Për Europën vetëm disa refugjatë ia vlen të shpëtohen
Nga Slavoj Zizek/ Pas sulmit rus mbi Ukrainën, qeveria slovene u tregua e gatshme të presë mijëra refugjatë ukrainas. Si qytetar sloven, u ndjeva krenar, por edhe i turpëruar po ashtu. Kur Afganistani ra në duart e talebanëve në gusht të vitit 2021, qeveria slovene refuzoi t’i priste afganët, duke thënë se ata duhej të qëndronin në vendin e tyre dhe të luftonin. Po ashtu, pak muaj më parë kur mijëra refugjatë irakenë-kurdë kërkuan të hynin në Poloni nga Bjellorusia, Slovenia tha se Europa po sulmohej dhe i ofroi mbështetje ushtarake përpjekjeve qyqare të Polonisë për t’i mbajtur larg.
Më 25 shkurt, një tweet i qeverisë slovene qartësoi se si qëndronin gjërat: “Refugjatët ukrainas vijnë nga një ambient kulturor, fetar dhe historik i ndryshëm prej atij nga vijnë refugjatët afganë.” Pastaj ky mesazh u fshi, por e vërteta e turpshme ishte e qartë: Europa duhet të mbrohet nga jo-Europa.
Ky qëndrim do ta shpjerë kontinentin drejt katastrofës. Mjetet e informimit dhe elitat europiane po e prezantojnë luftën në Ukrainë si një konflikt mes një kampi “progresist” perëndimor dhe një kampi “euro-aziatik” rus, duke injoruar pjesën tjetër të botës. Vetë Kina nuk është ende gati ta mbështesë Rusinë, por ka planet e saj. Pas fillimit të luftës, presidenti kinez Xi Jinping i dërgoi një mesazh liderit koreano-verior Kim Jong-un duke deklaruar se Pekini ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Penjanin në “këtë situatë të re”. Frika është se Kina mund ta shfrytëzojë këtë “situatë të re” për të pushtuar Tajvanin.
Fakt shqetësues është se radikalizimi në të cilin po marrim pjesë, ashtu si në rastin e Vladimir Putinit, nuk mbetet vetëm retorikë. Shumë njerëz të së majtës ishin të bindur se Putini po luante blofin kur dërgoi trupa në kufi dhe të gjithë prisnin që ushtria ruse të pushtonte vetëm dy “republikat popullore” të kontrolluara nga separatistët e mbështetur prej Kremlinit, ose më e keqja, do të pushtonte gjithë rajonin e Donbasit. Tani ndonjëri që e përkufizon veten si të majtë (unë nuk do të guxoja) akuzon perëndimin përse presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden kishte të drejtë mbi qëllimet e Putinit.
Argumenti është i njohur: NATO po rrethon Rusinë, duke nxitur kryengritje në ish-republikat sovjetike dhe duke injoruar frikat e arsyeshme të një vendi që në shekullin e fundit është sulmuar nga perëndimi. Sigurisht që në këtë interpretim ka diçka të vërtetë, por është njësoj si të justifikosh Hitlerin duke ia hedhur fajin traktatit të Versajës. Edhe më i rëndë është supozimi se fuqitë e mëdha kanë të drejtë të kenë zonat e tyre të influencës dhe gjithë të tjerët duhet ta pranojnë këtë fakt për hir të stabilitetit global. Është e njëjta ide që ka edhe Putini, i bindur se s’kishte asnjë zgjidhje tjetër përveçse pushtimin e Ukrainës.
Pra problemi qëndron te nazizmi ukrainas? Më e sakta do ishte që këtë pyetje ta bënim për Putinin. Ylli polar intelektual i presidentit rus është filozofi Ivan Ilin, veprat e të cilit shpërndahen mes funksionarëve të shtetit dhe ushtarakëve. I përjashtuar nga Bashkimi Sovjetik, Ilin propozoi versionin e tij të fashizmit rus: shteti është një komunitet homogjen i qeverisur nga një sovran dhe liri do të thotë të dish të mbash vendin tënd. Aleksandr Dugin, filozofi që aktualisht qëndron në rrethin e Putinit, i ndjek në vetë të parë gjurmët e Ilinit, duke i shtuar një spërkatje postmoderne relativizmit historik: “Besojmë tek ajo që bëjmë dhe në atë ç’ka themi. Vetëm kështu mund të përkufizohet e vërteta. Ne kemi të vërtetën tonë ruse, që duhet ta pranoni. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk duan ta nisin luftën, duhet të pranojnë se s’janë ata zotërit e vetëm. Dhe me situatën në Siri dhe në Ukrainë, Rusia po thotë: Jo, nuk jeni më zotërit e vetëm. Vetëm lufta mund të përcaktojë se kush e sundon botën.”
Po si qëndron e vërteta me popujt e Sirisë dhe Ukrainës? A mund ta zgjedhin edhe ato të vërtetën e tyre? Idea sipas së cilës çdo “stil jete” ka të vërtetën e vetë përbën një prej arsyeve kryesore përse Putini i pëlqen shumë populistëve të së djathtës ashtu si edhe Donald Trump, që i entuziasmuar e quajti pushtimin rus si lëvizje “prej gjeniu”.
“E vërteta ruse” është vetëm një mit që justifikon vizionin perandorakt të Putinit. Për ta hedhur poshtë këtë, Europa duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi me vendet e varfëra, shumica e të cilave kanë një listë të gjatë ankesash të justifikueshme kundër kolonizimit. Nuk mjafton “të mbrosh Europën”. Duhet të bindësh vendet e tjera që perëndimi ofron zgjedhje më të mira se Rusia dhe Kina. E për ta bërë këtë, duhet të ndryshojmë veten duke zhdukur neokolonializmin. Edhe kur ky i fundit na shfaqet i veshur si ndihmë humanitare. A jemi gati të tregojmë se duke mbrojtur Europën, luftojmë për lirinë e të gjithëve? Refuzimi ynë për t’i trajtuar të gjithë refugjatët në të njëjtën mënyrë i dërgon botës një mesazh krejt të ndryshëm.
*Slavoj Zizek është filozof, sociolog dhe akademik slloven. Studiues i marksizmit, idealizmit gjerman dhe i psikanalizës lekaniane, është i njohur për përballjen me temat e aktualitetit duke bashkuar konceptet filozofike me kulturën popullore. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.
Publikuar edhe në Tiranapost.al