Borges
Çfarë borxhi i ke leximit?

Çfarë borxhi i ke leximit?

Nga Erjon Uka/ Mjekra e Édouard Philippe u bë shumë e famshme gjatë pandemisë. Nëse do ta shkruante vetë ai historinë e atyre muajve, nuk mund të kishte gjetur një metaforë më të mirë. Kryeministri i Francës, prej vitit 2017 deri në 2020, që shfaqej disa herë në ditë përpara kamerave për të dhënë përditësimet e situatës pandemike, teksa mjekra që zbardhej e zbardhej nga dalja në dalje. Nga stresi? Nga presioni? Shenjë e lodhjes?

Thjesht vitiligo, siç e deklaroi vetë, duke i dhënë fund thashethemnajës, ama edhe duke shkundur përfundimisht pluhurin e misterit që ia zbardhte në mënyrë asimetrike mjekrën.

Por megjithëse nuk ka shkruar historinë e tij të atyre muajve, ka shkruar diçka më të mirë, për qejfet e mia prej leximtari. Në pozitat e Kryetarit të Bashkisë së Le Havre, në vigjilje të emërimit si Kryeministër në Qeverinë e formuar nga Emmanuel Macron, botoi “Njerëz që lexojnë”, një libër i nisur si një ese mbi politikat publike të leximit, por i bitisur si një rrëfim personal në kohë të ndryshme, të një njeriu që gjithë formimin ia dedikon leximit, edhe duke shërbyer si simbolikë se cilido që leximin e ka stil jete, nuk mund të jetë i ftohtë në shkrimin e një teksti të ngurtë politikash, sepse është gati e pamundur të mos përfshihen kujtime, aroma, ndjesi, citime, refuzime apo admirime, sugjerime, sqarime, krenari apo keqardhje.

“Njerëz që lexojnë” e zbulova rastësisht të botuar në shqip, në raftin e tetë të librari “Buzuku” në Prishtinë. S’mund të mos e merrja. Janë tërheqës librat e politikanëve, edhe kur faqe pas faqe të bren dyshimi nëse e kanë shkruar vetë, apo ia kanë shkruar. Dyshim i përhershëm, ama i mbrujtur edhe më shumë vitet e fundit, me shfrenimin e ritmit të jetës politike në komunikimin global. Gjithkush duhet të jetë gjithkund, e askush nuk ka kohë për t’u thelluar, prandaj më shumë se me fjalën, flitet me imazhin.

Tjetër diskutim ky.

Librat e politikanëve përgjithësisht janë tërheqës.

Aq më tepër në Francë, ku të jesh shkrimtar nuk do të thotë thjesht të shkruash një libër, por të ndërtosh një vepër.

Aq më tepër një politikan që shkruan për leximin. Jo për librat, por për njerëzit që lexojnë.

Sepse tek Édouard Philippe ky koncept është shumë i qartë dhe jam i sigurt nëse do të zgjidhte që lexuesi të mbante mend diçka nga faqet e shkruara prej tij, do të ishte kjo: leximi është qëllimi, libri është mjeti.

Dhe në të vërtetë, ndër grackat e mëdha të politikave publike të leximit ai rendit grackën e shpërndarjes masive përmes dhurimit të librave (sepse nuk mjafton ta vendosësh njeriun përballë librit që ai ta hapë e ta lexojë), grackën e konfuzionit mes politikës së leximit dhe politikës së shtimit të bibliotekave (patjetër që janë thelbësore bibliotekat, por ama ato u flasin para së gjithash atyre që lexojnë dhe janë të rezervuara për ata që lexojnë, duke përbërë edhe një barriere shpesh herë e pakapërcyeshme për ata që janë larg librit) dhe gracka e tretë është fetishizmi i librit (shënjestra publike e politikës duhet të jetë leximi si qëllim, jo libri si mjet, që përpos së gjithash sot nuk është i vetmi burim leximi).

“Asgjë s’do ta zëvendësojë ndonjëherë leximin si mjet për grumbullimin dhe përhapjen e diturisë njerëzore; sepse në një qytet si Le Havre, ku situata shëndetësore dhe sociale është që prej shumë kohësh më e vështirë se gjetke, ku dështimi shkollor mbetet më i shpeshtë pavarësisht përpjekjeve të ndjeshme të bëra nga ekipet pedagogjike dhe kolektivet territoriale, ku papunësia mbetet që nga 1980 mbi mesataren e vendit, duhet të rikthehemi gjithmonë tek thelbi. Dhe për mua, ky thelb është leximi. Leximi si mjet per t’u ndërtuar, rritur, formuar, zbuluar, shkëmbyer dhe arrirë. Pikërisht ngaqë në Le Havre ndjenja e ngutshmërisë sociale është më e fortë se gjetkë, më është dukur e nevojshme që të hap rrugën e një politike të gjatë, duke e përqafuar leximin nga të gjitha këndvështrimet”, shkruan Philippe, për t’i paraprirë një paragrafi që shpjegon dhe thelbin e gjithçkaje:

“… mbase prapa kësaj arsyeje themelore, e cila vjen nga një analizë dhe një zgjedhje politike, kishte dhe një pjesë tjeter më vetjake dhe më subjektive. Mbase, thellë brenda meje, ishte ndjesia se unë i detyrohesha diçka leximit. Fakti që kisha qenë nxënës i mirë, që ia kisha arritur në provime dhe konkurse, që tani gjendesha në një situatë ku mund të ngjizja dhe zbatoja politika publike, vinte pikërisht ngaqë dikur më kishte pëlqyer të lexoja. E se në thelb, t’i kushtosh energji dhe mjete që edhe të tjerëve t’u pëlqeje leximi, që të lexojne dhe të lexojnë prapë, ishte një mënyrë për ta quajtur të larë borxhin që kisha ndaj leximit.”

Një prej atyre formulimeve, për të cilat mund ta kesh mendimin, të turbullt, por jo fjalët, sepse nuk të vijnë a ndoshta mendimi nuk është pjekur sa duhet, por kur rastësisht, atëherë kur s’e pret, i lexon të renditura aq qartë, thua: “ja, kjo është!”.

Sepse fatkeqësisht kupton se politikat publike të leximit s’mund të realizohen nga njerëz që nuk i kanë asnjë borxh leximit. Kufijtë e së realizueshmes nuk përcaktohen vetëm nga dëshira.

Do të ishte goxha më mirë sikur shumë më shumë t’i kishin borxhe leximit. Megjithëse e vërteta është larg kësaj.

Thashethemet politike thonë se Édouard Philippe, i cili tani i është rikthyer detyrës si Kryebashkiak i Le Havre,  mund të jetë pasardhësi i Emmanuel Macron në Pallatin Elize në zgjedhjet e vitit 2027. A mos po tregohem i përciptë duke shpresuar që të ishte e vërtetë, se një president francez që artikulohet për leximin do të ishte lajm i mirë për politikën europiane? Mundet. Por më pëlqen, dhe ndonjëherë kaq mjafton. Siç pëlqen një libër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *