Borges
Mbretëria e Javier Marias

Mbretëria e Javier Marias

Nga Ernesto Franco/ “Të tregosh është thuajse gjithmonë një dhuratë”, shkruan Javier Marias në faqen e parë të romanit “Fytyra jote nesër”. E nëse secili prej lexuesve përpiqet të kujtojë librat e lexuar e aq të dashur në harkun e kohës e përgjatë jetës së tij, nuk do ta kishte të vështirë për të zbuluar apo për të njohur të vërtetën e natyrshme të këtyre fjalëve.

Ka shkrimtarë të cilëve u jemi mirënjohës për një a dy libra, për një histori, për një personazh, e madje edhe për një dialog apo një frazë, ose edhe vetëm për një skenë, që bëhet pjesë e katalogut e skenave absolute – siç i quante Stevenson – që lënë gjurmë përgjithmonë në kujtesën tonë dhe që na shërbejnë gjithë jetës për t’i dhënë formë eksperiencave tona, ndjenjave, mendimeve. Edhe kjo është një arsye përse lexohet, jo për të gjetur formula, por për të kërkuar forma, duke i përdorur që përkohësisht të ndalojmë të papërcaktueshmen që e hasim në rrugën tonë.

I ndryshëm dhe më i rrallë është rasti i shkrimtarëve të cilëve u jemi mirënjohës për krijimin e një mbretërie në të cilën, sigurisht nëse ata janë sovranë, ne lexuesit qartësisht nuk ndihemi subjekte, por qytetarë. Dua të them se në atë mbretëri, të karakterizuar nga luhatja e përhershme mes të vërtetës dhe imagjinatës, nuk ndihemi të detyruar të jemi pjesë, por përkundrazi e gjejmë veten natyrshëm pjesë të saj. Bashkëndajmë vendet dhe kohën, rrëfimet fantastike dhe anët e errëta, figurat, citimet, leximet e madje edhe goditjet e befta, që i njohim si sinjale orientimi. Atëherë në këto raste nuk bëhet fjalë për një histori të vetme, për një personazh apo për një skenë absolute, por për një vepër, ose më mirë të thuhet një univers në lëvizje, një “formë kohëzgjatjeje”, “ai vend i përjetësisë sime – siç shkruan Marias – që na përfshin në vetvete në çdo këndvështrim të tij, që ka formën narrative të një romani a të një tregimi, të një poezie, të një eseje, të një shakaje ose edhe vetëm të një artikulli gazete apo kronike sportive.”

Mendoj se Javier Marias i përket këtij grupi të fundit të shkrimtarëve. Sigurisht që ashtu si gjithmonë, këta shkrimtarë mund të takohen apo jo, por nëse e takon atëherë do të jetë e vështirë të preferohet apo të refuzohet ky apo ai libër, në rastin tonë “Një zemër kaq e bardhë”, “Nëser në betejë mendo për mua”, “Shpina e errët e kohës”, “Njeriu sentimental”, “Jetë të shkruara”, “Kur isha i vdekshëm”, “Kështu nis e keqja”, “Berta Isla”, “Tomas Nevinson”. Përkundrazi, ato do të dallohen si pasazhe të ndryshme të të njëjtit qytet, në të cilin gjithmonë zhvillohet e njëjta ngjarje në një mijë forma të ndryshme, një lojë që bëhet edhe loja jonë. “Në momentin që shkruaj ose tregoj histori dhe shpik personazhe – thotë Marias – kam mësuar, kam njohur apo kam menduar gjëra që vetëm në letërsi mund të dihen, të njihen apo të mendohen. Ndonjëherë vetëm në trillim, në shkrimin e romaneve dhe të tregimeve. Shpesh herë më ndërmendet ekzistenca e diçkaje që kemi prirjen ta harrojmë dhe që nga kohët e hershme quhet “mendimi letrar”, i ndryshëm nga çdo mendim tjetër, i ndryshëm nga ai shkencor dhe filozofik, nga ai logjik e matematikor dhe madje edhe nga mendimi fetar e politik.”

Marias shpjegon se nuk bëhet fjalë për një mendim mbi letërsinë, por për një mënyrë që e përfytyron botën në mënyrë letrare, një mendim i vështirë për t’u përkufizuar sepse mund të jetë në kundërshti me vetveten dhe nuk është subjekt i ndonjë demonstrimi apo verfikimi, mund të duket arbitrar, tekanjoz e madje qesharak. Është një formë “njohjeje” që na bën të themi: ja ku është. Thënë shkurt, “është një menyrë për të ditur se dikush e di atë që nuk dinte se e dinte.”

Letërsia për të cilën ka interes Javier Marias, si shkrimtar por edhe si lexues, është ajo që “tregon misterin” pa propozuar shpjegime. Nëse ndjenja jonë përqafon një ide të botës dhe të përvojës së krijuar si nga ajo që ka ndodhur, ashtu edhe nga ajo që mund të kishte ndodhur, si nga ajo që është reale ashtu edhe nga ajo që është më thellë e më e vërtetë, si nga imagjinata dhe nga arsyetimi, nuk do të kemi gjetur vetëm një libër apo thjesht ndonjë histori, por një mbretëri në të cilën, pa asnjë ngushëllim, do të jemi në gjendje të njohim vetveten.

*Ernesto Franco është shkrimtar italian. Këto rreshta i ka shkruar disa vite më parë për një aktivitet me lexuesit romanë, dhe që siç shkruan vetë “po i botoj vetëm tani, sepse prej një ore kam mësuar se Javier Marias ka vdekur në Madridin e tij. Nuk e dija që ishte kaq rëndë. Preferoj të publikoj këto fjalë të menduara me qetësi sesa të improvizoj në rrëmbimin e emocioneve, të trishtimit e të mungesës”. Përkthyer nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.