Borges
Nuk na mjafton vetëm një jetë

Nuk na mjafton vetëm një jetë

Nga Michel Houellebecq/ Më ka çuditur gjithmonë nderimi që u bëhet shkrimtarëve. Me një qëndrueshmëri fatkeqe, shkrimtarët më të mirë e kanë përshkruar botën njëzëri si një vend pa shpresë, ku pllakos palumturia, të populluar nga njerëz që në të shumtën e rasteve janë mediokër e ndonjëherë qartazi të ligj. Lumturia, virtyti dhe dashuria nuk gjejnë vend në këtë botë, nuk janë në shtëpinë e tyre. Ato shfaqen vetëm si ishuj të vegjël që na habisin, thuajse si mrekulli, në mes të një oqeani vuajtjesh, indiference dhe ligësie.

Revolucioni Francez ka pasur një egërsi të frikshme. Në periudha të caktuara, njerëzit gjunjëzoheshin me radhë në gijotinë. Teza ime është se në rreshtin e atyre që “prisnin radhën”, siç shkruan Pascal, asnjë nuk kishte frikë nga vdekja, më së shumti prej faktit se thuajse të gjithë ishin besimtarë katolikë të bindur se do të arrinin menjëherë tek Krijuesi.

Ama kishin frikë nga ai moment i tmerrshëm, nga ai çast i paprecedent në të cilin tehu do të t’ua priste qafën për ta ndarë kokën nga trupi. E pra, në mesin e atyre që “prisnin radhën”, kishte mjaftueshëm prej atyre që lexonin; dhe mes atyre që lexonin, siç tregojnë dëshmi të shumta, disa, pak para se të kapeshin nga ndihmësit e xhelatit dhe të tërhiqeshin zvarrë në trekëmbësh, shënonin faqen e saktë ku e linin leximin, sepse të gjithë librat në atë kohë kishin një shënjues.

Çfarë do të thotë në rrethana të tilla të shënjosh ku e lë leximin? Mund të nënkuptojë vetëm një gjë: teksa lexonte, lexuesi ishte aq i zhytur pas librit sa i dilte fare nga mendja se brenda pak minutash do t’i prisnin kokën. Çfarë tjetër, përveç një romani të mirë, mund ta shkaktojë këtë efekt? Asgjë.

Kur isha i ri, mendoja se poezia ishte gjinia më e lartë letrare. Deri diku, ende e mendoj kështu. Është e vërtetë se lidhja e tingullit me kuptimin, së cilës ndonjëherë i shtohet edhe evokimi i imazheve të caktuara, jep rezultate të pamatshme për çdo formë tjetër të krijimit letrar. Pra unë ende mendoj se poezia është gjëja më e bukur; por jam i bindur se romani është gjëja më e nevojshme që ekziston.

Në romanin tim të fundit “Asgjësimi”, personazhi kryesor gjendet në një situatë ankthi ekstrem. Sëmuret nga kanceri dhe për të pasur ndonjë shans për mbijetesë, i duhet t’i nënshtrohet operacioneve gjymtuese, aq gjymtuesa sa kirurgët hezitojnë t’ia kryejnë. Por ndodh në një rrethanë tjetër të lidhur me trajtimin, jo edhe aq shqetësuese por vetëm fizikisht të rëndë, që ai rizbulon përfitimet e romanit. Duhet të bëjë infuzione që zgjasin katër deri në gjashtë orë dhe për të harruar infuzionin, për t’i shpëtuar dëshirës së vazhdueshme për të shqyer tubat, gjëja më e mirë që mund të bëjë është të lexojë Conan Doyle.

Për t’jua kujtuar rrëmbimthi, Conan Doyle është një shkrimtar anglez që për mendimin tim ka shkruar shumë gjëra të bukura, por vepra e tij më e famshme pa dyshim mbetet cikli i tregimeve të Sherlock Holmes. Këtu dua të kem vëmendjen tuaj vetëm për të sqaruar një pikë, sepse përzgjedhja e Conan Doyle mund të na çojë në keqkuptime. Dikush mund të besojë se cilësia më e rëndësishme e një romani që është të na ndihmojë të shpëtojmë prej një situate të dhimbshme mendore – një infuzion i pafund, pritja e rezultateve të një provimi – përmes asaj që anglo-saksonët e quajnë “page turner”, pra një libër kaq magjepsës se është shumë e vështirë të ndalosh së lexuari.

E vërtetë, kjo është një cilësi shumë e rëndësishme. Por nuk besoj se është më e rëndësishmja. Ju ftoj në një eksperiment të thjeshtë. Shkoni në plazh gjatë një pasditeje të bukur vere. Zhytuni në një tregim të Sherlock Holmes. Në më pak se një faqe, nëse kështu ka qenë vullneti i Conan Doyle, do të gjendeni në Londër, në një natë të ftohtë me shi dimri, me rrugët e mbuluara nga mjegulla, ose në apartamentin e Baker Street, ku soba e qymyrit gumëzhin butësisht. Conan Doyle na çon ku të dojë, kur të dojë dhe na bën të hyjmë në brendësinë e personazheve që ka zgjedhur. Dhe kjo ndodh realisht në më pak se një faqe.

Nga një lectio magistralis mund të prisni që unë t’ju tregoj se si arrihet, se cilat janë detajet e nevojshme që e transportojnë lexuesin në botën që ka krijuar shkrimtari. Por jo. Jo të gjithë shkrimtarët kanë të njëjtën metodë dhe kjo prej arsyes së thjeshtë se perceptimi i universit të tyre është i ndryshëm.

Epo mund të mendohet që një shkrimtar ta ilustrojë nisur nga një faqe prej librave të tij, gjë që quhet ushtrim praktik. Por jo. Nuk mund të bëhet as kjo, sepse reflektimi i ndërgjegjshëm nuk luan asnjë rol. Shkruhet ajo që është e rëndësishme në momentin kur dëgjohet, por harrohet sapo nis shkrimi i faqes tjetër. Ndonjëherë, kur e rilexon vite më vonë, i thua vetes: epo, ky apo ai detaj nuk është edhe aq keq. Por ngjan tamam sikur librin ta kishte shkruar dikush tjetër.

Prandaj kur pyesim veten se përse disa faqe janë letërsi e mirë, përgjithësisht është e kotë të kërkojmë shpjegime nga autori, i cili nuk di asgjë. Është më mirë që detyra e gjetjes së detajeve të rëndësishme, veçorive apo metodave t’i lihen akademikut. Sigurisht që jam shkrimtar, por mbi të gjitha në jetën time jam lexues. Kam kaluar më shumë kohë duke lexuar, sesa duke shkruar. Dhe jeta ime si lexues, në dallim nga jeta si shkrimtar, më ka drejtuar kah disa përfundimeve vendimtare, që do t’jua tregoj tani.

Arsyeja thelbësore e ekzistencës së letërsisë është se njeriu ka një tru goxha të ndërlikuar, shumë më të zhvilluar sesa jeta që duhet të jetojë. Për të, tregimtaria nuk është vetëm një kënaqësi, por është një nevojë. Njeriu ka nevojë për jetë të tjera, të ndryshme nga e tija, thjesht sepse e tija nuk i mjafton. Nuk është e thënë që këto jetë të jenë domosdoshmërisht interesante. Mund të jenë edhe krejtësisht monotone. Mund të jenë plot ngjarje me rëndësi të madhe, apo pa ngjarje fare. Nuk duhet të jenë ekzotike. Mund të zhvillohen pesë shekuj më parë, në një kontinent tjetër, ose në ndërtesën ngjitur. E vetmja gjë e rëndësishme është se ato janë diçka tjetër.

Ndoshta kjo nevojë për jetë të tjera është politike në kuptimin më të gjerë të kuptimit. Por deri më tani nuk duket se është propozuar ndonjë zgjidhje e vlefshme politike. Mendoj se ka më shumë gjasa që të jetë kryesisht intime, fizike, emocionale; por edhe në këtë rast nuk duket se ka dalë një zgjidhje e caktuar. Nuk mendoj se kalon fare përmes virtuales apo metaverses, këto janë thjesht muhabete. E vërteta është se letërsia mbetet, edhe sot e kësaj dite, e vetmja gjë që funksionon.

Natyrisht që kjo nevojë për jetë të tjera arrin pikën maksimale kur rrethanat e jetës sonë bëhen të dhimbshme dhe të vështira. Ja përse, pavarësisht se çfarë thashë në fillim, ndoshta është i justifikuar nderimi që u bëhet shkrimtarëve.

*Lectio magistralis e mbajtur nga Michel Houellebecq në Universitetin Enna Kore. Michel Houellebecq është ndër shkrimtarët më të lexuar francezë në botë, dhe njëkohësisht më kontrovers kryesisht për bindjet e tij që konsiderohen islamofobe, raciste dhe mizogjene. Kjo pjesë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

0 thoughts on “Nuk na mjafton vetëm një jetë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *