Borges
Kur Umberto Eco krijonte bibliotekën personale me 35 mijë libra

Kur Umberto Eco krijonte bibliotekën personale me 35 mijë libra

Shpërndani në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  

Nga Furio Colombo/ Përfundimisht, pasi e mbushi shtëpinë e tij milaneze me pirgje librash si rrokaqiej (kishte edhe “Park Avenue” dhe “Fifth Avenue” në hapësirat e ngushta për të ecur), Eco vendosi i bindur. I takonte atij, bashkëshortes Renate, fëmijëve Stefano dhe Carlotta që të shkonin për të banuar me librat dhe jo e kundërta. Hapësira do të duhej të ishte mjaftueshëm e madhe për të mbajtur bibliotekat që ishin krijuar për punë, për kërkime, për pasion, për kujtesë. Sipas guvernatorit të librave dhe gruas së tij bashkëpunëtore, njeriut i mjaftojnë karriget dhe një krevat.

Për fat të mirë Renate ishte projektuese, pikërisht gjatë viteve kur në Milano të projektoje hapësira dhe të zhvendosje objekte ishte më e rëndësishme se sa të ndërtoja turbina dhe për më tepër ishte diçka që u jepte autoritet edhe sipërmarrjeve të rrezikshme. Për shembull, Renate kishte gjetur gjetur ambientin e madh dhe të shkatërruar të një banke të braktisur, ndërsa Umberto aty pa menjëherë projektin e tij të realizohej: libra kudo, ato të kohës së hershme (të fëmijërisë e të shkollës) ato të tanishmet, popullatën e gjerë letrare të një projekti që e filloi menjëherë (kur të dy endeshim tezgave të Europës në vitet ‘50), së bashku me librat që Eco kishte shkruar tashmë dhe vijonte të shkruante, shpesh duke hapur rrugë tërësisht të reja, të alternuara me “Diario Minimo” për t’i rrëfyer gjërat në një tjetër mënyrë që çdo lexues t’ia tregonte menjëherë tjetrit, si edhe Filozofia në vargje, komike por rigoroze.Kur Umberto Eco krijonte bibliotekën personale me 35 mijë libraUMBERTO ECO DHE BASHKËSHORTJA E TIJ RENATE

Ishte e njohur tashmë shprehja “nëse ka një Parajsë, ajo duhet të jetë bibliotekë”. Eco e imagjinoi parajsën e tij shumë angazhuese. Kur isha mik në shtëpinë e re – ende kantier, plot me libra dhe beton (por Renate kishte krijuar tashmë një kopsht aty ku më parë ishin sportelet) flija në dhomën e Stefanos, ku arrihej përmes korridorit të librave. Shpesh, natën dëgjoja hapa të shpejtë lart e poshtë në korridor. Ishte një rrugëtim shumë i gjatë, prej nga fillonte shtëpia deri aty ku mbaronte. Një mur i pakufi librash që rregullohej e rregullohej vazhdimisht edhe në mes të natës.

Nëse Tondelli (shkrimtar italian) dilte jashtë gjeneratës së tij ose nga rrugëtimi narrativ, apo nëse “La luna e i falò” (romani i fundit i shkruar nga Cesare Pavese) i ishte caktuar pa dashje letërsisë antifashiste, bëhej menjëherë rregullimi i duhur, që zbulohej nga rishikimi i vazhdueshëm në dhomën e redaktimit në mënyrë që në atë pafundësi librash, zonat e gabimeve të mos rrezikonin zgjerimin.

Dhoma e redaktimit ishte në fund të korridorit të librave dhe që në fillim përbënte imazhin perfekt për “Numri Zero”, romanin që Umberto do ta shkruante shumë vite më vonë, e që po ashtu ishte trilli i tij i fundit si shkrimtar.

Ishin tre tavolina të mëdha. Njëra me letra të sapohapura dhe me fashikuj të shkruar në disa gjuhë të ndryshme, një me dorëshkrime të mbledhura në koleksione, të cilat në pamje të parë dukeshin të hedhura rastësisht, por vetëm pas pas, teksa prisje në këmbë sepse karrige nuk kishte, kuptoje se në atë rrëmujë të çmendur kishte rregull. Dhe një tavolinë e tretë me libra të sapo ardhur, disa me kopertina të palexueshme të gjuhëve orientale.

Në fund të dhomës “së redaktimit”, pranë dritares, ishte tavolina e Umbertos me kompjuterin në qendër (ai duhej të përfundonte gjithmonë diçka përpara se ta vinte re se dikush kishte ardhur) dhe e njëjta dendësi rrëmuje si në tavolinat e tjera me letra që sapo ishin printuar, me libra të hapur për të parë mirë kopertinën, letra të shkruara me dorë apo vizatime me diçiturë. Pas asaj tavoline ishte tavolina e një sekretareje apo asistententeje të mirë dhe të rastësishme, e cila – nëse ndodhej – dukej e humbur pas barrierave të materialeve të shkruara që shtoheshin vazhdimisht. Përshtypja e çuditshme, dhe kurioze po ashtu, ishte se kjo strehë e mbushur me gjëra që lidhen me librat nuk ishte një vend arratisjeje për dikë, por një punë kolektive.

Kur Umberto Eco krijonte bibliotekën personale me 35 mijë libra

Dhe nuk do të ishte zbuluar kurrë fortesa e vetimës së Ecos nëse ai vetë nuk do të na udhëhiqte nëpër të. Duhej të ktheheshe nëpër korridorin e pafund të librave (plot tridhjetë e pesë mijë, aty ku dikur ishte një bankë e tërë) dhe të gjeje një derë të vogël që mund të mos e kishe vënë re përpara se të hyje në pjesën familjare të shtëpisë.

Umberto ua hapte rrallë derën të huajve, por njëkohësisht merrte pamjen thellësisht krenare të një njeriu që po bëhet gati të zbulojë diçka shumë të rrallë, dhe i kujdesshëm që mrekullimi, habia dhe kurioziteti ta preknin siç duhej vizitorin. Ishte dhoma e librave të lashtë, 1300 vepra me kosto të papërballueshme, të disponueshme vetëm në tre a katër librari antike në botë dhe ku Eco kishte investuar gjithçka që shkrimtarë të tjerë jashtëzakonisht të suksesshëm do t’ia kushtonin jetesës së mirë.

Por kishte edhe një mrekulli më shumë që të mbante dhe të argëtonte në pragun e “studiolo”-s (fjalë e thënë nga Umberto). “Studiolo” ishte projektuar dhe krijuar nga e bija, Carlotta. Puna e saj e parë si arkitekte ishte shumë e bukur në rigorozitetin e thjeshtë klasik, më e bukur se kopja e përpikte që u bë në bibliotekën “Braidense” në Milano ku institucioni donte të nderonte në javën e parë të korrikut dhuratën që iu bë Milanos nga familja Eco me dorëzimin e librarisë së Umbertos, një dhuratë e jashtëzakonshme për të përmbushur dëshirën e një shkrimtari të jashtëzakonshëm.

Ndërsa “librat e korridorit” shkuan në Universitetin e Bolonjës ku Eco dha mësim për dyzetë vite. Kujdestarët e bibliotekës janë katër studentë të tij dhe asgjë nuk shkoi kot, edhe pse gjithçka është fryt i një beteje me shumë pasion të fituar nga Stefano Eco me Librarinë e Shtetit, që donte që çdo gjë, pa dallim, të vihej në rresht e në përputhje me të gjitha materialet e tjera. Por siç thoshte Eco, “nëse ka një Parajsë, ajo është bibliotekë”. Edhe në këtë gjë pati të drejtë.

*Furio Colombo është gazetar, botues dhe politikan italian, mik i Umberto Ecos. 1,300 librat antikë të Umberto Ecos kanë ruhen në Milano, ndërsa mbi 35,000 librat e bibliotekës së madhe janë vënë në dispozicion të bibliotekës universitare të Bolonjës. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.