Guliver
Reportazh/ Kuba pas Kastros, pak libra e shumë varfëri: Aty ku revolucioni është kthyer në besim fetar

Reportazh/ Kuba pas Kastros, pak libra e shumë varfëri: Aty ku revolucioni është kthyer në besim fetar

Në prill, Raul Kastro do të largohet nga pushteti, por duket se politika nuk i intereson shumë njerëzve. Një udhëtim në ishullin komunist, ku revolucioni është kthyer në fe, e ku Che Guevara ngatërrohet me Jezu Krishtin. Ka pak mjete informimi, shumë varfëri, e megjithatë kubanët jetojnë ende me dinjitet. Kuba sot sheh më shumë nga e shkuara, se sa nga e ardhmja.

Nga Wlodek Goldkorn/ Varri i Fidel Kastros në varrezat e Sant’Ifigenia të Santiagos në Kubë është në formën e një guri të madh oval me bankinë përpara, disa lule nëpër të dhe ka një pllakatë të zezë me gërma të arta ku shkruhet thjesht “Fidel”. Turistët e shfrytëzojnë për të bërë foto dhe më pas presin ndërrimin e rojeve. Një atraksion ky i njëjtë me me ceremoninë përpara Buckingham Palace në Londër. Çdo gjysmë ore bie këmbana dhe një grup ushtarësh meshkuj e femra, me uniforma jeshile që të kujtojnë stilin sovjetik, ecin me hap si të patës.

Pas varrit të Kastros ndodhen dy monumente. Njëri i përket martirëve të 26 korrikut, të rënë gjatë sulmit në Moncada 65 vite më parë. Monumenti tjetër u kushtohet “të rënëve për të kryer detyrën internacionaliste”, pra për ushtarët e vrarë në luftërat afrikane përgjatë viteve ’80. Pak hapa larg gurit që shënjon vendin e prehjes për komandantin e Revolucionit, të ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare në vitin 2016, ndodhet mauzoleu i Jose Martit. Ka formë cilindrike dhe mund të ngjitesh me shkallë, ndërsa poshtë është hiri i mbuluar me flamurin kombëtar. Për ata që nuk e dinë, Jose Marti konsiderohet si babai i pavarësisë kubane. Ka qenë poet (janë të tijat vargjet e së famshmes “Guantanamera”) dhe filozof i influencuar nga utopia e Ralph Emerson. U burgos nga spanjollët dhe këmbët i ka pasur të plagosura nga zinxhirët, ndërsa vdiq në betejë sapo zbarkoi në atdhe, në maj të 1895.

Kjo pjesë që treguam deri tani nuk përfshihet në turin e vizitave turistike në Santiago, por është një tentativë për të treguar se sa shumë identifikohet regjimi në Kubë me figurat e Kastros dhe Martit. Historia dhe kujtesa janë më të rëndësishme për regjimin se sa e ardhmja.

Ndërkohë është ende i gjallë kujtimi i skllavërisë. Polici i sjellshëm që ruan mauzolen e Martit na fton që të shohim edhe një memorial tjetër. “Është skulptura e Marianës për të treguar çlirimin nga skllavëria”. Pavarësia në Kubë nënkupton edhe fundin e skllavërisë.

Më 19 prill do të ketë një ndryshim pushteti. Rauli, vëllai 87-vjeçar i Fidelit që është në krye të vendit, do të tërhiqet nga pozicionet e tij. Asambleja e re kombëtare e zgjedhur më 11 mars duhet të zgjedhë pasardhësin, i cili me shumë mundësi do të jetë 57-vjeçari Miguel Diaz-Canel, një njeri i nomenklaturës komuniste. Por duke ecur nëpër rrugë, duke folur me njerëzit, kupton se çështjet qeveritare nuk u interesojnë shumë kubanëve.

Të bën çudi edhe mungesa e parrullave për të ardhmen e ndritur, aq shumë e përhapur në ish-vendet komuniste para viteve ’90. Në hyrje të çdo qyteti ka një pikturë të madhe të Fidelit, të Che Guevarës dhe më rrallë të Raulit. Por nuk gjen asgjë të Marksit apo të Leninit. Asnjë flamur të kuq, as drapër e çekan. Gjithashtu nuk gjen as kioska ku shiten gazetat. Librari ka pak dhe janë shumë të varfra. Në panairin ndërkombëtar të librit që u zhvillua na Havana disa javë më parë, libri që u shit më shumë fliste për funeralin e Fidelit. E vërteta është se regjimi kërkon më shumë të flasë për të shkuarën, gjë që më shumë i ngjan krijimit të një feje civile. Imazhet e Ernesto Guevaras ngatërrohen me ato të Krishtit të gjakosur; nga ana tjetër historinë e Shën Mërisë e ka zëvendësuar historia e nënës që vuan për djalin e saj, Jose Martin.

“Granma”, organi i Partisë Komuniste, nuk është prezent kudo, siç ishte “Pravda” në Bashkimin Sovjetik apo “Neues Deutschland” në Gjermaninë lindore. Mund të blihet te shitësit ambulantë për disa qindarka dhe përbëhet vetëm nga tetë faqe. Kur e lexon, të duket sikur po bën një udhëtim në kohë. Sigurisht që ka edhe një faqe me lajme nga bota, ku i thuren lavde Nicolas Maduros, presidentit anti-imperialist të Venezuelës dhe shkruhen disa rreshta në mbrojtje të Lulas, ish-presidentit brazilian të akuzuar për korrupsion. Pjesa tjetër është e përbërë e gjitha me tekste që përshkruajnë ngjarje nga vitet ’50: sulmi në kazermën e Moncadas, luftën kundër trupave të diktatorit Batista, tregime të atyre që ishin pranë Fidelit, biografi apo tregime romantike të shkruara shumë mirë nga drejtues komunistë dhe ushtarakë. Ndërsa gazeta tjetër quhet “Juventud Rebelde”, rini rebele, një thirrje melankolike për kohët mistike, në një vend ku të rinjtë ëndërrojnë Amerikën dhe rebelimi nuk është parë më.

Gjurmët e rebelimit i gjen në muzetë e Revolucionit dhe në memorialet e heronjve. Ish kazerma e Moncadas, e sulmuar në Santiago më 26 korrik të vitit 1953 nga rebelët e rinj të komanduar nga Fideli, sot është kthyer në shkollë. Uniformat e fëmijëve në oborr janë me motive nga flamuri kombëtar dhe duhet thënë se në Kubë nuk sheh fëmijë që kërkojnë lëmoshë, apo lagje të varfra si në Amerikën Latine. Po, është e vërtetë se mungojnë shumë mallra, por varfëria në Kubë është dinjitoze.

Në një krah të shkollës ndodhet edhe muzeu që kujton fillimin e Revolucionit, ku në hyrje janë edhe disa foto: Fideli me Brezhnjevin, Fideli me Honecker, Fideli me Arafatin. Të gjithëve komandanti u tregon një pushkë, sepse Bibla guevariste dhe kastriste, pra feja e re, thotë pikërisht këtë gjë: pushteti lind nga gryka e pushkës. Shefat janë ushtarakë, nuk janë politikanë dhe aq më pak teoricienë të marksizëm-leninizmit.

Por ekziston edhe një realitet tjetër. Kriza ekonomike po e grryen vendin, Trump nuk po ndihmon dhe turizmi amerikan lëngon. Ata që nuk janë në gjendje të hapin një “casa particular” (dhoma private që u jepen me qira të huajve) ose që nuk ka dikë në emigracion për ta ndihmuar me para, jeton keq. Intelektualët janë të dëshpëruar, e megjithatë, në ajër nuk ndihet frika. Të qëllon shpesh të takosh në rrugë kubanë që kanë luftuar në Angola e të hapin zemrën të nevrikosur, duke treguar se “shokët e mi vdiqën atje për hiçgjë”. Në vija të trasha biseda është kjo: “Kemi shkolla dhe shëndetësi, por duam edhe më shumë”. Në Trinidad, në ditëlindjen e Jose Martit sfilojnë vajzat e shkollave të qytetit. Kanë shumë tualet, janë veshur me pantallona të ngushta dhe çizme, lëvizin gjysmë nudo duke tundur edhe vithet. Kur arrijnë në skenë, i dëgjon të pëshpërisin diçka si lutje: “Të vdes si Che Guevara”./ Përkthyer nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *