Përmbytjet dhe zjarret, për shpëtimin e natyrës nuk na duhen makinat elektrike
Një intervistë me Jonathan Franzen, shkrimtarin e njohur amerikan dhe shumë të angazhuar në çështjet mjedisore. Por ndryshe nga mendimi i përgjithshëm, Franzen thotë se për ta shpëtuar klimën do të na shërbente më shumë të menaxhonim pyjet e lëna prej një shekulli në harresë, se sa prodhimi i makinave elektrike.
Beteja është humbur, e kotë të këmbëngulim për ta mohuar. Jonathan Franzen nuk është aspak i lumtur për hakmarrjen nga realiteti, por vetë natyra nga Gjermania në Kanada, tregoi se katastrofat mjedisore janë para portave. Shpresa për t’i parandaluar duke kufizuar emetimet e gazrave është iluzion, megjithëse me qëllim të mirë dhe në çdo rast me dobishmëri.
Në vitin 2019 publikuat në “New Yorker” një ese me titullin “What If We Stopped Pretending?” ku kërkonit që të ndalej përpjekja për t’i dhënë fund ngrohjes globale duke zvogëluar emetimet. Pse?
Në qershor isha në një pyll pranë Berlinit që ishte shkatërruar nga zjarri. U stepa, sepse kuptova se ndryshimet klimatike po shfaqeshin përpara syve të mi. Intelektualisht e dija dhe më parë, por eksperienca emotive e atij ferri më shtyu që të jap mesazhin tim. Në shkrimet e mia të mëparshme kisha theksuar faktin se po ndodhnin gjëra të tjera në ambient, përveç ngrohjes globale, të cilave duhet t’u kushtonim vëmendje.
Ju kanë mbushur me kritika, duke ju akuzuar se po luani lojën e mohuesve.
Ka njerëz që kanë punuar mbi 30 vjet për klimën, duke i dedikuar karrierën e tyre tentativës për të bindur botën që të ndërmarrë një sërë veprimesh për kufizimin e karbonit në atmosferë, me qëllim shmangien e katastrofës. Kur i thua dikujt se ajo që ka bërë për 30 vjet është praktikisht një zero më bisht, tërbimi është një përgjigje natyrale njerëzore. Por pastaj ka edhe një dimension politik. Në dhjetëvjeçarët e fundit, beteja në SHBA zhvillohet mes demokratëve që i konsiderojnë ndryshimet klimatike diçka serioze dhe republikanëve, që hiqen sikur nuk ka asnjë problem. Por ta luftosh këtë betejë ka kuptim vetëm nëse mesazhi i demokratëve ndihmon në arritjen e një rezultati pozitiv. Nëse thua se është vonë dhe se tani nuk ka kuptim të ndeshemi me republikanët pasi shansin për të shmangur katastrofën e humbëm, është një pohim që nuk pranohet mirë politikisht.
Përmbytjet në Gjermani dhe zjarret në Kanada konfirmojnë faktin se kemi humbur?
Për shumë arsye po, ka motive shkencore. Së pari, efektet e karbonit që emetojmë në atmosferë kanë pasoja për dekada, në mos për shekuj. Kështu që temperaturat do të vijonin të rriteshin edhe nëse sot kalojmë në zero emetime. Pastaj ka efekte të tjera si shkrirja e akullnajave apo ndryshimet kimike në oqeane. Këto procese janë vënë në lëvizje dhe do të vazhdojnë, edhe nëse ndalojmë së ushqyeri ngrohjen globale me emetimet tona. Shkencëtarët thonë se kjo po ndodh më shpejt nga sa e kishin parashikuar, përtej skenarëve të rastit më të keq. Nëse do të kisha thënë në vitin 2000 që në vitin 2021 në British Columbia temperaturat do të shkonin në 45 gradë celcius, pak do të më kishin besuar. Situata është vërtet alarmante, një rrugë me gropa e me gunga e pret shoqrinë tonë.
Kur në vitin 2019 shkruat artikullin tuaj, në Shtëpine e Bardhë ishte Trump që e injoronte këtë emergjencë. Sot është Biden, që e ka kthyer në prioritet. A janë të kota politikat e tij?
Sigurisht që ka kuptim të bëjmë gjithë sa mundemi për të reduktuar emetimet. Edhe nëse do të arrinim thjesht një ngadalësim modest, do t’ia vlente përpjekja. Por unë kam dashur të tërheq vëmendjen drejt çështjes se ka kosto për të zhvilluar energjinë e rinovueshme. Njëra qëndron në faktin se përdoren burime, të cilat nuk janë të pafundme, nga puna që duhet bërë për të na kthyer në qenie më elastike përballë efekteve të klimës ekstreme. Nëse përqëndrohet gjithçka në ndryshimin margjinal të emetimeve të karbonit, neglizhohen probleme të tjera po aq të rëndësishme. Shqetësimi im në lidhje me drejtimin e Biden është se fokusi përqëndrohet në zgjidhjen e problemit klimatik, në vend se të përballej me faktin që ai ekziston dhe është prezent. Si partizan i botës natyrore, nuk është kjo që do të doja,. Kur flasim për krijimin e vendeve të reja të gjelbërta, nënkuptojmë zhvillimin masiv dhe të centralizuar të burimeve diellore dhe të erës. Do të kishte alternativa efektive, të tilla si panele diellore në çatitë e shtëpive, por ato nuk merren parasysh sepse nuk përshtaten në modelin ekonomik dhe politik të infrastrukturave të mëdha.
Parandalimi mbetet i dobishëm, por nuk zgjidh gjë?
Po. Jemi të përfshirë në një betejë për të ngadalësuar paksa ndryshimin e klimës, por jo për të pasur temperatura të menaxhueshme. Ndoshta mund të fitojmë disa vjet kohë, por duhet ta përdorim këtë kohë për të ndërtuar mbrojtjet e nevojshme për civilizimin tonë nga paqëndrueshmëria me të cilën gjithsesi do të përballemi.
Nëse qëllimet janë përshtatja dhe zbutja e efekteve, ka qasje të ndryshme. Cilin duhet të ndjekim?
Pas zjarreve të vitit të kaluar në Kalifori, ku u dogjën 3 milionë hektarë, përgjigja e guvernatorit ishte se brenda vitit 2035 do të kishim një flotë automjetesh tërësisht elektrike. Por me këtë ritëm, në vitin 2035 nuk do të mbeten më pyje për t’u mbrojtur. Do të investoja më pak në makinat elektrike, që ndoshta do t’i japin efektet margjinale pas tridhjetë vitesh, dhe do të investoja më shumë në menaxhimin e pyjeve të lëna pas dore prej një shekulli. Por kjo kërkon vullnet politik që nuk ekziston.
A nuk kërkon plane të mirëstrukturuara parandalimi i përmbytjeve si në Gjermani, që vetëm qeveria mund t’i bëjë?
Sigurisht. Nëse përdoren një trilion euro për ta bërë Europën Veriore më elastike ndaj përmbytjeve, prodhohet një rezultat i qëndrueshëm. Nëse këto para shpenzohen për të mbuluar kontinentin me impiante eolike dhe diellore, do të arrihet një reduktim i vogël në shkallë globale iemetimeve të karbonit. Çfarë do të preferonit? Unë do të zgjidhja rezultatin konkret dhe mendoj se njerëzit që vdiqën në Gjermani do ta kishin vlerësuar kontrollin më të mirë të përmbytjeve.
Nëse nuk e kuptojmë, a rrezikon civilizimi shkatërrimin?
Saktë. Mund të ndërtosh një mur për të përballuar dallgët në Miami, por në dhjetë vite do të jetë shkatërruar. Ndoshta duhet ngresh pyetjen nëse Miami është një vend i mirë për të qenë një qytet i madh, apo nuk do të ishte më mirë shpopullimi progresiv i Floridas jugore. Këto duhet të jenë diskutimet që duhet të kemi, por pengohen nga bindja e demokratëve liberalë se na duhen më shumë makina elektrike për të zgjidhur problemin.
Jeff Bezos bëri një xhiro në hapësirë, sepse mendon që njerëzimi duhet të përgatitet për një plan B.
Jam absolutisht pro vendosjes së Bezos në një planet tjetër, ku ai të jetojë pjesën tjetër të jetës së tij.
Një tjetër miliarder, Bloomberg, thotë se ne duhet të përqendrohemi në gjëra të qarta: temperaturat që rriten, ndotja që dëmton shëndetin, apo se tranzicioni ekologjik është gjithashtu i dobishëm ekonomikisht.
Në përgjithësi ai ka të drejtë, por kur vjen puna te paratë, pyetja shtrohet politikisht: kush do t’i mbledhë ato? Kompanitë e mëdha të energjisë, kompanitë e ndërtimit, apo kompanitë e vogla që instalojnë panele diellore? Fatkeqësisht, në botën e shtetit ndërhyrës dhe të biznesit të madh, fitojnë zgjidhjet e kapitalit të përqendruar, ndërsa ato që janë më lokale dhe më të ndjeshme eliminohen.
*Jonathan Franzen është ndër shkrimtarët më të suksesshëm amerikanë, i nderuar me shumë çmime letrare në SHBA dhe në Europë. Në shqip janë botuar romanet e tij “Purity” dhe “Liria”. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.
Publikuar edhe në Tiranapost.al