Shoqëritë janë manipuluar me mijëra vjet! Si do duhet të rregullohet e ardhmja jonë me internetin
Ç’do t’i mbetet medias dhe demokracive të së nesërmes, kur e vërteta dhe gënjeshtra do të jenë të padallueshme nga njëra-tjetra, dhe jeta private do të kthehet tërësisht në publike? Jacques Attali përpiqet t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, duke përqafuar një qasje pozitive, në librin e ri “Të keqinformuar: gazetaria dhe liria në kohën e rrjeteve sociale”.
Zoti Attali, në parathënie ju theksoni se mediat lindën në Itali si “lajmërime”. A mund të na shpjegoni se në ç’kontekst?
Natyrisht që shkëmbimet e informacioneve kanë lindur disa mijëra vjet më parë. Por ajo që ndodhi në shekujt XIV dhe XV është që tregtarët e qyteteve më të mëdha në botë, kryesisht në zonën e Flandrisë dhe në Itali, nisën të shkruanin letra me informacione të nevojshme për punët e tyre, që nga çmimet deri te llojet e mallrave. Pak prej tregtarëve në Venecia dhe në Romë patën intuitën të kuptonin se disa informacione në letrat personale mund t’u interesonin edhe të tjerëve. Kështu që hoqën pjesën private, atë që ishte më specifike, dhe më pas tregtonin këtë pjesë të letrave konfidenciale që flisnin për situatën ekonomike në Romë, në Venecia apo në Bryzh. Këto lajmërime, ose gazeta mund t’i quajmë, janë mediat e para.
Forma që mediat dhe rrjetet sociale kanë marrë sot, me përzierjen e privates me publiken, a nuk ju kujton paksa këto lloj “lajmërimesh”?
Ky është parashikimi im. Jo vetëm nëse kemi parasysh ata që shpërndajnë përmbajtje në YouTube apo në Twitter, por edhe mediat e mëdha tradicionale. Në ndryshim nga modeli “The Economist”, ku artikujt nuk përmbajnë emrin e autorit, shumë gazeta po bëhen gjithnjë e më shumë një koleksion selektiv “njoftimesh”, informacione të ofruara me frymë personale nga autorë të identifikuar dhe të respektuar.
Në një pasazh mjaft pozitiv të librit, ju shkruani se sot, pavarësisht shpërhapjes së lajmeve të rreme, “gjithmonë e më shumë njerëz, si në numër absolut ashtu edhe në terma relativë, kanë akses në lajme të verifikueshme dhe të demonstrueshme. Gjithnjë e më shumë njerëz janë në gjendje të japin informacion të besueshëm për ngjarjet që kanë parë ose mund të analizojnë pasojat e tyre”. Pra kemi të drejtë të ushqehemi me shpresa?
Sigurisht, ne jemi pjesë edhe e ngjarjeve shumë pozitive. Më parë ekzistonin vetëm tre lloje mediash, pra gazetat, radio dhe televizioni, që krijuan një bashkë-ekzistencë. Media e katërt, interneti, u ushqye si vampir me to, por mediat paraardhëse mund të jetojnë ende në internet. Dhe është e madhe mundësia për të pasur informacion cilësor, falë profesionistëve kompetentë që mund të shprehen më shumë, por edhe më mirë se më parë, duke iu drejtuar njerëzve më të formuar se në të kaluarën. Pastaj, po, ka edhe shpërthim lajmesh të rreme, por është karakteristikë e epokës sonë dhe të së ardhmes së afërt: bashkëjetesa e më të mirës me më të keqen.
Skenari më pak i gëzuar e parashikon të gjithë njerëzimin të ndarë në tre grupe. Si ndahet ky trepalësh?
Në librat e mi flas për hipernomadët: janë që kanë aftësi, informacion dhe mundësi për të udhëtuar në mënyrë reale dhe virtuale. I dinë gjërat para të tjerëve. Në ekstremin tjetër janë nomadët e vërtetë, të cilët janë nomadë sepse jetojnë në një situatë jashtëzakonisht të pasigurt, kanë akses në informacione të pakta dhe jo cilësore. Në mes, qëndron grupi më i madh, i cili shpreson të ngjitet në grupin e parë dhe është i tmerruar nga mundësia e rënies në grupin më poshtë. Kjo është ajo që po ndodh me klasën e mesme, e cila ushqehet me konspiracion si për shtresat e larta ashtu edhe për ato të ulëta.
Ishin interneti dhe rrjetet sociale që përcaktuan përfundimisht lindjen dhe suksesin e populizmave në botë?
Në të vërtetë këto mekanizma janë shumë antikë. E gjejmë te Antoni, rrëfyer nga Shekspiri: turma që në fillim duartroket vdekjen e Jul Çezarit, në fund të fjalimit vërsulet për të vrarë pikërisht vrasësit e Çezarit. Është përshkruar në mënyrë perfekte mundësia e manipulimit të turmave. Në shekullin e shkuar, në Gjermani, në Itali dhe në Francë, populizmi nuk pati hiç nevojë për internetin për të marrë pushtetin. Është e vërtetë se populizmi sot është shumë i pranishëm, por ama kemi edhe mjetet për ta luftuar. Së fundi e kemi parë në Itali një tentativë populizmi, që dështoi. Por nëse ka një vend ku interneti është vërtetë arma e një populizmi të gatshëm për të marrë pushtetin në çdo moment, është Amerika.
Pse mendoni se do të jenë hologramet ato që do të transformojnë informacionin, e për pasojë politikën?
Është faza tjetër e asaj që shohim sot të jetë realitet. Video-lojërat më duken një portë e shkëlqyer për të ardhmen e informacionit, sepse aty ekzistojnë lidhje gjithnjë e më të ngushta midis informacionit, edukimit dhe shpërqendrimit. Aftësia e përqëndrimit është gjithnjë e më e ulët dhe mjeti i shpërqendrimit bëhet gjithnjë e më të rëndësishëm. Megjithëse kjo ekzistonte në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur gazetat botonin feuilleton (pjesë shtesë që përmbante tregime, lajme me bazë thashethemesh etj.) për të tërhequar vëmendjen e lexuesve. Besoj se së shpejti nuk do të lexojmë dhe nuk do të shohim vetëm raportimin e një gazetari terreni mbi një luftë që po ndodh, por hologrami ynë do të transportohet me të, në fushën e betejës. Për një aplikim më të këndshëm, ne do të mund të gjendemi në fushë pranë lojtarëve.
Po projekte “metaverse”?
Pjesërisht, por më duket një variant i varfër. Është një ekzagjerim katastrofik i shoqërisë vetmitare dhe narciste. Mund të imagjinonim diçka më magjepsëse dhe jo aq të largët teknikisht: për shembull një glob të vogël për t’ia dhënë një fëmije, i cili prek një vend dhe ai vend materializohet para syve të tij. Pyetja është filozofike, gjithçka varet nga ajo që duam të bëjmë përmes botës dixhitale: duam të kënaqim egon apo të ndërlidhemi me të tjerët.
Ju e krahasoni veten me Maksin në “Kritika e Programit Gotha”. Pse?
Socialistët gjermanë i kërkuan një mendim mbi programin e tyre, dhe në letrën që shkroi, ai e mbylli: “Dixi et salvavi animam meam”. Nuk besonte aspak se do t’ia marrin për bazë këshillat, por gjithsesi ua ofron për të shpëtuar ndërgjegjen. Pak a shumë kjo është gjendja ime shpirtërore. Nuk jam i sigurt se ajo që them do të shërbejë për ndonjë gjë, ama mendoj se është e rëndësishme që gjithsesi ta them. Lëshoj një mesazh në shishe.
Cilat janë këshillat tuaja për të qëndruar në këtë anë të humnerës?
Jam i bindur mbi fuqinë pozitive dhe demokratike të teknologjive të reja, por për të shmangur fatkeqësinë e pasojave katastrofike duhet të ridrejtojmë kurbën e ngjarjeve duke vepruar në katër nivele: qytetarë, gazetarë, media, autoritete. Pra, të mësojmë artin e informimit, të investojmë në verfikimin e fakteve, të rivlerësojmë gazetarinë dhe formimin, të çmondojmë platformat që janë tepër të mëdha dhe tepër të fuqishme.
Pse është i rëndësishëm çmontimi i GAFAM? (Google, Apple, Facebook, Amazon dhe Microsoft)
GAFAM janë shërbime publike dhe si të tilla duhet të kenë detyrime: nuk duhet të dominojnë tregun, mos të zotërojnë gjithë inovacionin, të mos i bëjnë njerëzit të varur, të mos lejojnë që zhvillimet me hologramet të jenë krejtësisht në duart e tyre. GAFAM duhet të ndahet në pjesë të veçanta dhe të ndryshme, në mënyrë që të mos zëvendësojë shtetet demokratike.
*I lindur në Algjeri në vitin 1943, Jacques Attali është ekonomist, politolog, publicist francez. Në vitin 1973 emërohet këshilltar për ekonominë i liderit socialist François Mitterrand. Pas zgjedhjes së tij si President, mbajti të njëjtën detyrë deri në vitin 1991, kur u emërua president i BERZH. Intervista për Stefano Montefiori u përkthye në shqip nga Erjon Uka.