë njerëzit, aq më të lirë janë dhe sa më e madhe liria e tyre, më e madhe është edhe mirëqenia.
Kjo besoj se është aq shumë e rrënjosur në shoqëri sa asnjë nuk do të ëndërronte ta vinte në dyshim. Dua të përmend disa shembuj të asaj se çfarë ka bërë të mundur progresi.
Në supermarketin tim, që nuk është shumë i madh, ka 175 përbërje me shije të ndryshme për sallatat, pa numëruar 10 varietetet e vajit ekstra të virgjër dhe 12 uthullat balsamike që mund të blihen për të përgatitur një numër të madh sallatash, në rastin më të keq nëse asnjë prej 175 shijeve nuk ju pëlqen. Ja si është supermarketi.
Pastaj shkoni në dyqanin e pajisjeve elektronike për të blerë një stereo me kaseta, me lexuesin CD, me radio, amplifikator. Dhe pikërisht në këtë dyqan të vetëm elektronike ka një numër të madh përbërësisht audio; mund të realizojmë gjashtë milionë e gjysmë kombinime duke përdorur komponentët që gjenden në vetëm një dyqan. Duhet ta pranojmë se ka shumë zgjedhje.
Çfarë nënkupton kjo liri e pabesueshme zgjedhjeje që kemi?
Do të thotë se na duhet vazhdimisht të marrim vendime, në çdo moment. A duhet të punojmë apo jo? Mund të shkojmë për të parë djalin teksa luan futboll me një celular në njërin xhep, me celularin tjetër në xhepin tjetër dhe me një notebook në gjunjë.
Pra, nga cilado anë ta shohim, për gjëra të mëdha a të vogla apo për objekte materiale ose stile jete, jeta është çështje zgjedhjesh.
Anët pozitive i njohim të gjithë, prandaj do të flas për ato negative. E gjithë kjo mundësi për zgjedhje shkakton dy efekte negative te njerëzit. I pari është paradoksal dhe prodhon paralizë në vend se të prodhojë liri. Me kaq shumë mundësi për të zgjedhur, bëhet shumë e vështirë të kryesh një zgjedhje. I dyti është se edhe nëse arrijmë të shmangim paralizën dhe të bëjmë një zgjedhje, në fund jemi më pak të kënaqur nga rezultati nga sa do të ishim nëse do të kishim më pak opsione për të zgjedhur. Kjo ndodh arsye të ndryshme.
Një prej tyre është se, për shembull, mes aq shumë përgatitjesh me shije të ndryshme, nëse blini njërën dhe nuk është perfekte, lehtësisht mund të imagjinohet se po të kishit bërë një zgjedhje tjetër do të ishte më mirë. E kështu pendohemi për zgjedhjen e bërë.
Për më tepër, kemi të bëjmë edhe me atë që ekonomistët e quajnë kosto-mundësi. Vlera që u japim gjërave varet nga ato me të cilat i krahasojmë. Mbi të gjitha, kur ka kaq shumë mundësi zgjedhjeje, është e lehtë të përfaqësohesh me karakteristikat tërheqëse të alternativave të refuzuara dhe të jesh më pak i kënaqur me opsionin që ke zgjedhur.
Pra e thënë shkurt, me gjithë këto zgjedhje, ndihemi më keq. Po atëherë, a ishim më mirë kur ishim më keq?
Dua të them se të kënaqesh me zgjedhjen e bërë nuk është domosdoshmërish diçka e keqe. Sepse një pasojë e blerjes së një palë xhinsesh të parehatshme kur në dyqan ndodhen vetëm ato palë, është se kur nuk jeni të kënaqur dhe pyesni se cili është përgjegjës, përgjigja është e qartë: Bota është përgjegjëse. E çfarë mund të bëni ju?
Kur ka qindra lloje xhinsesh dhe blini një palë për të cilat nuk jeni të kënaqur, teksa pyesni veten se cili është përgjegjës, është e qartë se përgjegjësi jeni ju. Mund të kishit bërë një zgjedhje më të mirë. Me qindra lloje në dispozicion, nuk ka justifikim për dështimin. Kështu që kur njerëzit marrin vendime, edhe nëse rezultati është i vlefshëm, ndihen sërish të pakënaqur dhe fajësojnë veten.
Në vitet e fundit depresioni ka shpërthyer në botën e industrializuar. Besoj se një faktor domethënës – jo unik, por i rëndësishëm – i kësaj vale depresive ka të bëjë me faktin se njerëzit pësojnë shumë zhgënjime sepse standardet janë tepër të larta dhe kur duhet t’i japin shpjegim kësaj situate, mendojnë se është faji i tyre.
Kështu që rezultati përfundimtar është se në përgjithësi jemi më mirë, por ndihemi më keq. Kjo është dogma zyrtare, ajo që të gjithë e kuptojmë si diçka pozitive por në fakt është e rreme. Nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë dyshim se disa mundësi zgjedhjesh janë më mirë se asnjë mundësi zgjedhjeje, por rrjedhimi i kësaj nuk do të thotë se sa më shumë mundësi zgjedhjesh të kemi aq më mirë është.
Ka një vlerë kritike, magjike. Nuk e di se cila është saktësisht. Por jam mjaft i sigurt se e kemi tejkaluar goxha nivelin në të cilin mundësitë e zgjedhjeve përmirësojnë jetën tonë.
*Barry Schwartz është psikolog amerikan, i cili është pedagog në disa universitete në SHBA. Vazhdimisht publikon editoriale në “New York Times” dhe kryen kërkime në fushën e psikologjisë mbi ngjarjet aktuale. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.
Publikuar në Tiranapost.al