Të gjitha
Pesha e shtatorit, ose viti që nuk ditëm ta jetojmë

Pesha e shtatorit, ose viti që nuk ditëm ta jetojmë

Nga Giuseppe Lavenia/ Çdo vit, në fund të gushtit, skenari mbetet i njëjtë: zbrazen valixhet, qytetet nisin të pulsojnë sërish prej trafikut dhe zhurmës dhe axhenda mbushet me takime dhe afate. Ky skenar shoqërohet gjithmonë me atë ndjesinë e boshllëkut që shumë e përkufizojnë si “sindroma e rifillimit të punës”. Por ta shpërfillësh si një shqetësim të përkohshëm, do të thotë të mos e kapësh rrënjën e saj të thellë.

Problemi në vetvete nuk është kurrë shtatori. Problemi është gjithçka që e paraprin. Dymbëdhjetë muaj në të cilët puna, rutina, madje shpesh edhe marrëdhëniet, përjetohen me një ndjenjë shtypjeje, sikur të ishin vetëm një pengesë për t’u kapërcyer në pritje të së vetmes kohë që konsiderohet e denjë për t’u jetuar: pushimet. Kështu, e gjejmë veten duke mbijetuar nga shtatori deri në korrik, duke ushqyer shpresën se “në gusht do të vijë shpëtimi.”

Në këtë mekanizëm, pushimet shndërrohen në një mit të paarritshëm, në një enë të brishtë që duhet të na rikthejë energjinë, lumturinë, lehtësinë, intimitetin, madje edhe dashurinë. Por asnjë javë në det, asnjë shëtitje në mal, asnjë darkë me pamje nga perëndimi i diellit nuk mundet ta mbajë peshën e asaj që nuk arrijmë ta kultivojmë gjatë vitit. Dhe pikërisht ky disproporcion prodhon zhgënjim: kërkojmë shumë prej pushimeve, por i kërkojmë shumë pak vetes sonë në ditët e zakonshme.

Pushimet, në thelb, kurrë nuk janë thjesht një ndërprerje. Ato janë pasqyra e asaj që na mungon. Në ato ditë, shfaqen më qartë krisjet që kemi: nëse jemi vetëm, vetmia duket më e ashpër; nëse jemi të pakënaqur, boshllëku bëhet më i zhurmshëm; nëse jetojmë marrëdhënie konfliktuale, koha e detyruar së bashku i përkeqëson ato. Megjithatë, vazhdojmë të besojmë se mjafton të “shkëputemi” për t’i rivendosur gjërat në rendin e duhur. Por psikika nuk funksionon si një pajisje elektronike: nuk ka një buton rindezjeje, ka nevojë për vazhdimësi.

Kjo është arsyeja pse kthimi nga pushimet bëhet kaq i dhunshëm: ne nuk kthehemi thjesht në zyrë, por kthehemi për t’u përballur me paqëndrueshmërinë e një jete që nuk është vërtet e jona. Kthimi bëhet një llogaridhënie, jo një ndryshim i zakonshëm i peizazhit. Ngjan sikur pushimet e kanë lënë të qetë vetëdijen për shqetësimet tona, ndërsa shtatori e ka riaktivizuar me forcë.

Nëse duam vërtet ta shpërbëjmë këtë mekanizëm, duhet të ndryshojmë këndvështrim. Pushimet nuk shpëtojnë askënd. Ato mund të lehtësojnë, por jo të shërojnë. Nuk janë kura, por intervali. Sfida e vërtetë është të mësojmë ta kultivojmë kënaqësinë gjatë vitit “normal”: t’i lejojmë vetes pushime të shkurtra dhe të rregullta, pa e shtyrë gjithçka për një muaj të vitit; të rikthejmë kuptimin në punë, jo si burimin e vetëm të identitetit, por si pjesë të jetës; të krijojmë momente kënaqësie dhe lidhjeje autentike edhe brenda rutinës.

Psikologjia na mëson se mirëqenia nuk është ndodhi e jashtëzakonshme, por një proces i përditshëm. Ajo është një mirëmbajtje e ngadaltë, e bërë me gjeste të vogla dhe të qëndrueshme, jo me arratisje të mëdha e të rralla. Nëse mbështetemi vetëm te pushimet, do të vazhdojmë të kthehemi të zbrazur dhe të inatosur. Nëse përkundrazi mësojmë të “jetojmë vitin”, shtatori nuk do të jetë më një ndëshkim, por vetëm një udhëkalim, një mundësi e re fillimi.

Pushimet mbarojnë, është e vërtetë. Por nuk duhet të marrë fund mundësia për t’u ndier gjallë. Dhe nëse kuptojmë se po ndodh pikërisht kjo, ndoshta faji nuk është i kalendarit, por i mënyrës se si kemi vendosur – ose nuk kemi pasur guximin – t’i jetojmë ditët tona.

*Giuseppe Lavenia është psikoterapist, profesor dhe President i Shoqatës Kombëtare për Varësitë nga Teknologjia të Italisë. Ky artikull u shqipërua nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *