Njerëz ballkonesh dhe turmash
Nga Erjon Uka/ Kudo në rrjete sociale përgjatë ditës së shtunë shpërndaheshin fotografi të qytetarëve, kryesisht në Tiranë, duke bërë pazar në grup për shkak të mbylljes së gjithë aktiviteteve që do pasonin fundjavën. Më pas lexova një artikull se në Kaliforni amerikanët ishin dyndur jo në supermarkete, por në dyqanet e armëve: blinin pushkë, me mendimin se situata e krijuar do të rrisë dhunën dhe vjedhjet. Dëgjova korespondentin e Top Channel në Londër, që thoshte se një ditë përpara se Boris Johnson të deklaronte mbylljen e lokaleve, restoranteve, diskotekave etj., të rinjtë vazhdonin në mënyrë të papërgjegjshme të festonin në grupe. Në Greqi, ndoshta për të treguar me kokëfortësi se u bindet urdhrave hyjnorë dhe jo atyre njerëzorë, Mitropoliti i Kythiras zhvilloi normalisht meshën e së dielës dhe për këtë u arrestua. Në Spanjë supermarketet u zbrazën sapo numrat e të infektuarve kapërcyen imagjinatën e shumë iberikëve. Ndërkohë dje, Piero Angela i quante italianët “një popull i padisiplinuar” duke iu referuar përbuzjes që treguan ata ndaj masave fillestare të qeverisë.
Këto pak shembuj na tregojnë se njerëzit reaguan thuajse njësoj pavarësisht se jetonin në Tiranë, Londër apo Kaliforni, në Greqi, Spanjë apo në Itali. E them këtë sepse besoj se ka disa sjellje njerëzore që janë përtej kufijve lokalë, janë sjellje të përbotshme që vijnë për shkak të të qenit “njeri”. Askush nuk shpëton prej ankthit, panikut apo frikës. Ato mund të arrish t’i kontrollosh, por jo t’i zhdukësh.
Njeriu është një kafshë sociale, siç thoshte Aristoteli, dhe gjithashtu është një gjitar i mbushur me zakone. Ajo që ndryshon nga njëri vend në tjetrin është struktura e organizimit të shoqërisë, hierarkia dhe lloji i pushtetit, mënyra e ushtrimit të tij, aftësia e qeverive për të mos ose për të vepruar. Sigurisht që kemi një situatë jashtëzakonisht emergjence mjekësore për t’u përballur që zgjidhja e saj hyn në detyrat e çdo shteti dhe pushteti, por mbi të gjitha siç duket edhe nga pamjet anë e kënd, po përballemi me shembuj dhe situata të kontrollit apo të humbjes së kontrollit mbi turmat, të menaxhimit apo të mungesës së menaxhimit të emocioneve, të luftimit apo të nxitjes së panikut. Dhe për t’u rikthyer te fotot e së shtunës, ne si shqiptarë kemi karakteristikat tona si popull, shumë prej të cilave janë të mbrapshta sa më s’ka, por në këtë situatë po tregojmë sjellje tipike njerëzore, në kushtet e një paniku të përndezur.
Shembulli më i mirë mbetet kontrasti aktual mes Tiranës dhe Prishtinës: Kërkova shumë në portalet kosovare të gjeja skena si ato të Tiranës, por asgjë. Kontrollova edhe rrjetet sociale, por asnjë foto e tillë dhe asnjë mesazh përbuzës. Pyeta një mikeshë në Prishtinë e më tha se populli ka zbatuar me rigorozitet të gjitha urdhrat e deklaruara, aq sa edhe protestën ndaj politikës e bënë me garuzhde e tenxhere nga ballkonet e apartamenteve të tyre. Më pas, dëgjova dy video-mesazhet e kryeministrit të Kosovës drejtuar qytetarëve dhe u binda se sjelljet e njerëzve janë në një pjesë të madhe reflektim i politikave shtetare: nëse ato janë të qarta dhe mesazhet qetësuese, të tillë do të shfaqen edhe njerëzit; nëse ato janë kaotike dhe zjarrmëtare, nuk ka si të jetë ndryshe edhe sjellja në rrugë. Nuk besoj se shqiptarët e Prishtinës kanë më pak ankth se shqiptarët e Tiranës, sikundër nuk e çoj nëpër mend se qytetarët e Koresë së Jugut që zbatuan rregullat e qarta e duan jetën më pak jetën se qyetarët e Italisë që morën arratinë menjëherë pas urdhrit për karantinim. Besoj se ka menaxhime të mira dhe menaxhime kaotike të situatave.
***
Aristoteli ishte i pari që te “Politika” e quajti njeriun një “kafshë sociale” që tenton të kapet fort pas individëve të tjerë duke krijuar kështu shoqërinë. Por përtej kësaj, socializimi është një instikt primar ose është rezultat i nevojave të tjera. Sepse socializimi mund të shpjegohet edhe si një proces nëpërmjet të cilit fëmija bëhet gradualisht i vetëdijshëm, i ditur, i aftë për llojin e kulturës nga ka lindur duke marrë shprehjet njerëzore. Disa raste si ai i “djalit të egër të Aveyron-it” apo të vajzës së vogël kaliforniane Genie, tregojnë se në rast izolimi nga shoqëria, njeriu nuk zhvillon asnjë nga atributet për të cilat quhet i tillë. Socializimi lind me ne dhe prandaj nuk është edhe aq e thjeshtë “të mbyllesh vetëm në dhomë”. Është shumë e nevojshme, është jetike për momentin, por nuk është aspak kaq e lehtë.
Po ashtu, të heqësh dorë nga zakonet nuk është e kollajtë dhe nuk është kaq ç’njerëzore. Madje zakonet janë thellësisht njerëzore. Ja një shembull i thjeshtë: mjekët dhe të gjithë ata që në këshillojnë në këtë situatë pandemie, bëjnë thirrje të mos prekim fytyrën, për ta reduktuar në maksimumin shansin e infektimit nga virusi. Por një studim i vitit 2015 nga “University of North Sout Wales” në Sidnei, tregoi se mesatarisht njerëzit e prekin fytyrën 23 herë brenda një ore dhe gjysma e këtyre prekjeve ka si destinacion sytë, hundën dhe gojën. Ky është një zakon që vjen për shkak të përkatësisë sonë në klasën e gjitarëve (sigurisht këtë mendim mund ta pranojnë vetëm ata që besojnë te Darvini dhe jo të Zoti), që lidhet me një lloj “mirëmbajtjeje” të trupit. Sillni ndër mend për shembull macet që lëpihen për t’u pastruar, zogjtë që herë pas here fusin sqepin ndër pendë ose ndërmendni ato videot virale me majmunë që shtyjnë kohën duke prekur pjesët gjenitale.
Për njerëzit ka një sërë arsyesh që të prekin fytyrën. Mund të jetë një veprim që vjen si i tretë pas një dyzimi: nuk dimë nëse duam të pimë çaj apo kafe turke, ndaj kruajmë kokën; nuk po kuptojmë nëse ekuacioni që kemi në letrën përpara është eksponencial apo i shkallës së dytë dhe për këtë fërkojmë mjekrën, ndoshta edhe si mënyrë për të çliruar tensionin. Të njëjtën gjë shpjegon edhe psikologu Dacher Keltner, i cili pak ditë më parë në BBC tha se prekja e fytyrës çliron hormonin e eksitocinës që na ndihmon të qetësohemi.
Duhet të jetë e qartë se sot njerëzve po u kërkohet të ruajnë shëndetin fizik. Por për shumë njerëz shëndeti i trupit nuk është i vetmi. Ata kanë më të rëndësishëm shëndetin social ose atë psikologjik. Kujtoni rastet e duhanpirësve që vuajnë nga kanceri i mushkërive dhe sërish nuk heqin dorë. Për dikë që vlerëson shëndetin fizik, kjo është marrëzi. Por për ata që vlerëson shëndetin psikologjik, është zgjedhja më legjitime e mundshme. Autentikja e këtij rasti është se cënimi i shëndetit fizik të njërit, cënon minimalisht shëndetin fizik të 15 të tjerëve!
***
Yuval Harari në përpjekjen për t’i dhënë përgjigje pyetjes se përse raca humane është dominuese në botë, sqaron se ajo që i ka karakterizuar njerëzit ka qenë aftësia për bashkëpunim. “Në të vërtetë faktori thelbësor që ka ndikuar në pushtimin e botës prej nesh ishte aftësia jonë për të lidhur shumë njerëz me njëri-tjetrin”, shkruan ai. Por kaq nuk është e plotë. Edhe bletët bashkëpunojnë, edhe milingonat. Aftësia e dytë me e rëndësishme që u jep njerëzve mundësinë të jenë dominuesit e planetit është rishpikja e sistemit. Ata mund të kalojnë nga bujkrobëria në demokraci, nga mbyllja në globalizim, nga diktatura në anarki.
Dhe sot ne jemi dëshmitarë të rishpikjes së një sistemi, që të paktën në të gjallët tonë nuk e kemi parë. Jemi në metamorfozë, ku gjëra të cilat i konsideronim si të mirëqena (shoqërizimin), elementë kulturorë (shtrëngimi i dorës) apo vese të padëmshme (fërkimi i syve) konsiderohen gati-gati kriminale dhe sabotuese.
Ky do të mbetet një proces, deri në normalizimin e situatës. A do të jetë bota e njëjtë si më parë? Kam bindjen që po. Çfarë do të shohim më vonë? Siç shkruante Aldo Moro në letrën e tij të fundit para vdekjes, “Nëse do të ketë dritë, do të ishte shumë bukur.” Ne europianët kemi humbur prej kohësh antikorpet ndaj kërcënimeve të tilla të ushtrive të padukshme, por kemi fatin e mirë që aftësitë shkencore dhe konceptuale të njeriut nuk kanë qenë kurrë më të mëdha se sot.
Por të gjitha këto të mësipërmet ishin ide, që mund të pranohen, të plotësohen me informacione të tjera, të hidhen poshtë me teori të kundërta apo thjesht të përbuzen. E vetmja e vërtetë për tani është se duhet të gjejmë forcat të bindemi: qoftë edhe ndaj urdhrave absurdë ashtu edhe ndaj këshillave të mjekëve, të lexojmë artikuj shkencorë mbi këtë situatë dhe të ndjekim modelet më të mira, të ruajmë socializimin nëpërmjet mundësive që na jep epoka e teknologjisë dhe të kujdesemi për shëndetin psikologjik.
Po, kjo mund të quhet një luftë! Por një luftë që do fitohet prej qetësisë, dijes e strategjisë, dhe jo prej stigmatizimeve, fyerjeve, krahasimeve, kërcënimeve ndaj njëri-tjetrit.
Nëse në këto ditë përdorim ballkonet dhe imagjinatën, normaliteti do të jetë shumë i afërt.
Publikuar në Tiranapost.al
Publikuar edhe në arberianews.net