Borges
Hipokrizia gjermane

Hipokrizia gjermane

Nga Paul Krugman/ Lufta pushtuese e Vladimir Putinit ushqehet nga paratë që Rusia arkëton duke shitur karburant në Europë. Edhe pse deri tani Ukraina në mënyrë befasuese ka arritur të zmbrapsë tentativën ruse për të marrë Kievin, Putini nuk do të ndalet përpara se Europa t’i japë fund varësisë së saj energjitike.

Kjo do të thotë se Gjermania – ku liderët politikë dhe sipërmarrësit përsërisin se s’mund të bëjnë pa gazin rus ndërsa shumë ekonomistë gjermanë nuk janë dakord me ta – është bërë faktikisht bashkëpunëtorja e parë e Kremlinit. Është turp, dhe është po aq hipokrite në historinë gjermane të kohëve të fundit.

Ka dhjetëra vite që Gjermania është paralajmëruar mbi rreziqet e varësisë nga gazi rus. Por liderët e saj, të përqëndruar në përfitimet afatshkurtra të energjisë me kosto të ulët, i kanë injoruar këto paralajmërime. Në vigjilje të pushtimit të Ukrainës, 55% e gazit gjerman merrej nga Rusia.

Dihet se të presësh këto burime, apo edhe thjesht t’i reduktosh në mënyrë të vazhdueshme dhe në një periudhë të shkurtër, do të jetë e dhimbshme. Gjithsesi, analizat e organizatave të ndryshme – nga Instituti Bruegel në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë e deri tek qendra e studimeve EconTribute – tregojnë se efektet e një reduktimi drastik të importeve nuk do të ishin edhe aq katastrofike. EconTribute ofron edhe disa parashikime, ku më i keqi ndër ta është se embargoja do të ulte përkohësisht Prodhimin e Brendshëm Bruto gjerman me 2,1%.

Prodhuesit gjermanë refuzojnë t’i pranojnë këto studime. Në të vërtetë, çdo tkurrje për drejtuesit e kompanive përbën gjithmonë një shkatërrim ekonomik. Në vitin 1990 grupet industriale amerikane jepnin parashikime pesimiste kundër politikave për reduktimin e shiut acid, duke thënë se do të kushtonte qindra miliardë dollarë dhe të sillte edhe shkatërrimin ekonomik të rajonit Midwest. Asgjë prej këtyre nuk ndodhi. Përkundrazi, masat e ndërmarra sollën përfitime të mëdha për shëndetin publik me një kosto ekonomike tepër modeste.

Fatkeqësisht politikanët gjermanë, përfshirë Olaf Scholz, janë rreshtuar krah alarmantëve. Zbulesat e mizorive ruse në Ukrainë, i detyruan të pranojnë se diçka duhet bërë, por ende mungon ndjesia e urgjencës.

Në veçanti më prek një paralelizëm që shumë vëzhgues e kanë bërë: kontrastin mes ngurrimit aktual të Gjermanisë për të bërë sakrifica modeste, madje edhe përballë tmerreve të krimeve të luftës, dhe sakrificave të pafundme që Berlini u kërkoi vendeve të tjera të Europës gjatë kohës së krizës së madhe të dhjetë viteve më parë, e cila preku një pjesë të madhe të Europës Jugore. Në atë kohë, gjermanët fajësuan menjëherë qeveritë e përfshira, duke këmbëngulur me moralizëm të madh se ata ishin në telashe për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre financiare dhe se tani duhej të paguanin çmimin.

Siç do të bëhej e qartë më vonë, kjo diagnozë ishte kryesisht e gabuar. Rritja e normave të obligacioneve qeveritare në Europën Jugore reflektonte kryesisht panikun e tregut. Nuk reflektonte të dhënat reale ekonomike. Edhe në Greqi, interesi ra me shpejtësi sapo Mario Draghi, asokohe president i Bankës Qendrore Evropiane, shqiptoi në vitin 2012 fjalët “whatever it takes”, duke treguar se nëse do të ishte e nevojshme, Banka mund të blinte borxhet e ekonomive në vështirësi.

Pavarësisht kësaj, Gjermania ishte e para në radhë që pretendonte se vendet borxhlie duhet t’u vendosnin masa të forta shtrënguese qytetarëve të tyre, në veçanti përmes shkurtimeve të shpenzimeve publike, pavarësisht kostove ekonomike që do të shkaktoheshin. Dhe ato kosto ishin shumë të larta: mes vitit 2009 dhe 2013, ekonomia greke u tkurr me 21%, ndërsa norma e papunësisë u rrit me 27%.

Ndërsa ishte gati të impononte një katastrofë ekonomike dhe sociale për vendet me borxhe, Berlini nuk është i gatshëm t’i imponojë vetes kosto shumë më të ulëta, pavarësisht papërgjegjshmërisë së pamohueshme të politikave energjetike që ka ndjekur.

Kam një ndjenjë se paralajmërimet ndaj Gjermanisë për varësinë e panevojshme nga gazi rus kanë qenë shumë më të shpeshta dhe më të qarta se ato ndaj Greqisë për borxhet e saj. Por duket se tendenca famëkeqe e Berlinit për ta trajtuar politikën ekonomike si një shëmbëlltyrë morale vlen vetëm për vendet e tjera.

Për të thënë të vërtetën, Gjermania e ka kapërcyer mungesën e vullnetit fillestar për të ndihmuar Ukrainën. Dhe ndoshta, them ndoshta, duke kuptuar se mosndërprerja e rrjedhës së gazit rus e bën atë bashkëpunëtore në një shfarosje masive, mund ta bindë të veprojë seriozisht. Por ndërkohë, Gjermania mbetet nyja e dobët në përgjigjen që bota demokratike po i jep agresionit rus.

*Paul Krugman është ekonomist amerikan. Në vitin 2008 është nderuar me Çmimin Nobel për Ekonominë. Shkruan rregullisht për “New York Times” dhe është autor i shumë librave. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *