Reportazh/ Një ditë në Theth, në fshatin ku ka jetë prej dhe përtej turizmit
Me hyrjen e tetorit, Thethi avash-avash do të zbrazet. Më vonë do të mbulohet nga bora e rruga do të bllokohet. Pronarët e bujtinave do të largohen drejt shtëpive të përhershme, poshtë në qytet. Turistët po ashtu. Askush nuk do të postojë më foto, as do të bëjë check-ine deri nga maji tjetër. Ndërsa atje, pak familje, do të mundohen edhe këtë vit të mbijetojnë. Në Theth, në fshatin ku njerëzit kanë më shumë shpresa te Zoti se sa te Shteti, e ku jeta vazhdon e mundimshme përtej fotove të bukura të promovimit turistik.