Borges
Javier Marias, ose një zemër kaq e bardhë

Javier Marias, ose një zemër kaq e bardhë

Nga Javier Cercas/ Javier Marias kishte namin e njeriut të vështirë, por e vërteta është se atë ditë mes nesh gjithçka ishte shumë e thjeshtë, siç ishte edhe në korrespondencën e shkurtër që patëm gjatë viteve të fundit të jetës së tij, në të cilën unë kisha shquar një njeri të përzemert dhe të ndershëm.

Në atë kohë, flas për pranverën e vitit 2015, sapo isha kthyer nga Universiteti i Oksfordit, ku kisha mbajtur një seri leksionesh në St Anne’s College. Folëm për Oksfordin, pashmangshmërisht. Them pashmangshmërisht sepse mes viteve 1983 dhe 1985, kur ishte diçka më shumë se tridhjetë vjeç, Mariasi kishte qenë profesor i spanjishtes në Exeter College. Siç dihet, ajo eksperiencë ishte fara e e një cikli romash të vendosura ose të lidhura me Oksfordin, që përbëjnë një pjesë thelbësore të veprës së Mariasit. Ai më rrëfeu se nuk ishte kthyer më në Oksford qëkur e kishte lënë katedrën tridhjetë vjet më parë. “Asnjëherë”, e pyeta i hutuar. “As edhe një herë”, m’u përgjigj.

Hutimi im nuk kishte kuptim. Është e vërtetë që, si çdo lexues i “Negra espalda del tiempo” apo “Tu rostro mañana” kisha supozuar se në vitet pas qëndrimit të tij thuajse rinor në Oksford, Marias ishte kthyer shpesh atje. Këtyre vizitave i mveshja, ndoshta si pjesa më e madhe e lexuesve të tij, familjaritetin që ai tregon në romane me zakonet dhe veçoritë e qytetit dhe të banorëve të tij. Megjithëse nuk e kisha njohur Oksfordin e Mariasit në Oksfordin ku sapo kisha banuar për dy muaj, mospërputhja midis të dyjave nuk më kishte trandur dhe as nuk e kishte dëmtuar besueshmërinë time si lexues i Mariasit (ajo besnikëri e bekuar pa të cilën është e pamundur ta shijoni një roman siç duhet). Nuk ka rëndësi: e përsëris se hutimi im ishte absurd.

Mariasi nuk donte kurrë të kthehej në Oksford, me shumë gjasa që Oksfordi i realitetit të mos i bëhej pengesë Oksfordit të trillimeve, në mënyrë që ai të mund të vazhdonte të ndërtonte Oksfordin vetjak në romanet e tij. Me fjalë të tjera: Oksfordi i Mariasit është për Oksfordin e vërtetë siç është Londra e Dikensit për Londrën e vërtetë, ose Madridi i Galdos për Madridin e vërtetë ose, akoma më mirë, siç është Dublini i hartave gjeografike në Dublinin e Joyce, i cili në vitin 1904 u largua nga vendlindja e tij, dhe pasi u kthye për herë të fundit në vitin 1912, nuk u rikthye më, në mënyrë që ta imagjinonte me përpikëri në librat e tij. Shkrimtarët e mëdhenj nuk e pasqyrojnë realitetin, as nuk e rikrijojnë: shkrimtarët e mëdhenj e shpikin realitetin.

JAVIER MARIAS, NJË NDËR SHKRIMTARËT MË TË MËDHENJ SPANJOLLË BASHKËKOHORË. AUTOR I ROMANEVE “NJË ZEMËR KAQ E BARDHË”, “ASHTU SI DASHURITË”, “BERTA ISLA” DHE “TOMAS NEVINSON”.

Mariasi ishte një nga romancierët e mëdhenj spanjollë të shekullit të kaluar, ndoshta një prej romancierëve të mëdhenj spanjollë në kuptimin e plotë të fjalës. Romanet e tij kanë përbashkuar një numër të madh lexuesish në mbarë botën dhe i janë gëzuar një fame ndërkombëtare me shumë pak precedentë në letërsinë tonë. Është thënë për Borgesin, ndoshta shkrimtari më i madh i gjuhës sonë pas Servantesit apo Kuevedos, se ai ishte një autor anglez që shkruante në spanjisht; diçka e ngjashme mund të thuhej për Mariasin. Ama, ndryshimet që sjellin Borges dhe Marias në gjuhën tonë, janë të shenjave të kundërta (ndoshta sepse modelet e tyre thelbësore janë gjithashtu angleze dhe pothuajse bashkëkohore në të dyja rastet: Chesterton, Stevenson, Shaw dhe Kipling te Borgesi; Conrad dhe James, te Mariasi).

Spanjishtja e Borgesit ka një saktësi, përpikmëri dhe ashpërsi të paparë; Mariasi, nga ana tjetër, i jep ose aspiron t’i japë spanjishtes një gjerësi dhe shkëlqim verbal shekspirian (për këtë arsye Shekspiri është një referencë e vazhdueshme në veprën e tij).

Marias ishte një tregimtar gjithmonë në pararojë. Dy romanet e tij të parë, “Los dominios del lobo” dhe “Travesía del horizonte”, u botuan përkatësisht në moshën njëzet dhe njëzet e një vjeçare. Ca kohë më parë, e përkufizova të parin si një roman pop, një “pastiche” në të cilën Mariasi ripunon, me vetëdije ironike, një sërë elementesh që i atribuohen zhanreve lehtësisht të dallueshme siç janë romani amerikan dhe “filmat noir”, melodramën e Hollivudit, sagën klasike. Megjithatë “Los dominios del lobo” dhe “Travesía del horizonte” janë dy gurë të çmuar që do t’i befasojnë ata fatlumë që nuk i kanë lexuar ende dhe është e logjikshme që tani ato mund të interpretohen në retrospektivë, si një prolog rinor i veprës së pjekur të shkrimtarit.

Maturimi i Mariasit erdhi në dekadën pasardhëse, teksa largohej nga eksperimentet e tij të para duke luftuar për t’u ngjitur në krye të modeleve të tij thelbësore – ku të cituarve tashmë si Conrad dhe James u shtohen të tjerë, siç është Thomas Bernhard – e, megjithëse merr mësimet miqësore të Juan Benet, e asimilon në mënyrë krejt vetjake përpjekjen për stilin që Benet kishte teorizuar në “La inspiración y el estilo” dhe që e kishte praktikuar në universin e romaneve të tij folkneriane; Në këtë periudhë kërkimi apo ndërtimi personal, ishin thelbësore edhe çaste të tjera historike, veçanërisht përkthimi i admirueshëm i “Tristram Shandy”, një roman pa frymën e të cilit dhe pa ekstravagancat brilante servantine të tij, Mariasi ndoshta nuk do të ishte bërë Marias. Me Marias të vërtetë kam parasysh atë që shfaqet në “Todas las almas” dhe që më pas arrin kulmin në atë që, për mendimin tim, mbetet ende romani i tij më i arrirë: “Një zemër kaq e bardhë”.

Shpesh është shkruar se “Todas las almas” mbart një karakter themeltar në veprën e Mariasit. Është e vërtetë: në këtë roman të parë të ciklit oksfordian – ku Oksfordi shfaqet si një territor fizik, por edhe moral – ndërtohet një lloj formule që Mariasi do ta ripërpunojë shumë herë në romanet e tij të ardhshme, duke e pasuruar dhe plotësuar edhe më tej. Rrëfimtari, i cili përveçse është centripetal është edhe i gjithëanshëm, obsesiv, tejet i ndërgjegjshëm, meditativ dhe paksa fantazmagorik, nuk është aspak e vetmja karakteristikë përbashkuese e romaneve kryesore të Mariasit. Është gjithashtu atrofia e qëllimshme e rrëfimit, dendësia e mendimit ose më saktë aftësia me të cilën, në romanet e tij – si në ato të disa autorëve të Europës Qendrore që janë pothuajse bashkëkohësit e tij, Thomas Bernhard ose Milan Kundera – ai përfshin në mënyrë harmonike tregimtarinë dhe mendimin, duke e bërë këtë të fundit po aq thelbësor në përbërësit e romanit aq sa personazhet apo fabula (ose ndoshta, edhe më shumë).

Ashtu si mësuesit e tij anglosaksonë, si Marcel Proust, më të cilin është krahasuar shpesh herë, Mariasi është një psikolog shumë i thellë, një speleolog i aftë për të arritur në skutat e fshehura të ndërgjegjes sonë dhe për të rrugëtuar në lëmshin e pazgjidhshëm të motivimeve tona. Është gjithashtu një arkitekt i madh, ose një muzikant i madh: romanet e tij ndërtohen si simfoni, bazuar në përsëritje dhe variacione motivesh, kuptimet e të cilave zgjerohen, ndërthuren dhe bëhen më të thella, më të paqarta dhe më komplekse falë këtij variacioni dhe përsëritjeje të vazhdueshme, falë kësaj ndërthurje të vazhdueshme.

Thellësia, paqartësia dhe kompleksiteti: këto janë tre cilësitë thelbësore të rruzullit të romaneve të Mariasit, një botë personazhesh të përsëritur, që shfaqen dhe rishfaqen në romane të ndryshme, në tema të përsëritura.

Në fakt, shumica e romaneve të Mariasit mund të lexohen si një pyetje e gjatë mbi bashkëjetesën mes fshehtësisë dhe mashtrimit, mbi natyrën e pakapshme të së vërtetës ose pafuqinë e dijes, për vetë statusin e trillimit dhe për kurthet e kujtesës dhe harresës, mbi mosndëshkimin e krimit dhe legjitimitetin e vrasjes.

Në romanet e tij, Mariasi bën pyetje komplekse dhe shqetësuese në mënyrën më shqetësuese dhe komplekse të mundshme, por nuk u përgjigjet; të paktën, nuk përgjigjet qartë, pa mëdyshje dhe përfundimisht; përgjigjet e tij janë gjithmonë të paqarta, të ndërlikuara, të shumëanshme, në ndryshim të vazhdueshëm, në thelb ironike: në fund të fundit, përgjigja është vetë pyetja, vetë romani, vetë libri.

Në fund të fundit, këtu qëndron arti i romanit: të ngrejë pyetje pa përgjigje, ose për të cilat lexuesi zotëron vetëm përgjigjen (dhe çdo lexues ka të tijën). Këtu qëndron arti i jashtëzakonshëm i Javier Mariasit.

*Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i mbi 12 romaneve, në shqip janë përkthyer disa libra të tij si “Mashtruesi”, “Monarku i hijeve” dhe “Ushtarë të Salaminës”. Ky tekst është pjesë e fjalimit që autori ka mbajtur me rastin e anëtarësimit në “Real Academia Española”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *