Borges
Elozhe veprimit

Elozhe veprimit

Shpërndani në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  

Nga Umberto Galimberti/ Gjithmonë ekziston tendenca e rrëmimit thellësisht brenda vetes për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë. Dhe gjatë këtij inspektimi të brendshëm, që mund të zgjasë për vite të tëra, nuk ndodh asgjë. Dhe atëherë me një vështrim melankolik nis pyetja se ç’kuptim ka jeta, mbi të gjitha jeta jote!

Jeta nuk ka tjetër kuptim jashtë atij që kemi krijuar me veprimet tona. Prandaj duhet vepruar. Veprimi çel një botë që është e hapur për të gjithë, por vetëm veprimi ynë është në gjendje ta përkthejë në botën “tonë”. Dhe ne nuk jemi gjë tjetër veçse “reflektimi” i botës që ka krijuar veprimi ynë.

“Reflektimi” është pikërisht ky reflektim, prandaj ai nuk duhet t’i paraprijë veprimit, sepse nëse nuk dëshirojmë që ai të jetë një stepje (ri-mendim) i trishtuar dhe bosh, duhet të ketë përballë botën e krijuar nga veprimi, nga ku mund të niset sërish për krijime të reja. Prandaj, veprimi duhet të jetë para reflektimit, sepse përndryshe reflektimi nuk ka asgjë për të reflektuar.

Kur fëmija dy apo tre muajsh shqipton një sërë belbëzimesh pa asnjë kuptim, po ndërton kapacitetet e tij fonetike që do t’i lejojnë në të ardhmen t’i japë kuptim botës së tij. Vetëm duke lëvizur duart tutje tëhu në mënyrë kaotike, fëmija mëson ta zotërojë botën përreth. Prandaj nuk vjen inteligjenca, kuptimi i botës dhe pastaj veprimi, por e kundërta. Vjen veprimi i pari, pa të cilin fëmija nuk do të kishte një botë, sepse nuk do të prekte me duar konturet e gjërave, të ndjente ndryshimet në madhësi, dhe me lëvizshmërinë e vështrimit, që duket se nuk i drejtohet ndonjë pike specifike, hyn në ndërveprim me objektet, me shkallët e ngjyrave, hijet. Me një fjalë ai njeh botën falë veprimeve të tij.

Nëse filozofia që ju dashuroni ju bën të ndiheni keq, ndoshta ndodh sepse ju e keni kuptuar si reflektim të pastër, duke mos ia vënë veshit paralajmërimeve të Gëtes dhe Novalis, për të cilët “Veprimi është realiteti i vërtetë. Ajo ç’ka ne jemi, jemi për shkak të veprimit”, për të mos folur për Fihten që shkruan: “Nuk është teoria që mundëson praktikën, por e kundërta, është praktika që bën të mundur krijimin e teorisë”.

Këtu lind qartësisht ndryshimi mes kafshës dhe njeriut, që nuk është thjesht e vetëm te zotërimi i shpirtit, apo siç thuhet sot i mendjes, por mbi të gjitha i detyrohet faktit që ndryshe nga njerëzit, kafshët nuk “veprojnë”, sepse të kushtëzuar nga aparati i tyre shqisor, mjaftohen të “reagojnë” ndaj atyre stimujve të mjedisit që lidhen me instiktet e tyre. Për këtë arsye, kafshët jetojnë sipas “natyrës”, ndërsa njeriu sipas “kulturës”, e cila nuk është tjetër gjë veçse natyra e modifikuar nga veprimi.

Përpiquni të jetoni një jetë duke u nisur nga veprimet tuaja mbi të cilat mund të ushtroni reflektimet që në një farë pike ju bëhen krah për veprime të tjera, që do t’ju çojnë në krijimin e botëve të reja. Dhe në këtë krijim të pandërprerë, askund tjetër, aq më pak në reflektimet që duke i paraprirë veprimit shkatërrohen në vetvete, do të gjeni kuptimin e jetës suaj.

*Umberto Galimberti është filozof, akademik dhe psikanalist italian, bashkëpunëtor i ngushtë me gazetën “La Repubblica” ku shkruan rregullisht. Është eksponent i psikiatrisë fenomenologjike, por ka kontribut në interpretimin ndërdisiplinor të mendimit filozofik dhe të kulturës. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.