Montanelli
Ato që humbëm për faj të internetit

Ato që humbëm për faj të internetit

Kur ka qenë hera e fundit që jeni mërzitur? Që keni mbetur si guak me sytë nga qielli duke pyetur: çfarë të bëj, ku të shkoj, si t’i kaloj dy orët e lira? Nga kjo pyetje e thjeshtë nisi ideja për librin “100 gjërat që kemi humbur për faj të internetit” shkruar nga Pamela Paul mbi anën e errët të revolucionit dixhital.

Të gjthë e dimë se interneti na ndryshoi jetën, në më të shumtën e rasteve për mirë: është më e thjeshtë të informoshesh, bota është zvogëluar duke na bërë pjesë të të njëjtit fshat, mund ta telefonojmë falas një mik në Amerikë, t’i prenotojmë vetë pushimet në Oman, të mësojmë si të përgatisim ndonjë pjatë apo të riparojmë çdo gjë. Por përveç lajmeve të rreme, mashtrimeve online dhe luftës kibernetike, interneti na hoqi diçka. Për ta filluar nga mërzia, sepse e kemi gjithmonë në pëllëmbë të dorës mjetin për të hequr mendjen: telefonin. Ish kryeredaktore e “Book Review” në “New York Times”, i konsideruar si Bibla e botuesve amerikanë, sot kontributore në të njëjtën gazetë, shkrimtarja dhe gazetarja amerikane Pamela Paul na zhvendos dy apo tre dekada pas, në një kohë kur jeta ishtë më e ndërlikuar, jo domosdoshmërisht për t’u pasur zili, por qartësisht e ndryshme.

Në faqet e para të librit tuaj ju citoni një frazë tërheqëse që po qarkullon shumë në internet lidhur me kujtimet kur ditët kaloheshin duke luajtur në oborr, kur i duhej rënë ziles për të kuptuar nëse një mik ndodhej në shtëpi, kur shihej televizori bardh e zi në vetëm një kanal. A mos është teza juaj se ishim më mirë kur ishim keq?
E pranoj se kam temperament nostalgjik. Nuk them se ishim më mirë në një botë më të varfër, më arkaike dhe më pak teknologjike, por kam më shumë kuriozitet për të parë pas, se si ishim, se sa të shoh përpara, se si do bëhemi. Pra për të folur për internetin, më intereson më pak të di të ardhmen e tij e se çfarë do të ndodhë me Twitter-in në duart e Elon Musk, se sa t’u kujtoj të gjithëve se si jetohej përpara revolucionit dixhital. Në disa këndvështrime, sipas meje, nuk ka qenë keq.

Çfarë ju mungon më shumë nga ajo kohë?
Ndjesia e të qenurit në një vend të vetëm, në një çast të vetëm, pa pasur ndjesinë e ndërlidhjes së njëkohëshme me gjithë botën. Më mungon liria për të injoruar postën elektronike, mesazhet, njoftimet me qëllim zhytjen totale në një gjë të vetme. Më parë ikje diku e qëndroje në ndonjë hotel dhe askush s’e dinte çfarë po bëje. Ndërsa tani nuk jemi kurrë vetëm.

Të kalojmë në disa prej gjërave të humbura që përshkruani në libër: Të gjithëditurin…
Të gjithë e njihnim një: ekspertin e gjithëanshëm, që mbante mend gjithçka dhe që i njihte gjithë gjërat. Sot ai është zhdukur sepse secili prej nesh është i gjithëditur. Sapo kam kaluar një fundjavë me një mikeshë që vazhdimisht pyeste Sirin: më thuaj këtë, më thuaj atë, dhe Siri i përgjigjej me përpikmëri.

Të humbasësh në një qytet të panjohur, ose edhe në qytetin tënd…
Me “Google Map” e dimë gjithmonë se ku jemi, ku po shkojmë apo se si ta arrijmë destinacionin në kohën më të shkurtër. Sigurisht është e nevojshme, por edhe humbja kishte hijeshinë e saj. Ka humbur përgjithmonë gëzimi i rigjetjes së rrugës së duhur, sepse e kemi paraprakisht qartësinë e daljes nga labirinti.

Të gjesh rastësisht shpirtin binjak…
Një brez më parë, nëse dikush thoshte se e kishte njohur të dashurën apo të dashurin në një faqe për zemrat vetmitare, shihej me keqardhje: i shkreti, nuk ka jetë sociale, është i ndrojtur, i çuditshëm. Tani ndodh e kundërta: shihesh çuditshëm nëse flirti yt nuk nis në internet. Interneti ndihmon, por a e doni emocionin e një takimi të rastësishëm në një lokal, në një bibliotekë, në një plazh?

Fotoja e shkrepur keq…
Nuk ka më. Ata të moshës sime shkrepin tre apo katër foto në një pozicion dhe pastaj fshijnë direkt fotot ku kanë dalë jo mirë dhe ruajnë të saktën. Nuk ekzistojnë më fotot që dilnin keq e që na bënin aq shumë për të qeshur, ka vetëm poza qesharake që bëhen me kast.

Kartolinat…
Në kohë reale dërgojmë kartolina dixhitale me fotot e pushimeve tona. Por a nuk ishte bukur të hapje kutinë postare dhe të gjeje imazhin e një vendi ekzotik dërguar nga një mik me përshëndetjen shkruar me dorë dhe të mendoje: pa shiko, ku ka qenë?

Të mos dish se çfarë moti do të bëjë…
Të kontrollosh parashikimin e motit është një fiksim aq i madh sa i besojmë çdo gjëje që thotë telefoni e nuk e marrim mundimin të nxjerrim kokën në dritare.

Enciklopeditë dhe fjalorët…
Të zëvendësuar nga Google, por nuk është e njëjta gjë. Nëse kërkon një fjalë në fjalor, ndoshta të kap syri fjalën ngjitur dhe nis e lexon edhe atë, duke nxitur bashkime të paparashikueshme. Në Google nuk ka gjëra ngjitur.

Vlen edhe për leximin e gazetave.
Sigurisht. Në një artikull dixhital lexon vetëm atë, ose maksimumi ndjek link-et të përfshira në tekst. Në letër syri lëviz nëpër faqe dhe mund të kapë stimuj të tjetër, botë të tjera.

Pamela, si përfundim, ju a do të hiqnit dorë nga interneti për të pasur 100 gjërat e humbura për të cilat flisni në librin tuaj?
Jo, sot nuk do të mund të jetoja pa internetin. Por nëse do të mund të zgjidhja se në cilën epokë të jetoja, do të zgjidhja atë kohë kur interneti nuk ishte shpikur ende. Më dukej më befasuese, më spontante dhe më romantike.

*Pamela Paul është një opinioniste, gazetare, redaktore dhe shkrimtare amerikane. Që nga viti 2022, është kontributore në “New York Times”. Nga viti 2013 deri në 2022, ajo ishte redaktore e “Book Review”. Intervista u përkthye nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *