Borges
Depresioni nga klima

Depresioni nga klima

Nga Cara Buckley/ Një ditë, në fillimin e kësaj vjeshte, nëntëmbëdhjetë persona u mblodhën në një hapësirë të vogël eventesh në Red Hook, një lagje në Brooklyn, ulur në një tryezë të përbashkët. Mes tyre isha edhe unë, e nënshkruara. Jashtë ishte një ditë plot diell, pa asnjë re në qiell, e nxehtë me një “nxehtësi jashtë stine”, siç do të thuhej një herë e një kohë, por që tashmë është normale për mesin e shtatorit. Ishim aty për një seminar të quajtur “Kultivimi i shpresave: Të jetosh lumturisht në mes të krizës klimatike”. Unë shkova sepse nuk arrija absolutisht ta kuptoja se si mund të ekzistojë dikush që mund të jetojë paqësisht me këtë mendim.

A keni takuar vallë ndonjë njeri që në një faqe takimesh online citon Antropocenin? Që për Krishtlindje dhuron certifikata për kompensimin e çlirimit të gazrave karbonikë? Që sheh një fëmijë të sapolindur dhe menjëherë mendja i shkon te 15 ton gaz të emetuara në vit nga çdo amerikan? Që bën lart e poshtë nëpër dyqane për të parë se ku i çojnë amballazhet? Epo tani sapo u njohët me një njeri të tillë. Pas së gjithash, bëj pjesë në speciet që po nxjerrin jashtë loje specie të tjera. Do të doja të lidhesha me zinxhirë pas një peme qindra vjeçare, por puna në New York Times ma ndalon të jem pjesë e aktiviteteve ekologjike me kohë të plotë, ndaj jap donacione për çështjet ambientale dhe humanitare, ha vetëm ushqime vegjetariane, përdor transportin publik, shpërndaj postime alarmante në Facebook dhe blej në tregun e veshjeve të përdorura. E megjithatë asnjë prej këtyre veprimeve nuk ma heq ankthin. Si mund të jetojmë me një kërcënim kaq ekzistencial?

Më në fund, këtë vjeshtë, pas një udhëtimi në Alaskë për të bërë kayak, e motivuar nga dëshira për të parë akujt tani që ende ekzistojnë, vendosa të kërkoj për përgjigje. Ajo që mësova në seminarin e Red Hook përmes bisedave të gjata me ekspertët, i përafrohet më së shumti një recete për të menaxhuar mortin klimatik.

Pak a shumë është kështu: jeto sikur kriza të ishte e pashmangshme; përqafo dhimbjen, por shko më tej; kërko një rrugëtim shpirtëror për provuar mirënjohjen, dhembshurinë dhe pranimin, sepse nëse vepron duke u nisur nga refuzimi, inati apo frika përfundon vetëm duke i bërë keq vetes.

Shumë i quajnë të papërshtatshme zgjedhjet individuale të konsumit dhe të transportit. Përse ta anulojmë një udhëtim në Europë, kur tashmë është tepër vonë dhe të gjithë janë të droguar me karburantet fosile? Por Lou Leonard, një prej themeluesve të “One Earth Sangha”, një grup budist, më tha se të jetosh sikur ndryshimet klimatike janë reale dhe se ne mund të bëjmë diçka për këtë, janë sinjale që u dërgojmë të tjerëve dhe që mund të ndikojnë në zhvendosjen e ekuilibrit të normave kulturore. Kush do ta mendonte se një ditë Burger King do të servirte një mish të shijshëm vegjetarian?

“Duhet ta shkatërrojmë këtë disonancë konjitive në çdo mënyrë të mundshme, për të pasur një sjellje më reale ndaj gjithë asaj që po ndodh”, thotë Leonard. Zhiwa Woodbudy, një ekopsikolog, është i bindur se të gjithë po përjetojmë në mënyrë kolektive një traumë klimatike, nga e cila jemi në të njëjtën kohë përgjegjës dhe viktima: sulmi ynë ndaj biosferës është agresion kundër nesh. Të ndryshosh sjellje si mënyra me të cilën ushqehemi mund t’i bëjë njerëzit të mendojnë se mund të kenë më shumë ndikim. “Ideja se po bëjmë diçka na bën të ndihemi mirë dhe na risjell konceptin e përgjegjshmërisë së përbashkët”, thotë Woodbury. “Mendimi se secili prej nesh i vetëm është i parëndësishëm ekziston sepse ne e kemi injektuar këtë mendim”.

Në seminarin e Red Hook, ku u prezantuan studime të papublikuara më parë të hartuara përgjatë dhjetëra vitesh nga ambientalistja Joanna Macy, koordinatorja Jess Serrante tha diçka që më goditi si rrufe në qiell të hapur.

“Dhimbja jonë për atë që po ndodh është ana tjetër e medales e dashurisë sonë për botën. Nëse përjetojmë një dhimbje kaq të thellë, kjo tregon se e duam jashtëzakonisht shumë planetin ku jetojmë.” Psikologë të ndryshëm më kanë thënë se përdorin të njëjtin argument me pacientët e tyre për ekodëshpërimin: të ndihesh i depresionuar për këtë krizë është një përgjigje e shëndetshme dhe e lavdërueshme.

Zgjidhja është ta kanalizojmë dhimbjen përmes veprimeve të përditshme ose bashkimit në lëvizje më të mëdha, ose fundja duke imagjinuar një botë që ta kontrollojmë pa e lënë veten të kontrollohemi nga ajo, sepse të veprosh nën hijen e frikës, inatit apo ndjenjës së fajit është diçka rraskapitëse. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë komponenti shpirtëror. “Nuk ka asgjë më të fuqishme se një zemër e thyer, nëse ke një enë ku ta mbash”, më tha Woodbury. Fillova të ecja me majat e gishtërinjve në atë drejtim, duke dashur që të jem e aftë shpirtërisht dhe duke kërkuar sërish besimin te njerëzit. Zbatova me rigorozitet edhe diçka tjetër që tha Woodbury, pra që kriza mund të na detyrojë të rivendosim raportin tonë me botën natyrore dhe në këtë aspekt nuk ka vend për dëshpërim.

Në Red Hook, Serrante na ndau në çifte dhe na tha se duhet t’i tregonim bashkëbiseduesit tonë pse ishim mirënjohës që jetonim në këtë epokë. Më pas, duke ecur në trotuar pashë pemët që lëviznin nga era dhe zogjtë. Ndjeva mirënjohje për gjithçka që ende ekziston, për të gjitha ato gjëra që ende duhet të luftojmë gjer sa të kemi mundësi./ Botuar në New York Times. Autorja është ndër gazetaret fituese të çmimit Pulitzer për vitin 2018. Përkthyer nga Erjon Uka

Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *