“Pleqëria është si kumari, ku çdo ditë rrezikoj më shumë.” Intervista e fundit e Philip Roth për NYT: Çdo talent ka limitet e tij
Vepra e Philip Roth ishte një eksplorim i thellë dhe kritik i identitetit amerikan. Seksi, feja dhe morali ishin temat që trajtoi me ironi të hollë, në librat e tij kryesorë që gjenden edhe në shqip. Çdo vit kandidat, është një Nobel i munguar i cili prej shtatë vitesh kishte hequr dorë nga të shkruarit, pasi ia njihte limitet vetes e ajo çka mund të bënte nuk mund të ishte kurrë më e mirë se ajo që kishte bërë. Intervista e tij e fundit për New York Times, pak para se të mbushte 85 vjeç në muajin mars.
Prej më shumë se shtatë vitesh kishte hequr dorë nga të shkruarit, nga gjëja që diti të bënte më mirë dhe i dha kuptim jetës së tij për pesëdhjetë vite. Kur e pyetën përse, shpjegoi se ajo çka mund të shkruante tani s’do të ishte kurrë më e mirë se gjithë sa kishte shkruar përgjatë viteve.
Philip Roth është ndarë sot nga jeta në moshën tetëdhjetë e pesë vjeçare. Kohët e fundit jetonte në Connecticut, ku takohej me miqtë, shkonte në koncerte, merrej me postën elektronike, shihte filma të vjetër në FilmStruck dhe mbi të gjitha lexonte shumë, por jo romane.
Kjo është intervista e tij e fundit, e dhënë për New York Times në janar të vitit 2018. Në muajin mars mbushi 85 vjeç. Gazetari Charles McGrath e gjeti në formë të mirë fizike pavarësisht ndërhyrjeve të shumta kirurgjikale për shkak të problemeve në shpinë. “Është meditues, por di të jetë edhe shumë argëtues kur do”, e përshkruan ai shkrimtarin Philip Roth.
Ishte një Nobel i munguar, çmim për të cilin ka qenë thuajse çdo vit kandidat potencial. Por megjithatë, është nga ata shkrimtarë që Nobelin e ka marrë nga lexuesi, përfshi edhe atë në vendin tonë që në shqip mund të gjejë romanet “Ankimi i Portnoit”, “Martesë me një komunist”, “Inati” apo “Del Hija”.
Pas pak muajsh do të mbushni tetëdhjetë e pesë vjeç. Ndiheni i moshuar? Si është të plakesh?
Eh po, për pak muaj do të lë pleqërinë për t’u futur në pleqërinë e thellë, duke depërtuar çdo ditë e më shumë në Luginën e Hijes. Tani për tani habitem që jam këtu çdo ditë, e kur shkoj në shtrat në mbrëmje mendoj duke buzëqeshur: “E jetova edhe një tjetër ditë”. Dhe habitem prapë mëngjesin e së nesërmes, kur tetë orë më vonë shoh se jam akoma këtu. “Mbijetova edhe një tjetër natë”, mendoj duke buzëqeshur sërish. Mbyll sytë me buzëqeshje dhe zgjohem sërish me buzëqeshje. Jam shumë i lumtur që jam ende gjallë. Përsëritja e kësaj gjendjeje, javë pas jave e muaj pas muaji, qëkur kam dal në pension, të jep iluzionin se nuk do të mbarojë kurrë. Edhe pse sigurisht e di se gjithçka mund të përfundojë në një çast. Është si të luash kumar, ku çdo ditë vë një bast shumë të lartë. Por të paktën për tani është një lojë që po e fitoj. Të shohim deri sa do të zgjasë fati im.
Tashmë jeni një romancier në pension. Ju mungon shkrimi, a keni pengje?
Jo, aspak. Kjo sepse gjendja që më shtyu të ndaloj së shkruari shtatë vite më parë nuk ka ndryshuar. Ashtu siç shkruaj në “Why Write?”, në vitin 2010 pata dyshimin e thellë se tashmë i kisha prodhuar veprat e mia më të mira dhe çdo gjë tjetër që mund të shkruaja nuk mund të ishte më e mirë. Nuk ndjeja më forcën intelektuale, energjinë verbale dhe formën fizike për të ndërmarrë një tjetër sulm kreativiteti në një strukturë komplekse që kërkon përkushtim siç është romani. Çdo talent ka termat e tij kontraktualë: natyrën e vet, hapësirën dhe forcën, siç ka edhe një kohëzgjatje, një fund, një rënie. Jo të gjithë mund të jenë përgjithmonë pjellorë.
Çfarë kujtimesh keni në jetën tuaj pesëdhjetë vjeçare si shkrimtar?
Eufori dhe zemërim. Frustrim dhe liri. Frymëzim dhe pasiguri. Bollëk dhe boshllëk. Të shndrrisësh dhe të përfundosh si mos më keq. Ky është repertori i përditshëm i kontrasteve me të cilin përballet çdo talent, por edhe një vetmi e tmerrshme. Është heshtja: pesëdhjetë vjet në një dhomë të qetë si fundi i një pishine duke mbledhur racionet e mia më të mira ditore prozaike.
Dëshira seksuale mashkullore, më së shumti një dëshirë e frustruar, hyn në veprat tuaja si një ndër tematikat më të përdorura. Çfarë mendoni për realitetin e sotëm ku shumë gra po denoncojnë hapur meshkujt që kanë abuzuar seksualisht me to?
Ashtu si ju vëreni me të drejtë, si romancier nuk kam qenë indiferent ndaj rrymave erotike. Burra që kapërdijnë dëshirat seksuale janë një ndër aspektet e ekzistencës mashkullore që kam trajtuar në librat e mi. Burra të ndjeshëm ndaj thirrjes inekzistente të kënaqësisë seksuale, të privuar nga dëshirat e turpshme, por të joshur nga thirrje të ndaluara. Për dekada kam imagjinuar një rreth të vogël njerëzish të shqetësuar e të zotëruar nga dëshirat e zjarrta që kanë përfunduar duke bërë pakte shtrënguese. Nuk kam hyrë vetëm në mendjen mashkullore, por edhe në ato impulse të forta që duke u shtypur vazhdimisht vënë në rrezik racionalitetin e individit deri në atë pikë sa të përjetohen si një formë çmendurie. Prandaj shumëçka që kam lexuar nëpër gazeta, mua nuk më ka krijuar aspak habi.
Përpara se të merrnit pushimet, ju i kushtonit shumë kohë punës. Si i kaloni ditët tashmë?
Çuditërisht, megjithëse jo edhe aq çuditërisht, tani lexoj shumë pak prozë. Kam kaluar thuajse gjithë jetën duke lexuar narrativë, duke mësuar narrativën, duke studiuar narrativën e duke shkruar narrativë. Deri shtatë vite më parë mendoja vetëm për këtë. Prej atëherë i kaloj ditët duke lexuar histori, mbi të gjitha historinë amerikane por edhe atë moderne europiane. Leximi ka zëvendësuar shkrimin dhe tashmë përbën pjesën dominante, stimulin e aktivitetit tim intelektual.
Çfarë lexoni?
Së fundmi kam nisur të lexoj një përmbledhje heterogjene librash. Kam lexuar tre nga Ta-Nehisi Coates, më efikasi në profilin letrar. Duke lexuar Coates rashë në gjurmët e antologjisë së Nell Irvin Painter nga titulli provokues “Historia e njerëzve të bardhë”. Painter më solli te historia amerikane me “Skllavëria amerikane, liria amerikane” të Edmund Morgan që trajton historinë e madhe akademike të skllavërisë dhe lirisë. Nga Morgani arrita te esetë e Teju Cole, por jo pa kaluar më parë nga “Dorëshkrimi” i Stephen Greenblatt që flet mbi rrethanat e gjetjes së dorëshkrimit “De rerum natura” të Lukrecit në shekullin e pesëmbëdhjetë, i shkruar në shekullin e parë. Prej aty shkova te tregimi i Greenblatt se si “Shekspiri u bë Shekspir”. Mes tyre kam vlerësuar shumë edhe autobiografinë e Bruce Springsteen, “I lindur për të vrapuar”. Nuk di si ta shpjegoj ndryshe nëse nuk them se kënaqësia e pasjes së kaq shumë kohe në dispozicion për të lexuar është burim i surprizave të këndshme të pa-paramenduara. Kam lexuar “Përshtypje personale” të Isaiah Berlin, portretet e protagonistëve të shekullit XX që kishte njohur dhe vrojtuar. Përmban një portret të çmuar të Virginia Woolf dhe gjenialitetit të saj të frikshëm dhe gjithashtu momente nga takimi i tij në Leningradin e bombarduar të 1945-ës me poeten e jashtëzakonshme ruse Anna Akhmatova që në atë kohë ishte pesëdhjetë vjeç, e izoluar, e vetme, e urryer dhe e persekutuar nga regjimi sovjetik. “Leningradi i pasluftës për të nuk ishte gjë tjetër veçse një varrezë, varri i miqve të saj. Tregimi i tragjedisë së plotë të jetës së saj që kishte kaluar fizikisht gjithçka që mund të imagjinoja me fjalë”, shkruan ai. Kanë biseduar deri më tre apo katër të mëngjesit. Është prekëse por aq sa një përshkrim i Tolstojit. Ndërsa javën e kaluar kam lexuar dy libra të dy miqve të mi: Biografinë e James Joyce nga Edna Obrien dhe “Rrëfime nga një piktor i vjetër hebre”, një autobiografi stimuluesi e një prej miqve të mi, artisti i madh amerikan R.B. Kitaj. Shumë prej miqve të mi më të mirë kanë vdekur. Pjesa më e madhe ishin romancierë. Tashmë nuk i gjej më romanet e tyre në postën time dhe ia ndjej mungesën./Intervista u përkthye në shqip me disa shkurtime nga Erjon Uka.