Borges
E keqja jonë është të mos bëjmë mirë

E keqja jonë është të mos bëjmë mirë

Nga Tahar Ben Jelloun/ Jeta do të ishte më e thjeshtë nëse djalli apo i afërmi i tij i ngushtë nuk të kishte shpikur këtë mëkat që nuk e thotë emrin, por që dëmin e bën të madh.

Jeta dashurore do të ishte e shtruar me lule dhe me gëzime të vogla prej të gjitha ngjyrave. Tradhtia do të kryhej në paqe. Të dashuruarit nuk do të duhej të shpikin truke për t’u takuar dhe për të justifikuar mungesën e tyre në shtëpinë bashkëshortore.

Rrëfimi do të ishte më i shëndetshëm dhe më i rrezikshëm. E vërteta nuk është gjithmonë e bukur për t’u thënë. A e imagjinoni një burrë që pyet gruan: “Ku ishe zemra ime?” dhe ajo që i përgjigjet: “Tek i dashuri, zemra ime”. Dhe ai, duke vazhduar leximin e lajmeve, shton: “Më fal për kuriozitetin, ishte thjesht për ta ditur”.

Ka qenë Shën Pali ai që e ka përkufizuar më se miri mosveprimin. “Bëj të keqen që nuk dua ta bëj dhe nuk bëj të mirën që dua ta bëj”.

Jam i pafajshëm. Jam një spektator i jetës dhe nuk mund të fajësohem për asgjë. Është goxha e lehtë kështu. Por feja e krishterë e konsideron mosveprimin si një mëkat, një mëkat që kryhet me një apati të vullnetshme.

Shoh një padrejtësi dhe nuk them asgjë. Nuk reagoj. Largohem. Hiqem mënjanë. I rregulloj punët me vetëdijen time. Shpik histori. Për një shkrimtar është e lehtë kjo gjë sepse puna e tij është pikërisht rrëfimi i historive dhe t’i bëjë të tjerët të besojnë se janë të vërteta ose tregojnë fakte të vërteta.

Mosveprimi është një formë burracakërie. Por gjithsesi, ndonjëherë mund të shpëtojë jetë. Mendoni skenën e mëparshme: “Ku ishe zemra ime?”; dhe gruaja përgjigjet: “Tek mamaja sepse ishte sëmurë”. Burri: “Por mamanë tënde e pashë te argjendaria në rue Siaghine”. E nga këtu hyn në lojë gënjeshtra dhe fajësimi, mëkati, fyerja. Burri nis të gërrmojë më thellë. Në fund do të thotë që gruaja e ka gënjyer dhe e ka tradhtuar.

Një situatë tjetër: mund të bëj diçka të mirë dhe nuk e bëj. Humbas mundësinë për të qenë i mirë, i gatshëm, njerëzor, bujar. Është një zgjedhje.

Në vendin tim ka shumë lypës. Disa janë profesionistë, të tjerë kanë nevojë me të vërtetë për ndihmë për të siguruar jetesën. Unë di t’i njoh gratë dhe burrat që lypjen e kanë kthyer në zanat. Jam në gjendje të kuptoj se kush ka vërtetë nevojë. Mund të fus dorën në xhep dhe t’i jap lypësit dhjetë a njëzet euro. Nuk do të më shkatërrojë, as nuk do të ndryshojë gjë në jetën time. Megjithatë unë nuk e bëj. Pse nuk e bëj? Për shkak të mosveprimit.

Shkoni shpjegojani një gruaje të uritur se për shkak të mosveprimit nuk i dhashë një kartmonedhë për të blerë ushqim! Nuk do ta kuptonte.

Edhe një shembull tjetër: mediat janë plot me informacione mbi emgrimin klandestin. Jam i mbingopur me informacione për këtë temë. Por qëndroj rehat në kolltukun tim dhe nuk bëj asgjë. E di se nuk kam shumë gjëra në dorë për emigrimin klandestin, por detyra ime si qytetar është të bëj gjithçka për të ndryshuar gjërat. Të shkruaj, të shpjegoj, të propozoj zgjidhje. Ama zgjedh të mos bëj gjë.

Mosveprimi më përkundet mbi kokë dhe në ndërgjegjjen time, shijon pushimet aty.

Në miqësi, mosveprimi ka sukses. Mosveprimi është një gënjeshtër (apo heshtje) që s’është e tillë. Unë e shmang thënien e një të vërtete që mund të shqetësojë, të lëndojë apo të vërë në siklet mikun tim. E shtrembëroj realitetin, e tërheq për qafe.
Shkel një rregull ose qëndroj në amulli në kryerjen e një veprimi për shkak të një ligji moral.

Shembull: Një miqësi e fortë dhe që zgjat prej vitesh. Njëri është mjek, tjetri gazetar. Gazetari vizitohet te miku i tij mjek. Mjeku i zbulon një tumor. Duhet t’i thotë të vërtetën apo ta sigurojë duke mos i thënë asgjë?
T’i thotë të vërtetën.

Dy reagime nga ana e pacientit:
1. Pranon ta dëgjojë të vërtetën duke e pranuar atë. Falenderon mikun që i tha të vërtetën për gjendjen e tij dhe vendos të kurohet.
2. Refuzon ta pranojë dhe inatoset me mikun për shkak se i dha një lajm të keq. E fajëson deri në pikën që mendon: “Është i lumtur që unë po vdes përpara atij”, ose: “Është një sadist, gjithmonë e kam menduar dhe tani kjo është prova”. “Është një mik i keq, jam gabuar për marrëdhënien tonë”.

Kjo sjellje e dytë mund të ketë edhe një interpretim tjetër: Jam aq shumë mik me këtë njeri saqë s’dua të më shohë duke u përkeqësuar gradualisht, prandaj i prish marrëdhëniet dhe zgjedh të mos e shoh më për të mos e lënduar.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një mosveprim problematik. Bëhet fjalë për fshehjen e së vërtetës ndaj mikut tuaj, me çmimin për ta lënduar atë.
Është një rast ndërgjegjeje dhe zgjedhjeje e dhimbshme.
A është e nevojshme t’i thuash një personi të dënuar nga sëmundja se i kanë mbetur edhe pak javë jetë? Nuk ka kuptim ta bësh.
Në këtë rast, mosveprimi bëhet detyrë.

Ata që e praktikojnë mosveprimin me bollëk janë politikanët. Nëse do t’u tregonin zgjedhësve të tyre të gjithë të vërtetën, nuk do të zgjidheshin kurrë.

Politika është arti i gënjeshtrës, që shprehet me fraza e me premtike përmes fjalëve boshe. Shoqëria e spektaklit e përshkruar në vitin 1967 nga Guy Debord u jetëzua në Itali nga Berlusconi dhe më pas frymëzoi shumë parti të tjera në Europë e madje edhe në Amerikë. Rezultati është një shtet i copëzuar dhe parti politike pa legjitimitet.

Letërsia nuk është sociologji. Shkrimtarët e deformojnë realitetin, e transformojnë dhe e rishpikin pafundësisht. Lexoni Borgesin. Të merren mendt. Është një gënjeshtar i madh, prej mosveprimit apo prej vullnetit. Ja çfarë shkruan: Jam një burracak, nuk ia dhashë adresën për t’i kursyer vetes ankthin e pritjes së letrave të saj.

Pra mbetet e rëndësishme të mos gënjejmë veten dhe të mos e braktisim mosveprimin në guvën e harresës.

*Tahar Ben Jelloun është shkrimtar maroken, që gjithë veprën e tij letrare e ka shkruar në frëngjisht. Për veprën e tij ka fituar çmimin e rëndësishëm letrar në Francë “Prix Goncourt” si edhe është nderuar me Legjionin e Nderit. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.

Publikuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *