Montanelli
T’i jepet fund ndarjes së lëndëve në shkencore e shoqërore: Propozimet e Edgar Morin për shkollën e shekullit XXI

T’i jepet fund ndarjes së lëndëve në shkencore e shoqërore: Propozimet e Edgar Morin për shkollën e shekullit XXI

“Shkolla merr përsipër të mësojë vetëm gjërat e qarta, por askush nuk u thotë fëmijëve se jeta është mbi të gjitha e mbushur me paqartësi.” Sugjerimet e Edgar Morin për arsimin në shekullin e XXI: Në shkencat humane gjykimi i mësuesve ka më shumë vlerë se notat, të shkohet drejt dijes së përgjithshme dhe epistemologjia të mësohet që në fillore.

 “Autoriteti i mësuesve është në krizë sepse shkolla nuk ka ditur të përshtatet me autonominë e re të kërkuar nga të rinjtë.” Filozofi francez Edgar Morin nuk beson se edukimi vjen nga lart, me stilolapsin e kuq apo me ndëshkime. Prej kohësh hulumton mbi kufijtë e rinj të pedagogjisë, siç ka bërë edhe në librin e publikuar para pak kohësh në Francë, “L’aventure de la méthode”, ku flet edhe për një revolucion të arsimit në shekullin XXI, një metamorfozë që ndryshon totalisht mënyrën tradicionale të dhënies së dijes, e cila duhet të jetë gjithnjë e më shumë e ndërlidhur dhe shumë-disiplinore. “Është e gabuar të fokusohemi vetëm te kultura shkencore, teknokrate, duke sakrifikuar kulturën humaniste. Duhet të mësosh të jetosh”, thotë Morin.

Çfarë do të thotë të mësosh të jetosh?
Të mësosh nuk do të thotë vetëm të njohësh gramatikën, matematikën, paksa gjeografinë dhe historinë. Shkolla duhet të kudeset për aspiratat tona të dyfishta: realizimin si individë në sjelljet dhe kapacitetet tona, si edhe krijimin e lidhjeve brenda komunitetit. Nëse na mësohet vetëm individualizmi, shpejt kthehet në egoizëm. Nëse mendojmë vetëm për komunitetin, kthehet në frustrim. Mësuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në këtë rrugëtim me dy aspirata kryesore të të rinjve.

Ju propozoni studimin e dijes, epistemologjisë, që në shkollën fillore. Pse?
Njohuria mbi dijen është gjëja e parë që duhet mësuar. Por veçanërisht për t’i dhënë dinjitet gabimeve. Nëse shohim shekullin e kaluar, vërejmë vetëm një sekuencë gabimesh: njerëzit ishin komunistë, fashistë, besuan në revolucione apo në ideologji të dështuara. Por për shkak të këtyre gabimeve janë bërë edhe shumë zbulime. Ndaj, dija nuk është një rrugëtim i drejtë, por plot me gracka, dyshime, korrigjime.

Pra, gabimi duhet të pranohet dhe jo të ndëshkohet?
Çdo gabim analizohet, sepse është një mundësi e madhe për të bërë progres. Shkolla merr përsipër të mësojë vetëm gjërat e qarta, por askush nuk u thotë fëmijëve se jeta është mbi të gjitha e mbushur me paqartësi: shëndeti, ekonomia, luftërat. Që në fillore fëmijët duhet të edukohen me faktin se paqartësitë janë pjesë e ekzistencës sonë dhe duhet të mësohen të njohin gabimet dhe iluzionet. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është të hapemi ndaj dijes ndërdisiplinore.

Po “mendimi kompleks”, për të cilin keni folur vite më parë?
Ndarja e lëndëve sot nuk ka më kuptim. I gjithë sistemi arsimor, i ngritur mbi bazën e ndarjes mes shkencave ekzakte dhe atyre humane, duhet ndryshuar. Por në të vërtetë rezistenca më e madhe ndaj këtij fakti vjen nga vetë mësuesit. Nuk e kanë më prestigjin e mëparshëm, shpesh kontestohen nga familjet dhe prandaj shkojnë menjëherë në mbrojtje të sovranitetit të lëndëve që shpjegojnë. Është mëkat.

Jeni kundër notave?
Gjykimet e mësuesve janë shumë më të rëndësishme se notat në regjistër. Ndoshta në disa lëndë shkencore mund të mbahen ende notat, por në lëndët humane nuk besoj te notat.

Si duhet përdorur interneti dhe teknologjitë e reja në shekullin e XXI?
Mësuesi nuk duhet të ketë prioritet vetëm të masë se sa dinë nxënësit, por duhet të korrigjojë, të komentojë. Të kthehet në një dirigjent orkestre, nëpërmjet një dialogu të vazhdueshëm. Por gjithashtu duhet të nxisë edhe shpirtin kritik. Interneti ofron shumë informacione, por aty mund të gjesh edhe legjenda apo teori të çmendura. Në thelb, ndodhemi sërish në një prej problemeve historike njerëzore: Dallimi mes të vërtetës dhe falses. E vetmja mënyrë për të luftuar ndaj shpërndarjes së gënjeshtrave, është pasja e sa më shumë mjeteve informimi. Pluraliteti i hap rrugë kërkimit të së vërtetës./Edgar Morin, sot 96 vjeç, është ndër filozofët dhe sociologët më të njohur francëzë, mbi të gjitha për konceptin e “mendimit kompleks”. Punimet e tij të fundit janë fokusuar në çështjet e edukimit, ndërsa numëron mbi 40 libra të botuar e të përkthyer në mbi 30 gjuhë. Në shqip gjendet libri “Shtatë dijet e nevojshme për edukimin e së ardhmes”. Intervista u shqipërua nga Erjon Uka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *