Rusët krenohen nëse bota ka frikë prej tyre
Svetlana Alexievich jeton në Gjermani pasi iu desh të largohej sërish nga Bjellorusia pas shtypjes së demonstratave demokratike të vitit 2020. Kemi folur në telefon kur ajo tregoi se persona të maskuar po përpiqeshin të hynin në banesën e saj. Ambasadorë të vendeve të ndryshme europiane i shkuan në shtëpi derisa u detyrua të largohej. Lukashenko u shpëtua nga Putini. “Të gjithë ishin arrestuar ose u detyruan të iknin jashtë vendit”. Çmimi Nobel për Letërsinë që mori në 2015 nuk e mbronte më. Svetlana është bijë e një babai bjellorus dhe e një nëne ukrainase. Për të, përfshirja e Minskut është veçanërisht e dhimbshme.
Lajmet e këtyre orëve për ushtarët e rinj rusë që kanë vdekur në Ukrainë dhe për trupat që nisën të ktheheshin të pajetë te nënat e tyre, më solli menjëherë ndër mend “Djemtë e zinkut”, librin tuaj për shumë e shumë të rënë nga lufta në Afganistan, që me rezultatin katastrofik, kontribuan në kolapsin e regjimit sovjetik.
Po, edhe unë e kam menduar. Dhe për faktin që librat e mi nuk kërkojnë të bëhen histori. Lëreni Rusinë të ndjekë hapat e saj. Po e gjejmë veten në një moment të papritur të historisë. Askush prej nesh nuk mendoi se do të mund të ndodhte diçka e tillë.
Çfarë ju thoshin të mbijetuarit e Afganistanit kur i intervistonit?
“Kujt i hyn në punë libri yt? Si mund ta tregosh ti vërtetë se çfarë ka ndodhur? Deve dhe njerëz të vdekur, në të njëjtin pellg gjaku. Kush do t’ia dijë?”.
Shumë thonë se Putini është çmendur, se ajo që po bën nuk është aspak e arsyeshme.
E lehtë të hedhësh akuza, ato e thjeshtojnë arsyetimin, por nuk e dimë të vërtetën. Druaj se gjërat janë ndryshe. Janë publikuar të dhëna të reja: më shumë se 60% e rusëve do ta mbështesnin Putinin në këtë luftë.
A janë të dhëna të vërteta apo propagandë e Kremlinit?
Nuk kemi sondazhe të tjera, por e sigurt është se shumë njerëz e mbështesin dhe thonë se asgjë s’dihet me siguri, se gjithçka është një tufë lajmesh të rreme, lajmesh të sajuara. Tani që kanë mbyllur radion “Eco” të Moskës dhe televizionin “Dozhd”, praktikisht ka mbetur vetëm “Novaya Gazeta”. Në Rusi askush nuk do ta dijë të vërtetën, do të mbetet një vend i mbyllur. Dhe se ç’do të ndodhë, është vërtetë e vështirë për t’u imagjinuar.
Pra mendoni se presidenti rus nuk është i vetmi që ushqen ndjenja “hakmarrjeje”?
Mendoj se Putini pasqyron mendimin e rusëve mesatarë që jetojnë në periferi, të atyre rusëve që nuk mund ta tolerojnë poshtërimin, siç thonë ata. Për librat e mi kam udhëtuar së tepërmi nëpër Rusi dhe shumë prej atyre që kam dëgjuar, flisnin vetëm për poshtërimin. Thoshin me mërzi: “Askush nuk ka më frikë prej nesh”. Dhe sa shumë iu ngrit morali kur mund të thoshin me siguri se Putini i ngriti nga gjunjëzimi përballë botës! Druaj se është shumë e rrënjosur kjo ndjenja “perandorake”. Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, të gjithë u gëzuam se gjithçka ndodhi në mënyrë paqësore. E mbivlerësuam vdekjen e komunizmit. Nuk është aspak e vërtetë, aspak, dhe po e kuptojmë tani. Ky njeriu i kuq, “homo sovieticus”, është ende gjallë. Pjesa më e madhe e asaj që ndodhte në kohën sovjetike ka lënë gjurmë tek ne, ka lënë një gënjeshtër.
Është kjo trashëgimia e komunizmit?
Nëse hedhim vështrimin prapa në historinë tonë, si në atë sovjetike ashtu edhe atë post-sovjetike, shohim një varr të madh masiv, një gjakderdhje të vazhdueshme.
A po mbështetet sot Putini te shumica e popullit që ndihet krenar për rilindjen e Vendit të Madh?
Po, mendoj se po. Nëse ai nuk do ta ndjente intuitivisht këtë mbështetje, nuk do të bënte atë që po bën. Të paktën s’do ta bënte kaq pafytyrësisht, duke sulmuar një vend sovran e duke folur me kaq urrejtje për të. I referohem asaj ç’ka tha kur dha atë mësimin e historisë plot analfabetizëm. Por ky është botëkuptimi i tij. Me pak fjalë, në vend që të shkojmë drejt së ardhmes, tërhiqemi drejt mesjetës.
Sa larg mund të shkojë? Cilat janë synimet e tij?
Kam frikë se mund të shkojë shumë larg. Druaj se nëse fiton, nuk do të ndalet vetëm tek Ukraina. Shpresoj që Europa të jetë e bashkuar, të thotë fjalën e vetë së bashku me Shtetet e Bashkuara. Jo më kot ai i tremb të gjithë me armët bërthamore.
Ka vërtetë mundësi të shkojë kaq larg?
Është e pamundur për ne, por në kokën e këtyre lloj njerëzve… Gjatë mbledhjes së famshme të Këshillit të Sigurisë shihja fytyrat e pjesëmarrësve dhe jo të gjithë kishin të njëjtin entuziazëm me Putinin. Thellë-thellë të gjithë e kuptojnë se kanë shkuar shumë larg. E dinë sipërmarrësit, shumica e kupton…
A mund të ndodhë diçka në Rusi?
Sistemi aktual autoritar i bën kaq të vështira rrugëdaljet. Siç thoshte heroina e një librit tim: ndihemi si një flutur në beton. E kundërshtojnë, nuk e pranojnë, por nuk dalin dot. Tani të gjithë thonë: Çfarë të bëjmë? Unë them se duhet punuar me atë 60% që mbështet Putinin. Duhet t’u flasim, duhet t’u shpjegojmë. Do të ketë zi, do të ketë arkëmorte dhe është mëkat që për të hapur sytë e për të kuptuar të vërtetën, të jetë ky çmimi për t’u paguar. Populli do t’i hapë sytë, sepse ardhja e 5,000 arkëmorteve është e rëndë.
Vendi juaj, Bjellorusia, është shndërruar në një provincë të Rusisë?
Është një makinë e kohës, një muze i së shkuarës. Dhe për më tepër, tani Lukashenko nuk ka asnjë autonomi, Bjellorusia është plot me trupa ruse, dhe duke qenë se humbjet janë të shumta, Putini do ta detyrorë të marrë pjesë në këtë luftë.
Po njerëzit çfarë mendojnë?
Ata janë kundër. Ndryshe nga Rusia, shoqëria bjelloruse nuk do ta mbështesë luftën. Bjellorusët i kanë parë gjithmonë ukrainasit si vëllezër dhe motra, si popullin tonë vëllazëror. Nuk ka urrejtje si mes rusëve dhe ukrainasve që i vënë vetes nofka nënçmuese, moskal, moskovit i vogël; khokhol etj.
Çfarë prisni?
Unë mendoj se bota dhe veçanërisht politikanët duhet të gjejnë mënyrat për të ndaluar Putinin, por të cilat unë nuk i di. Në bisedime, ai kërkon vetëm kapitullimin e Ukrainës. Mendoj se e gjithë bota duhet ta ndihmojë Ukrainën. E mbështes krijimin e një legjioni të huaj me mijëra njerëz që kanë ardhur në ndihmë dhe po ashtu vlerësoj armët me të cilat po furnizohet Ukraina. Kur telefonova një të afërmen time, i thashë: “Mbahuni fort, tani po ju vijnë armët”. E m’u përgjigj: “Svetlanë e dashur, armët po vijnë, por të rinjtë ku t’i gjejmë? Mijëra prej tyre kanë vdekur”. Më vjen mirë që tek unë rrjedh gjak ukrainas. Jam krenare për ata djem dhe ata njerëz, fëmijë, pleq që në fshatëra po i kundërvihen tankeve me duar të boshatisura, që gjunjëzohen për t’i penguar të kalojnë. O Zot, o Zot!
Ju keni shkruar “Zëra nga Çernobili” me tregime të të mbijetuarve dhe të familjarëve të të vdekurve. Dhe tani lajmet nga centrali i Zaporizhzhias po i trembin të gjithë.
Përdorim ende konceptet e vjetëruara larg-afër, miq-armiq, por pas Çernobilit kjo s’do të thotë më asgjë. Në ditën e katërt pas shpërthimit, reja e Çernobilit fluturonte mbi Afrikë dhe Kinë. Ne-ata, miq-armiq nuk kanë më kuptim sepse është era ajo që vendos se ku të shkojë.
*Svetlana Alexievich është shkrimtare bjelloruse, fituese e çmimit Nobel në letërsi për vitin 2015. Intervista për Fabrizio Dragosei u përkthye në shqip nga Erjon Uka.