I kam bërë llogaritë: Mjafton numri 2 për të ndryshuar gjithçka
Nga Yuval Noah Harari/ Me rëndimin e krizës klimatike, sjellja e të shumtëve po zhvendoset nga mohimi më radikal në dëshpërimin më të pangushëllueshëm. Disa vite më parë, përballë ndryshimeve klimatike s’kishte të ngjarë të përballeshe me qëndrime mohuese, as me tendenca që synonin të minimizonin kërcënimin apo të thoshin se ishim shumë herët për t’u shqetësuar. Sot shumica thotë se është shumë vonë. Apokalipsi po vjen dhe s’kemi ç’bëjmë për ta ndaluar.
Dëshpërimi është po aq i rrezikshëm sa mohimi. Madje është po aq i rremë. Njerëzimi zotëron burime të mëdha dhe nëse dimë si t’i përdorim me mençuri, jemi ende në kohë për të parandaluar kataklizmën ekologjike. Por sa do të kushtonte saktësisht për të ndaluar shkatërrimin? Nëse njerëzimi do të donte të ndalonte ndryshimet klimatike, sa zero do të duhej të kishte fatura?
Siç edhe mund ta mendoni, askush nuk e di me siguri. Unë dhe grupi im i punës kemi punuar disa javë për të reflektuar mbi raporte dhe artikuj të ndryshëm shkencorë, të zhytur në re numrash. Por teksa modelet matematikore që përcaktojnë këto numra janë në mënyrë marramendëse të ndërlikuara, rrugëtimi te një ekonomi me zero karbon do të kërkonte shpenzimin e vetëm 2% të PBB-së vjetore globale, përveç asaj që tashmë shpenzojmë për sistemin tonë energjetik.
Në një sondazh të kohëve të fundit me ekonomistët klimatikë, zhvilluar nga Reuters, mbizotëroi mendimi se për të shkuar në një ekonomi me zero karbon, do të kushtonte nga 2 deri në 3 për qind të PBB-së globale vjetore. Sipas vlerësimeve të tjera, kostoja e dekarbonizimit të ekonomisë do të ishte o pak më e ulët, o pak më e lartë, por gjithçka mbetet brenda diapazonit të disa pikë përqindjeje nga PBB-ja globale vjetore.
Këto shifra pasqyrojnë vlerësimin e Grupit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, i cili në raportin e tij vendimtar të vitit 2018 deklaroi se për t’i vënë kufirin ndryshimeve klimatike në 1.5 gradë Celcius, investimet vjetore në energjinë e pastër do të duhet të rriten në rreth 3% të PBB-së globale. Meqenëse ne tashmë shpenzojmë rreth 1% të PBB-së vjetore globale për energjinë e pastër, duhet vetëm të shtojmë një pjesë tjetër prej 2%! Llogaritjet që bëmë më sipër fokusohen në kostot e transformimit të sektorëve të energjisë dhe transportit, të cilët janë më të rëndësishmit.
Megjithatë, ka edhe burime të tjera që shkaktojnë emetime siç është shfrytëzimi i tokës, pylltaria dhe bujqësia. Po, po, bëhet fjalë pikërisht për ato gazrat famëkeqe të bagëtive. Lajmi i mirë është se shumë prej këtyre emetimeve mund të reduktohen pa shumë sakrifica duke ndryshuar zakonet e të ngrënit, për shembull duke konsumuar më pak mish dhe produkte qumështi dhe duke u mbështetur më shumë te një dietë me bazë bimore. S’na kushton gjë të hamë më shumë perime, dhe ky zakon mund të ndihmojë edhe në zgjatjen e jetës sonë (sikundër atë të pyjeve tropikale).
Mund të diskutojmë pafund për numrat, duke ndryshuar paksa parametrat e modeleve në një mënyrë apo në një tjetër. Por duhet ta shohim pamjen e plotë përtej llogaritjeve të thjeshta matematikore. Informacioni thelbësor është se çmimi që duhet paguar për të parandaluar apokalipsin, nuk shkon përtej shifrave më të ulëta të PBB-së vjetore globale. Sigurisht që nuk po flasim për 50% të PBB-së vjetore globale, as për 15%. E kundërta është e vërtetë, çmimi për t’u paguar është diku te 5%, ndoshta mjaftueshëm i ulët saqë nuk kërkon më shumë se një investim shtesë prej 2% të PBB-së globale aty ku duhet.
Dhe vini re fjalën investim. Nuk po flasim për djegien e pirgjeve me kartmonedha në një sakrificë të madhe për shpirtrat e tokës. Bëhet fjalë për investime në teknologji dhe në infrastruktura të reja, siç mund të jenë bateritë inovative për ruajtjen e energjisë diellore dhe rrjetet e përditësuara të energjisë elektrike për shpërndarjen e saj.
Këto investime do të krijojnë shumë vende të reja pune, mundësi ekonomike dhe ka të ngjarë të jenë ekonomikisht të qëndrueshme në afatgjatë, pjesërisht falë uljes së kostove të kujdesit shëndetësor dhe shpëtimit të miliona njerëzve nga sëmundjet e shkaktuara prej ndotjes së ajrit. Gjatë këtij procesi ne mund të mbrojmë popullatat që më shumë rrezikohen nga fatkeqësitë klimatike, të bëhemi paraardhës më të mirë për brezat e ardhshëm dhe të krijojmë një ekonomi më të begatë.
Ky lajm i mrekullueshëm është lënë në sirtar në debatin e nxehtë mbi ndryshimin e klimës. Por duhet ta nxjerrim në dritë, jo vetëm për t’i dhënë shpresë njerëzve, por përpos të gjithave të mund të përkthehet në një program konkret politik. Vitet e fundit mësuam ta përcaktojmë objektivin tonë në terma numerikë: 1.5 gradë Celcius. Mund të përcaktojmë po ashtu format për të bërë të njëjtën gjë me një numër tjetër, 2%. Rritje e investimeve në teknologji dhe infrastrukturën miqësore me mjedisin me dy pikë përqindje krahasuar me nivelet e vitit 2020!
Natyrisht, ndryshe nga shifra 1,5 ° C, që është një prag i identifikuar në mënyrë të besueshme nga shkenca, shifra prej 2% përfaqëson thjesht një vlerësim të përafërt. Dhe ashtu duhet të kuptohet, si një llogaritje e përafërt, e dobishme për të inkuadruar llojin e programit politik që i nevojitet njerëzimit.
Kjo shifër na jep mesazhin se parandalimi i ndryshimeve katastrofike klimatike është një projekt plotësisht i zbatueshëm, edhe pse padyshim do të kushtonte shumë para. Meqenëse PBB-ja globale sot vlen rreth 85 trilion dollarë, 2% është rreth 1700 miliardë dollarë. Do të thotë se për të shpëtuar mjedisin nuk është e nevojshme të imponohen ndryshime drastike në ekonomi apo të braktisen arritjet e qytetërimit modern. Thjesht duhet të fokusojmë më mirë prioritetet tona. Nënshkrimi i një çeku për 2% të PBB-së vjetore globale sigurisht që nuk i jep fund çështjes. Nuk do të zgjidhë të gjitha problemet tona ekologjike, si oqeanet e veshura me plastikë apo humbja e vazhdueshme e biodiversitetit.
Edhe për të parandaluar ndryshimet katastrofike klimatike, duhet të sigurohemi se fondet do të investohen aty ku duhet dhe që investimet mos të shkaktojnë pasoja negative ekologjike apo sociale. Nëse shkatërrojmë ekosistemet për të nxjerrë metalet e çmuara të nevojshme për industrinë e energjisë së rinovueshme, ndoshta mund të humbasim të gjithën atë që fitojmë. Ne gjithashtu do të duhet të ndryshojmë disa nga stilet tona të jetesës dhe mënyrat tona të të menduarit, nga çfarë hamë te mënyra se si udhëtojmë. Asgjë prej këtyre nuk do të jetë e lehtë. Por pikërisht është kjo arsyeja i kemi politikanët: detyra e tyre është të trajtojnë çështjet e vështira.
E vërteta është se politikanët janë shumë të mirë për të zhvendosur 2% të burimeve prej këtu, atje. Kështu bëjnë gjithmonë. Dallimi mes politikave të partive të majta me ato të djathta, shpesh reduktohet vetëm në disa pikë përqindje të PBB-së. Përballë një krize të madhe, politikanët zhvendosin shumë më tepër burime për ta luftuar atë. Për shembull, në vitin 1945, Shtetet e Bashkuara shpenzuan rreth 36% të PBB-së së tyre për të fituar Luftën e Dytë Botërore. Gjatë krizës financiare 2008-2009, qeveria amerikane shpenzoi rreth 3.5% të PBB-së për të shpëtuar institucionet financiare që konsideroheshin “shumë të mëdha për të dështuar”. Ndoshta njerëzimi duhet ta trajtojë pyllin e Amazonës si një klimë katastrofike. Ku shkojnë paratë në vend të kësaj?
Në vitin 2020, qeveritë shpenzuan 2 trilion dollarë për forcat e tyre të armatosura, ose 2.4% të PBB-së globale. Çdo dy vjet, një tjetër shifër prej 2.4% të PBB-së botërore harxhohet për mbetjet ushqimore. Qeveritë shpenzojnë gjithashtu rreth 500 miliardë dollarë në vit (mbajeni veten fort kur ta lexoni këtë) për subvencione direkte për lëndët djegëse fosile! Dhe kjo do të thotë se çdo 3.5 vjet, qeveritë firmosin një çek të barabartë me 2% të PBB-së vjetore globale, duke ia dhuruar atë industrisë së karburanteve fosile.
Ka edhe më keq. Nëse marrim parasysh kostot sociale dhe mjedisore që shkakton industria e karburanteve fosile, për të cilat nuk detyrohet të paguajë gjë, vlera e këtyre subvencioneve arrin në fakt çdo vit në 7% të shumës vjetore të PBB-së botërore.
Le të marrim në konsideratë edhe evazionin fiskal. Bashkimi Europian vlerëson se paratë e fshehura nga të pasurit në parajsat fiskale kapin vlerën e rreth 10% të PBB-së botërore. Çdo vit kompanitë përvetësojnë edhe 1.4 trilion dollarë shtesë nga fitimet e padeklaruara, ekuivalente me 1.6% të PBB-së botërore. Për të parandaluar apokalipsin, me gjithë gjasat do të na duhet të vendosim taksa të reja. Por pse të mos filloni të kërkoni pagesën e taksave të vjetra? Paratë aty janë.
Sigurisht, mbledhja e taksave, ulja e buxheteve ushtarake, reduktimi i mbetjeve ushqimore dhe shkurtimi i subvencioneve janë më të lehta për t’u thënë sesa për t’u bërë, veçanërisht kur përballë janë disa prej lobeve më të fuqishme në botë. Por kjo nuk kërkon mrekulli. Kërkon vetëm një organizim specifik.
Pra, ne nuk duhet t’i nënshtrohemi disfatës. Sa herë që dikush thotë: “Është tepër vonë! Apokalipsi ka ardhur tashmë!”, ne duhet të përgjigjemi, “Jo, mund ta ndalojmë me vetëm 2%.” Dhe kur COP27 të mblidhet në nëntor 2022 në Egjipt, duhet t’u themi liderëve të mbledhur atje se angazhimet e paqarta në lidhje me 1.5°C nuk mjaftojnë. Duam që ata t’i nxjerrin stilolapsat nga xhepi dhe të firmosin një çek për 2% të PBB-së vjetore globale.
*Yuval Noah Harari është autor i librave “Sapiens, një histori e shkurtër e njerëzimit”, “Homo Deus, një histori e shkurtër e së nesërmes” dhe “21 leksione për shekullin XXI”. Është profesor në Universitetin Hebre të Jeruzalemit. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.
[…] *Yuval Noah Harari është autor i librave “Sapiens, një histori e shkurtër e njerëzimit” dhe “Homo Deus, një histori e shkurtër e së nesërmes” dhe “21 leksione për shekullin e 21”. Është profesor në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka. […]