Mendel
Bota pas virusit e rishpikur nga fëmijët

Bota pas virusit e rishpikur nga fëmijët

Pas një udhëtimi në Azi, në vitin 2015 Niccolo Ammaniti botoi romanin “Ana”. Një histori distopike, për një virus që vjen nga Belgjika e kursen vetëm fëmijët. Por a shpëtohet bota nga fëmijët?

Erjon Uka/ Një virus mbush trupat me njolla të kuqe. Bllokon frymëmarrjen. Përhapet me shpejtësi në Europë. Nën raportimin e ftohtë të kronikave të lajmeve, mbisunduese është indiferenca e njerëzve. Për ta, virusi është i largët dhe i pakuptueshëm. Por nuk do shumë kohë që secili ta provojë në lëkurën e vet. Virusi, i njohur si “E kuqja”, kalon pragjet për t’u shumuar në organizmat e species njerëzore. Shumë shpejtë gjithë sa mbetet janë pirgje kufomash në rrugë. Qytetet bien nën pushtetin e kaosit. Të vetmit që mund t’i shpëtojnë virusit, janë fëmijët. Dhe kafshët.

Jetojmë në një kohë të ngjashme ku tashmë jo vetëm virusi, por edhe mutacionet e tij po përhapen me shpejtësinë që më parë ua atribuonim valëve apo rrezeve të dritës. Megjithatë përshkrimi i mësipërm nuk i përket ndonjë ndodhie aktuale. Është thjesht një përmbledhje telegrafike dhe e thatë e romanit distopik “Ana” të shkrimtarit italian Niccolo Ammaniti. Nuk është ekzagjerim i fantazisë nisur nga situata aktuale dhe i shkruar gjatë javëve të karantinimit të detyruar, siç ndodhi me shumë libra që tashmë po zënë raftet e para te librarive, por është botuar që në vitin 2015 në Itali. Këtë vit ka ardhur edhe në shqip.

Niccolo Ammaniti, i njohur për historitë e tij ku në qendër të krijimit vihen fëmijë, nuk merr përsipër të bëjë analizën sociologjike a ekonomike të një shoqërie të shkatërruar nga virusi. Siç tregon edhe vetë në një intervistë, romani është finalizimi i një dëshire të kahershme për t’iu përgjigjur pyetjes se ç’do të bënin fëmijët në një botë ku gjenden vetëm ata? Virusi i shërben shkrimtarit si një gjetje artistike për të kryer një seleksionim natyror, gjë që nuk ia mundëson as tërmeti, përmbytja e as shpërthimi i bombave: virusi prek vetëm të rriturit, ndërsa kursen fëmijët gjer në prag të pubertetit. Jeta e re zhvillohet brenda katërmbëdhjetë viteve, ku në skajet e kësaj periudhe njerëzit lindin, jetojnë dhe vdesin. Fundja, nuk ka rëndësi sa zgjat jeta, por sa e jeton, apo jo?!

Ngjarja në roman zhvillohet në Siçili, ku dy prindërit e Anës kanë vdekur, e asaj i duhet të kujdeset për vëllain e vogël, Astorin. E ndihmon Libri i Gjërave të Rëndësishme, që e ëma, në të gjallë e prekur nga virusi dhe me bindjen se vdekja është stacioni më i afërt, i lë një bllok me shënime e me këshilla të domosdoshme që duhet t’i zbatojnë në mungesë të saj.

Me një gjuhë të drejtpërdrejtë të Niccolo Ammanitit dhe me një shqipërim të gjallë të Agim Doksanit në botimin shqip, lexuesi bëhet pjesë e rënies së rendit shoqëror në Siçili, teksa televizorët që ndërprenë raportimet dhe edicionet e lajmeve, u fikën përfundimisht nga mungesa e elektricitetit. Dyqanet ndanë rrugëve u shkatërruan, raftet u zbrazën, mbi shtrate e kolltuqe kanë mbetur kufomat e të rriturve të prekur nga E kuqja, ndërsa paraja e ka humbur vlerën e saj: për një pako me antibiotikë që i duhen Astorit, nuk vlejnë kartmonedhat por një CD me këngët e Massimo Ranierit. Një sistem social ka rënë, një tjetër në grahmat e të parit tenton të ngrihet mes kaosit dhe tmerrit.

Në çdo fatkeqësi ekzistojnë ata që kërkojnë të ndihmojnë në rimëkëmbje dhe ata që kërkojnë të përfitojnë nga situata. Ky antagonizëm shoqëron shumë prej pasazheve tek “Ana”, ndërsa i lexuar nën optikën e momentit që po kalojmë, të ndrydhur e të brishtësuar nga një virus i ardhur jo nga Belgjika si në roman, por nga një treg kafshësh në Azi, na konfirmohet edhe një herë se ne njerëzit e kemi të vështirë të mësojmë nga historia.

Ammaniti përshkruan përhapjen e virusit, indiferencën shoqërore, apatinë qeveritare, më pas mutacionet e shpeshta të tij, pamundësinë për krijimin e një vaksine, me rendin shoqëror të shkatërruar dhe të ardhmen e pasigurtë. Dhe kur sheh aktualitetin e parashikuar, sigurisht në mënyrë artistike në një roman të shkruar gjashtë vite më parë, se përputhet me aktualiteitn e jetuar, verbëria njerëzore e mbrujtur në kokëfortësinë patologjike bëhet e pakundërshtueshme.

Nëse romani është sintezë e një përpjekjeje, titulli i thjeshtë është mesazh për një përpjekje mbinjerëzore për të qëndruar njeri edhe në kushtet kur pak njerëzore ka mbetur përqark. Kjo është historia e Anës trembëdhjetë vjeçare, e Astorit dhe e Ledhatarit, qenit të egër që simbolizon shumë në këtë ngjarje intensive të një romani distopik, shumë i ndryshëm nga romanet e “jetës së ëmbël” italiane.

Është historia e fëmijëve, të nënvlerësuarit e mëdhenj të çdo epoke, por që janë në gjendje t’ia dalin edhe në situatat apokaliptike. Po aq mirë, e po aq keq. Pa iluzionet e pafajshmërisë, por me gjithë sa mbart njerëzorja brenda. Siç shkruante Gëtja në “Vuajtjet e djaloshit Verter”, “…Fëmijët, të barabartët tanë, të cilët ne duhet t’i marrim për shembull, ne i trajtojmë si të paskëshin qenë të nënshtruarit tanë. Ata s’duhet kurrësesi të kenë vullnetin e tyre! Po ne si, ne s’kemi vullnetin tonë? Përse ky privilegj? Apo vetëm ngaqë jemi më të mëdhenj e më dinakë nga ata?”

“Ana”, botuar në vitin 2021 nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Publikuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *