Blog
Informacione gënjeshtare

Informacione gënjeshtare

Nga Erjon Uka/ Javën e shkuar, Wikipedia mbushi 20 vjeç. Me siguri për këdo që kërkon vazhdimisht për materiale, interneti dhe Wikipedia mund të duken si sinonime të njëra-tjetrës, ndoshta e njëjta gjë, të pandashme. Aq të natyrshme duken rezultatet në Wikipedia, sa mendojmë se ajo ka qenë aty, gjithmonë. Se gjithmonë ka pasur një enciklopedi gjigante online, të hapur për të gjithë, me materiale që shfaqen brenda dy sekondash në gjuhë të ndryshme.

Përdoret nga të gjithë, por jo të gjithë e dinë si funksionon. Fundja ky është iluzioni i dijes, për të cilin edhe Wikipedia ka ndihmuar. Një fjalë e përbërë nga “wiki”, aplikacioni në web që lejon krijimin dhe modifikimin e faqeve brenda një website nga të gjithë përdoruesit, dhe nga “enciclopedia”, me synimin për të qenë e aksesueshme nga të gjithë, kudo.

Në fakt ky projekt u parapri nga një tjetër i ngjashëm, por i pasuksesshëm. Dy themeluesit e Wikipedia, Jimmy Wales dhe Larry Sanger krijuan “Nupedia”, e cila u shfaq online në marsin e vitit 2000, por pa sukses: kjo platformë parashikonte që të gjithë artikujt do të duhej të rishikoheshin nga ekspertët e fushave përkatëse, gjë që rezultoi në një proces të avashtë dhe të pa fryte, me vetëm 24 artikuj të publikuar në tre vite.

Eksperiza kërkon përgjegjësi, përgjegjësia kërkon kohë, koha në një botë klikimesh nuk është aleati më i fortë. Pse është e suksesshme Wikipedia, na vjen në formë mësimi se edhe informacioni nuk e ka luksin të jetë i selektuar, por në mënyrë që të shpërhapet duhet të ketë trajtat e mallrave masivë të konsumit. Prandaj në janar të vitit 2001, Wales dhe Sanger vendosën ta provonin ndryshe: një platformë e përbashkët, me informacione që mund të përditësohen nga vetë përdoruesit duke krijuar një enciklopedi gjigante mbi bazën e vullnetarizmit.

Dhe Wikipedia ka ndikuar jo pak në mënyrë e përhapjes së informacionit në internet. Dikur, shqëtësimi më i madh ishte të mbaje mend gjëra. Sot, çështja kryesore është të kuptosh pse-në pas diçkaje, duke qenë se informacioni është kudo.
E megjithatë, niveli i injorancës (ose i padijes, për ta thënë në një mënyrë disi më të gëlltitshme për të gjithë ne) vazhdon e mbetet i lartë. Kjo sepse legjenda e informacionit kudo e në çdo kohë është ngritur mbi bazën e një keqkuptimi: ne kemi shtuar mundësinë për t’iu qasur informacionit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi rritur nivelin e dijes për të gjithë ata që interesohen për atë informacion.

Ne një mjedis virtual ku vëmendja e plotë e një personi ndaj një materiali zgjat jo më shumë se 9 sekonda, është e vështirë të besosh se çdo informacion i kërkuar është një informacion i mësuar.

Steven Sloman dhe Philip Fernbach në librin e tyre “Iluzioni i dijes” me plot shembuj të situatave reale në demaskimin e padijes, japin një që është ndër më të thjeshtë: njerëzve u kërkohet të përgjigjen nëse e kuptojnë funksionimin e zinxhirit dhe ata thonë me bindje se sigurisht që e kuptojnë fare mirë, pasi është ndër gjërat që hasin më shpesh gjatë përditshmërisë. Por kur u kërkohet të shpjegojnë hap pas hapi si është i ndërtuar dhe si funksionon mekanizmi i zinxhirit, thuajse asnjë nuk ia kishte idenë.

Është pikërisht ky iluzioni i dijes që i karakterizon njerëzit. Dija njerëzore nuk funksionon mbi baza individuale, por mbi baza kolektike. Asnjëherë nuk fillon nga zero, por nis gjithmonë me supozime mbi atë që të tjerët dinë. Kështu, në mënyrë të pavullnetshme, në çdo situatë i trajtojmë dijet e të tjerëve sikur të ishin edhe tonat. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa sasia e informacionit që ne disponojmë është shumë herë më e vogël se e gjithë dija njerëzore. Ne nuk i shpikim nga fillimi zjarrin, rrotën, vidat, motorët, çadrat, lentet zmadhuese, pompat, por i përdorim dhe i përsosim më tej, megjithëse rrallë herë ndodh të dimë mënyrën e funksionimit.

Iluzioni i dijes është një gjendje njerëzore, për sa kohë që njeriu mbetet kafshë sociale, por interneti ka fuqinë për ta amplifikuar këtë tendencë, ka fuqinë e prodhimit të kompetentëve të mëdhenj në komentet e rrjeteve apo të prodhojë dijetarë të rinj për një çështje të caktuar me kushtin e 30 sekondave kohë për të kërkuar në Google. Por në shumësinë e problematikave sot, iluzionarët mund të jenë një bombë me sahat në çdo kohë. Ata e kanë përgjigjen për çdo gjë, plot vetëbesim e të sigurt.

Gjithsesi, Wikipedia mbetet prej gjërave më të mira të internetit, mbi 6 milionë artikuj në qindra gjuhë dhe dialekte dhe përpos të gjithave, duke mbajtur premtimin e fillimit: është dhe do të jetë falas gjithmonë. Por dija krijohet përtej një informacioni në pak rreshta. E këtë dallim duhet ta bëjmë, për të mos pasur iluzione.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *