Mos kërkoni të jemi të mirë në një botë çnjerëzore
Nga Francesco Piccolo/ “Mbijetesa e një ligjërimi njerëzor në një botë ku çdo gjë është çnjerëzore”. Është një frazë që Italo Calvino e ka shprehur gjatë një konference të vitit 1976 dhe në të cilën, në një farë mënyre, distancohet nga detyra që prej disa kohësh, sipas tij, i ishte dhënë intelektualëve dhe më specifikisht shkrimtarëve, në faqet e gazetave.
Duke u nisur prej rëndësisë që kishin gazetat në vitet ’70 dhe nga rëndësia që kanë ato sot, është një pyetje që ende ekziston dhe bëhet fjalë për një detyrë që shkrimtarëve ende u jepet dhe që shkrimtarët ende e marrin, si të bëhej fjalë për diçka automatike.
Nëse ndodh një dhunim, apo një ngjarje shkatërrimtare a një akt terrorist, fillimisht jepet historia e gjallë e raportuar nga gazetarët, dhe më pas perceptohet hapësira kushtuar ligjërimit njerëzor që një pjesë e komentit është shfajsues duke thënë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, sa të këqij janë njerëzit dhe si duhet të bëhen të mirë.
Pikërisht prej kësaj distancohet Calvino, duke thënë, përveç të tjerash, se ligjërimi njerëzor përbëhet nga pohime të përgjithshme pa asnjë përgjegjësi praktike. Kjo është çështja. Deri më tani, deri në nisje të kësaj lufte e për pasojë prej shumë dekadash, ishte e mundshme të luhej roli (i diskutueshëm por legjitim) i atij që ligjëron njerëzisht në një botë çnjerëzore. Pra, të merrej detyra dhe roli i të mirit. E gjitha kjo zgjati për dekada. Dhe për disa të pakujdesshëm, vazhdon ende në këto javë.
Por në të vërtetë, kjo luftë kaq e afërt dhe e ndërlikuar – pavarësisht qartësisë se kush po sulmon e kush po sulmohet – hoqi një zakon ndaj të cilit të gjithë ishin nënshtruar. Derisa çnjerëzorja u paraqit shumë afër dhe më çnjerëzore, në mënyrë që të na kujtojë ato që për dekada kemi konsideruar fakte të tmerrshme historike të së kaluarës (ose fakte të vendeve të largëta, dhe për këdo që donte të krijonte një ligjërim njerëzor ndodhej tashmë në një kontradiktë përcëlluese) ishte shumë e lehtë të ishe i mirë. Vetëm gjatë luftës në ish-Jugosllavi shijuam kotësinë e ligjërimit të përgjithshëm dhe pozitiv, por qemë në gjendje të riktheheshim me shpejtësi në gjendjen fillestare.
Tani, ndoshta, edhe ligjërimi njerëzor është shkatërruar përgjithmonë. Kemi mësuar emrat e çdo korrespondenti të çdo gazete apo çdo edicioni lajmesh dhe kemi bërë drejtësi për madhështinë e gazetarisë në terren; por zërat e komentuesve – nëse nuk janë ekspertë dhe për rrjedhojë jo të përgjithshëm – po zbehen. Dhe nuk ua ndjejmë mungesën.
E përshkruar në mënyrë të përgjithshme, fjala “paqe” zinte vend mirë kur përdorej në kohë paqeje. Por tanimë është një fjalë shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë për t’u përdorur. Shumë komplekse në pranimin e hipokrizinë së nevojshme për të parë dhunimin e ligjeve që ndër dekada kanë rregulluar marrëdhëniet midis kombeve dhe të reagohet me sanksione mbi qymyrin dhe me pak sanksione mbi gazin.
Shumë i tmerrshëm mendimi për të hyrë në luftë për mbrojtjen e të drejtave civile dhe po aq lebetitës mendimi për ta pranuar me pafuqi tmerrin. Shumë e vështirë edhe të pranosh idenë (por që në fakt në një farë mënyre duhet pranuar) e negociatave me Putinin dhe gjetjen e një kompromisi; tepër e pamatur dhe e përgjithshme për ta quajtur “Hitler” dhe në këtë mënyrë për t’i kthyer shpinën tmerrit.
Çdo pohim përgjithësues, çdo ligjërim njerëzor përplaset me dyshime dhe problematika të ndërlikuara. Mjaft të mendosh se çfarë ndodh në harkun e një jave teksa themi se me takime diplomatike për një javë mund të gjendet një zgjidhje. Duam të mos përfshihemi, duam t’i qëndrojmë larg luftës, duam që tmerri të marrë fund, duam që të mos tejkalohen kufijtë e dhunimit të të drejtave njerëzore. Por ama jemi brenda vorbullës dhe mjetet për të dalë prej saj janë shumë të ndryshme dhe të ndërlikuara se sa ato që kishim në dispozicion përpara se të hynim në të.
Kjo luftë ka bërë që të mos ketë më hapësirë për ligjerimin e përgjithshëm njerëzor, për atë ligjërim që duket i përshtatshëm për çdo ngjarje tragjike apo fakt kronike, përmes atyre fjalëve me të cilat lexuesi sigurohej që ne ishim qenie të mira dhe s’mund të na ndodhte asgjë. Detyra nga sot e tutje është komplet tjetër nga fjalët e përgjithshme. Detyra është të kuptojmë jo se si ka mundësi që njerëzit janë të aftë për gjithë këtë, por se si t’i japim fund gjithë kësaj që po ndodh.
*Francesco Piccolo është shkrimtar, skenarist dhe gazetar italian, fitues i çmimit “Strega” në vitin 2014. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka. Publikuar edhe në Tiranapost.al