Borges
Të gënjyerit me sinqeritet

Të gënjyerit me sinqeritet

Nga Joe R. Lansdale/ Shkrimtarët përdorin metoda të ndryshme, por pjesa më e madhe e asaj që unë bëj, është spontane, ose më mirë të thuhet, vjen nga nënvetëdija. Unë nuk përgatis një rrugëtim të historive të mia apo të veçorive të personazheve të mi. Të kundërtën bëj, duke reaguar ndaj ndjenjave dhe ideve që jo gjithmonë shfaqen me qashtërsi.

Atë që tregoj, më shumë se prej çdo gjëje tjetër, e konceptoj sipas humorit dhe ndjesive që kam. Natyrisht, jeta dhe leximet kanë një ndikim të fortë në zhvillimin e personazheve dhe trilleve, por unë nuk përvijoj zhvillimet e rrëfimit. Përpiqem të shkruaj atë që më vjen pa u shqetësuar nga mendimet e të tjerëve. Kjo mënyrë shkrimtarie i konsideron të vdekur të gjithë ata që njohim. Gjithmonë do të ekzistojë dikush që nuk do ta pëlqejë punën time, por ky le të jetë halli i tij. Të tjerëve do t’u pëlqejë. Nuk mund të admirohem botërisht. Nëse dikush shkruan për t’u mbrojtur nga kultura e anulimit, dhe deri sa të ekzistojë kjo kulturë mund të jetë subjekt debati, do të shkruajë për një entitet të panjohur që ende përpiqet ta kuptojë dhe që në realitet nuk është i njohur.

Gjithmonë do të jetë dikush që do të luajë rolin e gjembit në këmbë, por duke ecur përpara, shkrimtaria e ndershme do të ketë gjithmonë një jetë më të gjatë se cicërimat e disa idiotëve. Askush nuk përjashtohet nga ofendimi.

Një kulturë në të cilën bota letrare, qoftë ajo pop ose “serioze”, kërkon ndihmë psikologjike dhe një qen terapeutik për të përballuar ofendimet apo zhgënjimet, nuk është një kulturë e vërtetë. Është një gjendje bullizmi e cila mund t’i përkasë të djathtës apo të majtës, por nëse mësohesh me këtë gjendje, praktikisht bëhesh pjesë, pavarësisht se sa shumë ndihesh nga ana e së drejtës.

Të japësh këshilla shkrimtarie rezulton e dobishme deri në një farë pike. Nuk ka sekrete. Përpos të tjerash, këshilla ime mund të mos vlejë për atë njeriun tjetër, edhe pse për mua funksionon.

Frymëzimi është konstant. Unë nuk i besoj idesë se duhet të presësh për të. Nuk besoj te koncepti i Muzës. Muza frymëzuese është vetë shkrimtari dhe ajo që e lejon Muzën t’i japë atij idetë e arta, është të parashikojë takime reale me të. Zakonisht unë punoj shtatë ditë në javë, por maksimumi tre orë në ditë. Ndonjëherë edhe më pak. Asnjëherë nuk shmangem. Ulem të shkruaj. Do të jetë gjithmonë një kënaqësi, sepse i kam mësuar vetes që duke u ulur mund të prodhoj, dhe pikërisht kjo gjë më jep kënaqësi. Nga të shkruarit nuk korr vetëm kënaqësi, por më kënaq edhe vetë procesi i të shkruarit. Dhe për të treguar diçka më shumë, kur ballafaqoj atë që shkruaj gjatë ditëve kur ndihem më i frymëzuar duke shkruar me lehtësi me ato që shkruaj në ditët kur nuk ndihem i tillë, praktikisht nuk ka asnjë ndryshim. Fakti që disa ditë dua të shkruaj më shumë se të tjerat është një fakt emocional që nuk nënkupton domosdoshmërisht se idetë, rrëfimi ose proza ??do të jenë më të mira.

Bëhet fjalë për të mos e pritur më frymëzimin, por për të pasur një plan.

Thënë kjo, kur dua të udhëtoj apo të bëj diçka tjetër, nëse është e nevojshme e ndryshoj orarin tim të punës. Kjo do të thotë se do të punoj ndonjë minutë këtu apo atje, në avion apo në ndonjë dhomë hoteli e kështu me radhë. Pra, nëse dikush mund të punojë vetëm për tridhjetë minuta në ditë përpara se të shkojë në punë, duhet ta bëjë. Cilido qoftë plani vetjak, duhet të jemi konstantë dhe të mos presim Muzën. Frymëzimi ndodhet kudo, por duhet ta mësojmë vetveten të jemi të hapur për ta pritur. Në këtë mënyrë, frymëzimi mund të vijë pa e kuptuar askush deri në çastin që ulesh të shkruash.

Ndikimi im më i madh është vetë jeta. Të jetosh. Asgjë e ndërlikuar. Si bashkëshort dhe baba që udhëton, lexon dhe dëgjon të tjerët, idetë vijnë lehtësisht. Frymëzimi është pjesa më e lehtë. Kleçka qëndron në ekzekutimin e idesë. Dialogu ka të bëjë më shumë me të imagjinuarit se si flasin njerëzit. Të përvijosh karakterin në fakt do të thotë të jesh në kontakt me veten.

Shkrimtari ka shumë personazhe, shumë nuanca me ngjyra dhe të tjera bardh e zi. Bëhet fjalë për ta marrë veten hua prej vetes. Mjaft të mendoni se sa njerëz do të takojë në jetën e tij secili prej nesh. Kemi të gjithë personazhe të fshehura dhe mjaft t’i përziejmë e t’i përputhim, sepse nuk ka nevojë të jemi të sinqertë fjalë për fjalë.

Të shkruash do të thotë të gënjesh me sinqeritet. Mund të mos korrespondojë me mënyrën se si ju dëshironi ta jetoni jetën, por trillimi është diçka tjetër.

Bëhet fjalë për të shkruar me zërin tuaj. Për të mësuar nga të tjerët dhe për të huazuar disa nga mobiljet e tyre pa rrëmuar nëpër shtëpitë ku ndodhen. Bëhet fjalë për të gjetur rrugën tuaj.

*Joe Richard Lansdale është shkrimtar amerikan, që lëvron gjinitë e horrorit, trillit shkencor dhe misterit. Është fitues i çmimeve “British Fantasy Award”, “American Horror” dhe “Edgar Award”. Disa prej romaneve të tij janë përshtatur në filma dhe seriale televizive. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *