Montanelli
Rrjetet sociale janë pjesëza vulgariteti, por ne kemi krijuar varësi

Rrjetet sociale janë pjesëza vulgariteti, por ne kemi krijuar varësi

Europa nuk është një utopi. Është një ideal që ka pasur meritën e ndalimit të luftërave në një kontinent ku kundërshtitë përfundonin gjithmonë në konflikte ushtarake. Por në këtë kohë ndarjesh, rreziqet janë shtuar. Është e vërtetë se demokracia ka qenë në rrezik qëkur ka lindur, edhe pse sot nuk është më aq shumë sa në shekullin e shkuar ku iu desh të luftonte ndaj totalitarizmave në Gjermani dhe Bashkim Sovjetik. Por në zgjedhjet e majit të ardhshëm, nëse lidershipi i sotëm në krye të Brukseit nuk arrin të ndalojë avancimin e lëvizjeve eurofobike duke ofruar diçka të re në krahasim me rutinën e rregullimeve dhe mërzinë e fytyrave të vjetra, kërcënimi mund të jetë shumë serioz. Mundet që kështu Europa të ndryshojë si fytyrë, ashtu edhe mision.

Fernando Savater, filozofi spanjoll që me esetë e tij në fushën e etikës është afirmuar si një prej zërave më me autoritet në mendimin europian, identifikon druajtjet që vijnë prej valës migratore. “Është imponuar një mendim politik i mirëmenduar, i cili nuk përballet me problemet për i mbulon ato. Europa nuk u përball me një strategji të përbashkët me çështjen e emigrantëve, por e shkarkoi përgjegjësinë në vendet më të ekspozuara gjeografikisht, ndërsa ato më pak të përfshira u mjaftuan me predikimin e solidaritetit pa ofruar ndihma konkrete. Është e kotë të ngresh mure apo t’i lësh emigrantët në det. Duhet gjetur një zgjidhje europiane ndaj një vale të pandalshme. Kush troket me dëshpërim në dyert tona, nuk do të tërhiqet me lehtësi.”

Për çfarë programi të madh mund të flasim nëse, me lëkundjen e Emmanuel Macron dhe perëndimin e Angela Merkel, bien edhe figurat e tjera të vendeve në drejtim.
Macron po përjeton një stuhi pasi u prit me të njëjtin entuziazëm që i dha Barack Obamas çmimin Nobel për Paqen sapo vuri këmbën në Shtëpinë e Bardhë. Por vështirësitë e tij mua më duken tranzitore, pasi Franca prodhon në mënyrë të vazhdueshme kriza të tilla. Më shqetësues është largimi i Merkel. Do të na mungojë humanizmi i saj pragmatik.

Problemi lind edhe nga revolucioni dixhital. Sa influencon interneti në penetrimin e mesazhit të sovranistëve?
Interneti, agora e kohëve tona, favorizon ata që shprehen në mënyrë të qartë dhe brutale. Qytetari në rrjet, por edhe në televizion, është mësuar të gjejë emocione të forta. Kështu që i jep pak vëmendje lajmeve të thelluara dhe e lë veten të entuziazmohet nga tonet shkatërruese. Edhe në politikë ndodh i njëjti fenomen. Njerëzit duan që Mesia t’u thotë: “më ndiqni dhe do të arrijmë në tokën e premtuar”. Një tendencë e ushqyer nga rrjetet sociale ku përhapet gjuha e shfrenuar. Janë pjesëza vulgariteti, budallallëku dhe harbutërie. Nëse njeriu fillon dhe gjen kënaqësi në këto mbeturina, shpejt kthehet në i ndërvarur.

Si mund të bllokohet ky revolucion anti-kulturor?
Me recetën e së vërtetës. Edukimi ka qenë gjithmonë një tentativë jo vetëm për ta transmetuar të vërtetën, por edhe për të gjeneruar interes karshi saj. Vijmë nga një mendim postmodern që e relativizon realitetin, duke thënë se nuk ekzistojnë faktet, por vetëm interpretimet. Prandaj edhe lajmet e rreme përhapen kaq lehtësisht, pikërisht sepse propozojnë të vërteta alternative. Është një trend që lindi në Shtetet e Bashkuara dhe u zhvendos edhe në gjuhën politike. Në zgjedhjet e fundit në Andaluzi, partia e ekstremit të djathtë “Vox” triumfoi pa pasur mbështetjen e mediave tradicioanle. Ashtu siç bëri Trump në vitin 2016. Shumë zgjedhës kanë votuar kundër gazetave dhe televizioneve të mëdha, për shkak të një vëllazërie që krijohet në rrjetet sociale.

Sa ka ndikuar mungesa e vëmendjes ndaj pabarazisë sociale?
Ky proces nisi kur u krijua besimi se ekonomia mund të çlirohej nga politika. Një projekt që parashikon rritjen e pasurisë për një numër të kufizuar njerëzish, pa u shqetësuar për tërësinë e shoqërisë, është padyshim vetëvrasës dhe sjell shtimin e ekstremistëve. Nyja nuk është pabarazia, por varfëria. Problemi është se borgjezia e vogël po proletarizohet.

Si mund të shpërndahet në mënyrë më të barabartë pasuria?
Sipas një postualati të vjetër, e gjithë pasuria është shoqërore, pra duhet të krijohet me qëllim që të jetë në avantazh të shoqërisë. Kjo nuk është një teori as e djathtë dhe as e majtë. Është një ide ku bazohet shoqëria e civilizuar. E kundërta ndodh sot, ku qeveritë e vendeve më të pasura europiane, për arsye që lidhen me bilancet e përgjithshme, u imponojnë rregulla të ashpra atyre më të dobëtëve. Dhe më pas që të gjithë, në vend se të investojnë në inovacion, i pranojnë si normale sjelljet e sipërmarrjeve të mëdha si Google apo Amazon që krijojnë përfitueshmëri duke iu shmangur detyrimeve fiskale. Justifikimi është se nëse dobësohen këto kompani, rrezikohet dobësimi i shumë shërbimeve thelbësore për modernitetin. Por për qytetarin e thjeshtë, që taksat duhet t’i paguajë të gjitha, ngurtësia e bilanceve dhe shpërndarja e pabarabartë janë fenomene demoralizuese.

Pas dështimeve spektakolare, populizmi hyn gjithmonë në skenë.
E vërteta është se populizmi nuk ka dalë kurrë nga skena. Në Argjentinë dominon skenën politike prej dekadash. Në përgjithësi, është një rrugëdalje e përkohshme, jo një sistem definitiv. Pakënaqësitë nuk e injorojnë atë, nëse mbështeten populistët gjërat nuk do të shkojnë më mirë. Të premtosh të pamundurën nga parametrat e përbashkët, është demagogji. Por gjithsesi, urrejtja i shtyn zgjedhësit e pakënaqur që të ndëshkojnë partitë e sistemit.

Trump, Putin, Bolsonaro, Erdogan, por edhe Orban, Kaczinsky, Salvini dhe tani Abascal në Andaluzi. Ekziston rreziku që marshimi i demokracive anti-liberale të degjenerojnë në një formë fashizmi?
Faktikisht liderët me një pamje më autoritare po korrin gjithmonë e më shumë sukses. Ata kërkojnë të tregojnë se janë në sigurt dhe janë në gjendje t’i zgjidhin problemet me radikalizëm. Të dhemb koka? Ta presim. Por një lloj i ri fashizmi arrin të imponohet vetëm kur një grup rreth pushtetit del mbi ligjin. Në vendet e forta, edhe nëse mund të kenë mbështetjen e popullit, nuk mund të afirmohen sepse e ndalojnë institucionet e tjera. Trump mund të jetë një president i dobët, dhe një arsye është sepse veprimet e tij ndalohen nga institucione të tjera që balancojnë pushtetitn. Por këto barriera për shembull nuk i gjen Putini në Rusi.

Në kërkimet tuaja filozofike, e vini gjithmonë e më shumë theksin në rëndësinë e etikës. A mund të jetë morali zgjidhja për të dalë nga kriza aktuale e demokracisë?
Intelektuali nuk është më një shenjtor laik, si në kohët e Bertrand Russell, Jean-Paul Sartre apo Romain Rolland. Sot është specialist, jo më një pikë referimi i privilegjuar. Personalisht mendoj se politika ka vlera të larta, edhe pse nuk mund ta shpërfillë etikën, qëllimi i të dyjave është të krijojnë kushte më të mira jetese. Preferoj një kryeministër jo të drejtë, por që e njëh mirë punën e tij, se sa një njeri pa të meta morale, por që rezulton të jetë amator./Fernando Savater është filozof dhe shkrimtar spanjoll. Është profesor në disa universitete dhe fitues i çmimeve letrare në Spanjë. Përkthyer nga Erjon Uka.

Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *