Blog
Është gjithçka e kotë kur porta nuk do të hapet

Është gjithçka e kotë kur porta nuk do të hapet

Nga Erjon Uka/ 16 mars 1978. Pas krizës së janarit, deputetët italianë bëhen gati të votojnë qeverinë e re të Giulio Andreottit. Me ndërhyrjen e Aldo Moros, president i Demokracisë Kristiane dhe dy herë në të shkuarën kryeministër, koalicioni i ri do të përfshijë për herë të parë edhe Partinë Komuniste pas 30 vitesh. Me eksperiencën politike, tashmë Moro kërkonte që Italia të kishte stabilitet legjislativ dhe në të njëjtën kohë të demokratizonte Partinë Komuniste duke e larguar një herë e mirë nga ndikimi Sovjetik.

Pasi u përshëndet me fëmijët, Moro i shoqëruar nga eskorta me pesë persona me një tufë gazetash në dorë dhe dhjetë teza diplome të studentëve të tij në “La Sapienza”, hipi në makinën Fiat 130 për të shkuar në Parlament ku do të votëbesohej qeveria e “Marrëveshjes Historike”, me shumë mundësi projekti i tij më i madh politik.

Giulio Andreotti (majtas) dhe Aldo Moro (djathtas)

Por, rreth orës 9, në “via Fani” eskorta do të ndalohet nga një tjetër makinë dhe 91 plumba u lëshuan mbi truprojat e Aldo Moros. Një kasaphanë e vërtetë me pesë të vdekur ndërsa Presidenti i Demokracisë Kristiane, partisë më të madhe italiane në drejtim të vendit që pas Luftës së Dytë Botërore, u rrëmbye nga grupi terrorist i quajtur “Brigadat e Kuqe”.

Kurrë më parë terrorizmi nuk kishte goditur aq lart. Atë ditë në parlament qeveria e Giulio Andreottit u votua thuajse në unanimit të plotë ndërsa shumica e deputetëve hoqën dorë nga fjalimet e tyre për t’i dhënë sa më shpejt legjitimitet institucioneve të reja. Legjitimitet që nuk e përdorën kurrë.

Mëngjesin e 16 marsit Aldo Moro u transportua në një apartament në dalje të Romës ku qëndroi 55 ditë i burgosur, ndërsa brigadistët i kërkuan zyrtarisht qeverisë shkëmbimin e Moros me shokët e tyre të burgosur.

Përgjigja e parë ishte negative: qeveria nuk negocion me terroristët.

Në dëshmitë e mëvonshme, grabitësit e Moros thanë se ishin të magjepsur nga qetësia dhe ftohtësia e argumentit që përdorte. Edhe pse i mbërthyer në një dhomë nëntë metra katrorë me vetëm një krevat, ai i shkroi plot 86 letra me mesazhe të qarta por edhe të koduara bashkëpunëtorëve të partisë: Sekretarit të Përgjithshëm të DK Benigno Zaccagnini, Ministrit të Brendshëm Francesco Cossiga, njeriut që e promovoi vetë në politikë duke i dhënë këtë post, kryeministrit Giulio Andreotti, Presidentit të Senatit Amintore Fanfani, Presidentit të Republikës Giovanni Leone, Papa Palit VI, por të gjithë zgjodhën rrugën e mosnegocimit duke e lënë presidentin e tyre në duart e terroristëve.

Në ato 55 ditë politika italiane, ose më saktë të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e Aldo Moros, vendosën të mos vepronin: as nuk negociuan dhe as nuk u përpoqën ta gjenin.

Për ta ikja e Aldo Moros, “profesorit”, ishte një avantazh më shumë në rrugën politike. Në dëshmitë e mëvonshme para gjykatës, kur u pyetën se përse zgjodhën të rrëmbenin pikërisht Aldo Moron, brigadistët thanë se “Andreotti përfaqësonte njeriun e pushtetit, Fanfani konsiderohej si i nxjerrë jashtë loje ndërsa Aldo Moro ishte truri i Demokracisë Kristiane, ishte ai pas çdo strategjie”.

Aldo Moro (djathtas) dhe Ministri i Brendshem Cossiga

Më 9 maj, 55 ditë pas rrëmbimit, Aldo Moro u gjet i vdekur në bagazhin e një makine tip Renault 4 në rrugën “Michelangelo Caetani” në Romë, mes selisë së Demokracisë Kristiane dhe Partisë Komuniste.

Është ndoshta rasti më flagrant i goditjes së shtetit nga terrorizmi dhe po ashtu është rasti më i pastër i lojës së ashpër politike në një parti që mund të përfundojë deri te eliminimi fizik.

Pas vdekjes së Aldo Moros, Ministri i Brendshëm Francesco Cossiga dha dorëheqjen por më 1985, vetëm shtatë vite më vonë u emërua President i Republikës. Giulio Andreotti vijoi të qeverisë deri në vitin 1979 e më pas krijoi një tjetër qeveri nga 1989 deri më 1992. Amintore Fanfani qeverisi vendin nga 1982 deri më 1983 dhe më pas sërish më 1987. Benigno Zagagnini qëndroi në krye të Demokracisë Kristiane deri më 1980 dhe pastaj vijoi karrierën në Parlamentin Europian, ndërsa Papa Pali VI ndërroi jetë në gusht të po atij viti.

Historia e Aldo Moros është historia e intelektualit në politikë, e një tentative për reformim të lënë përgjysmë, e goditjes së shtetit dhe e luftës së ashpër politike brenda llojit.

Aldo Moro me bashkëshorten, Noretta

Më poshtë letra e fundit shkruar bashkëshortes më 5 maj, kur ishte i vetëdijshëm se gjithçka kishte marrë fund dhe shumë shpejt do të ekzekutohej.

E ëmbla ime Noretta,

Pas një momenti optimist, i ardhur ndoshta nga keqkuptimi im për ato që më kanë thënë, tashmë jemi, besoj, në momentin final. Nuk më duket rasti për të folur mbi gjënë në vetvete dhe pabesueshmërinë e një sanksioni që bie mbi modernizmin dhe butësinë time. Sigurisht që gabova, me një qëllim të mirë, në adresimin e jetës sime. Por tashmë asgjë nuk mund të ndryshohet. Mbetet vetëm për të thënë se ti kishe të drejtë. Mund të thuhet vetëm se ndoshta do të ishim ndëshkuar në një mënyrë tjetër, ne dhe të vegjlit tanë.

Dua që të jetë tërësisht e qartë përgjegjësia e Demokracisë Kristiane me sjelljen e saj absurde dhe të pabesueshme. Kjo duhet thënë qartë, ashtu siç duhet refuzuar çdo lloj medaljeje që jepet në këto raste. Pastaj është e qartë se shumë miq (që nuk ua di emrat) ose të gënjyer nga idea se po të flisnim do të më dëmtonin ose të shqetësuar për pozicionet e tyre, nuk vepruan ashtu siç do të duhej. Mbledhja e njëqind firmave do t’i detyronte të negocionin. Kjo është gjithçka për të shkuarën.

Për të ardhmen, në këtë moment ka vetëm një butësi të pamatë për ju, për kujtimin e të gjithëve dhe të gjithsecilit, një dashuri të madhe plot me kujtime të një realiteti të çmuar. Do të jetoni në kujtesën time të gjithë të bashkuar. Më duket sikur jam mes jush. Ju lutem, jetoni në të njëjtën shtëpi, edhe Emma nësë është e mundur, dhe shfrytëzoni miqtë tanë të dashur që do t’i falenderoja shumë për nevojat tuaja. Puthi dhe përkëdheli të gjithë nga ana ime, fytyrë për fytyrë, sy për sy, flokë për flokë. Të gjithëve jepu dashurinë time të pafund që kalon nga duart e tua.

Ji e fortë, e ëmbla ime, në këtë sprovë absurde dhe të pakuptimtë.

Janë rrugët e Zotit. Dua të kuptoj me sytë e mi të fikur se si do të shihet më vonë. Nëse do të ketë dritë, do të ishte shumë bukur.

E dashura ime, më ndje gjithmonë pranë teje dhe më mbaj fort. Puthi dhe ledhatoji Fida, Demi, Luca (shumë Lucan), Anna Mario dhe të voglin që nuk ka lindur akoma, Agenese, Giovannin. I jam shumë mirënjohës për gjithë sa kanë bërë.

Është gjithçka e kotë kur porta nuk do të hapet.

Papa bëri shumë pak: ndoshta ai do të ketë skrupuj.

*Gjithçka të jetë e qetë, Luca të mos vijë në funeral.

Aldo Moro i burgosur

Aldo Moro (23 shtator 1916 – 9 maj 1978)

Dy herë kryeministër i Italisë (1963-1968 ; 1974-1976)

Katër herë Ministër i Jashtëm (1964-1965 ; 1965-1966 ; 1969-1972 ; 1973-1974)

Ministër i Arsimit (1957-1959)

Ministër i Drejtësisë (1955-1957)

Sekretar i Përgjithshëm i Demokracisë Kristiane (1959-1964)

Deputet i Barit në Parlamentin Italian (1946-1978)

Botuar në Tiranapost.al më 16 mars 2018. Ribotuar në www.erjonuka.com më 16 mars 2020.

0 thoughts on “Është gjithçka e kotë kur porta nuk do të hapet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *