Borges
Zgjohu o Zot!

Zgjohu o Zot!

Nga Papa Françesku/ “Ra mbrëmja” (Marku 4,35). Kështu nis Ungjilli që sapo dëgjuam. Prej javësh duket se ka rënë mbrëmja. Hije errësire kanë rënë mbi sheshet, rrugët dhe qytetet tona: kanë marrë në zotërim jetët tona duke i mbushur me një heshtje shurdhuese dhe zbrazëti të zymtë që paralizojnë çdo gjë në lëvizje: ndihet në ajër, shquhet në gjeste, e tregojnë vështrimet. U gjendëm të frikësuar dhe të hutuar. Si dishepujt e Ungjillit na zuri një stuhi e papritur dhe e tërbuar. Në këtë barkë… jemi të gjithë. Si ata dishepuj, që flasin njëzëri dhe me ankth thonë: “Jemi të humbur!”, ashtu edhe ne kemi kuptuar se nuk mund të ecim veçmas, por vetëm së bashku.

Është e lehtë të gjejmë vetveten në këtë histori. Ajo që është e vështirë për t’u kuptuar është sjellja e Jezusit. Teksa dishepujt, me të drejtë, janë të shqetësuar dhe të dëshpëruar, Ai qëndron pikërisht në atë pjesë të barkës që fundoset e para. E çfarë bën? Pavarësisht stuhisë, fle i qetë, me besim te Ati – është e vetmja herë që në Ungjill e shohim Jezusin duke fjetur. Kur zgjohet, pasi kishte qetësuar erën dhe ujërat, i drejtohet dishepujve me qortim: “Pse keni frikë? Ende nuk keni besim?”

Le të përpiqemi të kuptojmë paksa. Ku qëndron mungesa e besimit e dishepujve, që i kundërvihet besimit të Jezusit? Ata nuk kishin rreshtur së besuari tek Ai, madje e thërrisnin. Por të shohim si i thonë: “Mësues, nuk të intereson që jemi të humbur?” Nuk të intereson: duke menduar se Jezusi nuk interesohet për ta, nuk kujdeset për ta. Mes nesh, në familjet tona, një nga gjërat që na dhemb më shumë është kur dëgjojmë: “Nuk të intereson për mua?”. Është një frazë që lëndon dhe shkakton stuhi në zemër. Do të ketë tronditur gjithashtu Jezusin. Sepse askujt më shumë se Atij i interesojmë më shumë. Në fakt, sapo e thirrën, ai i shpëtoi dishepujt e tij të dekurajuar.

Stuhia i çjerr maskën dobësisë sonë dhe i lë të zbuluara ato siguri false dhe të tepërta me të cilat kemi ndërtuar axhendat tona, projektet, zakonet dhe prioritetet. Na tregon se si ne kemi lejuar të bëhen të shurdhëra dhe të dobëta vetë gjërat që ushqejnë, mbështesin dhe forcojnë jetën tonë dhe komunitetet tona. Stuhia nxjerr zbuluar të gjitha qëllimet tona të “parapërgatitura” dhe për të harruar që ka ushqyer shpirtin e popujve tanë; të gjitha ato përpjekje që na anestezojnë me mënyra të të menduarit dhe të vepruarit që gjoja na “shpëtojnë”, por përkundrazi dëshmohen të paafta për të na vënë në kontakt me rrënjët tona dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e atyre që kanë shkuar para nesh. Ne privojmë veten nga antitrupat që na nevojiten për të përballuar fatkeqësinë.

Me stuhinë ra edhe grimi i atyre stereotipeve me të cilat maskonim “egot” gjithmonë të shqetësuar për pamjen tonë; dhe mbeti zbuluar, edhe një herë, ajo vëllazëri (e bekuar) e përkatësisë së përbashkët: përkatësisë si vëllezër. 

“Pse keni frikë? Ende nuk keni besim?”. Zot, Fjala jote sonte bie mbi ne dhe na përket të gjithëve. Në këtë botën tonë, të cilën Ti e do më shumë se ne, kemi ecur me shpejtësi të lartë, duke u ndjerë të fortë dhe të aftë për gjithçka. Të babëzitur për fitim, e lamë veten të përthitheshim nga objektet dhe të hutoheshim nga nxitimi. Nuk u ndalëm përballë thirrjeve të Tua, nuk u përmendëm përballë luftërave dhe padrejtësive globale, nuk dëgjuam klithmën e të varfërve dhe të planetit tonë që ishte sëmurur rëndë. Vazhduam duke mos u kthyer, duke menduar se do të qëndronim gjithmonë të shëndetshëm në botë të sëmurë. Tani, teksa ndodhemi në det të trazuar, të lutemi: “Zgjohu o Zot!”.

“Pse keni frikë? Ende nuk keni besim?”. Zot, na drejto një thirrje, një thirrje për besim. Që nuk është për të besuar se Ti ekziston, por për të ardhur te Ty dhe për të të besuar Ty. Në këtë Kreshmë bie sërish këmbana e thirrjes tënde urgjente: “Konvertohuni”, “rikthehuni me mua me gjithë zemër” (Joeli 2,12). Na fton ta shohim këtë moment prove si moment zgjedhjeje. Nuk është momenti i gjykimit tënd, por i gjykimit tonë: koha për të zgjedhur se çfarë ka rëndësi dhe çfarë ikën tej, koha për të ndarë atë që është e nevojshme nga ajo që nuk është. Është koha për ta rivendosur rrotën e jetës drejt Teje, Zot, dhe drejt të tjerëve. Dhe mund të shohim shumë shokë udhëtimesh të shkëlqyera, që në frikë, kanë reaguar duke dhuruar jetën e tyre. Është forca përpunuese e Shpirtit, e derdhur dhe e formuar në përkushtime të guximshme dhe bujare. Është jeta e Shpirtit të aftë për t’u shpenguar, për të vlerësuar dhe për të treguar se si jetët tona janë të endura dhe të mbështetura te njerëzit e thjeshtë, zakonisht të harruar, që nuk duken në titujt e gazetave dhe të revistave, as në pasarelat e spektaklit të fundit, por pa dyshim po shkruajnë sot ngjarjet vendimtare të jetës sonë: mjekë, infermierë, punonjës të supermarketeve, të pastrimit, kujdestarët, transportuesit, forcat e rendit, vullnetarët, priftërinjtë, njerëzit e fesë dhe shumë e shumë të tjerë që kanë kuptuar se asnjë nuk mund të shpëtojë i vetëm. Përballë vuajtjes, ku matet realisht zhvillimi i popujve tanë, zbulojmë lutjen mjeshtërore të Jezusit: “që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë” (Gjoni 17, 21). Sa njerëz ushtrojnë çdo ditë durim dhe shpresë të pamatë, duke pasur kujdes të përhapin jo panik, por bashkëpërgjegjësi. Sa nëna, baballarë, gjyshe dhe gjyshër, sa mësues u tregojnë fëmijëve tanë me gjeste të vogla dhe të përditshme, si të përballojnë dhe tejkalojnë një krizë duke përmirësuar zakonet, duke ngritur shikimet dhe duke nxitur lutjen. Sa njerëz luten, ofrojnë dhe ndërmjetësojnë për të mirën e përbashkët. Lutja dhe shërbimi i heshur janë armët tona fitimtare.

“Pse keni frikë? Ende nuk keni besim?”. Fillimi i besimit është vetëdija për nevojën e shpëtimit. Nuk jemi të vetëmjaftueshëm, të vetëm ne fundosemi: kemi nevojë për Zotin si marinarët një herë e një kohë kishin nevojë për yjet. Le ta ftojmë Jezusin në barkat e jetëve tona. T’i dorëzojmë frikërat tona, sepse Ai mund t’i mposhtë. Si dishepujt, do të provojmë se me Të në barkë, nuk do të mbytemi. Sepse kjo është forca e Zotit: të kthejë për mirë gjithçka që na ndodh, edhe gjërat e shëmtuara. Ai sjell qetësinë në stuhitë tona, sepse me Zotin jeta nuk vdes kurrë.

Zoti na sfidon dhe në mes të stuhisë sonë, na fton të zgjojmë dhe aktivizojmë solidaritetin dhe shpresën e aftë për të dhënë forcë, mbështetje dhe kuptim në këto orë kur gjithçka duket se është përmbytur. Zoti zgjohet për të zgjuar dhe për të rindezur besimin tonë për Pashkë. Kemi një spirancë: në kryqin e tij jemi të gjithë të shpëtuar. Kemi një timon: në kryqin e tij jemi të shpërblyer. Kemi një shpresë: në kryqin e tij jemi shëruar dhe përqafuar në të tillë mënyrë që asgjë dhe askush të mos na ndajë nga dashuria e tij shëlbuese. Në mes të izolimit në të cilin po vuajmë mungesën e dashurisë dhe të takimeve, duke provuar mungesën e shumë gjërave, dëgjojmë edhe një herë thirrjen që na shpëton: është ringjallur dhe jeton pranë nesh. Zoti na vë në provë nga kryqi i tij për të gjetur jetën që na pret, për të parë drejt atyre që na pretendojnë, të forcojmë, të njohim dhe të inkurajojmë hirin që jeton brenda nesh. Le të mos e shuajmë flakën lëvizëse, që nuk shuhet kurrë, dhe le të lejojmë që shpresa të rindizet.

Të përqafosh kryqin e tij nënkupton të gjesh kurajën për të përqafuar të gjitha kontradiktat e kohës së tashme, duke lënë mënjanë për një moment ankthin tonë për gjithëfuqinë dhe zotërimin dhe për t’i dhënë hapësirë krijimtarisë që vetëm Shpirti është i aftë të ngjallë. Do të thotë të gjesh kurajën për të hyrë në hapësira ku të gjithë mund të ndihen të thirrur dhe të lejosh forma të reja mikrpritje, vëllazërie, solidariteti. Në kryqin e tij u shpëtuam për të mirëpritur shpresën dhe për ta lënë atë të forcojë dhe mbështesë të gjitha masat dhe mënyrat e mundshme që mund të na ndihmojnë të mbajmë veten të sigurt dhe të japim siguri. Përqafoni Zotin për të përqafuar shpresën: këtu është forca e besimit, e cila ju çliron nga frika dhe ju jep shpresë.

“Pse keni frikë? Ende nuk keni besim?”. Të dashur vëllezër dhe motra, nga ky vend që tregon besimin shkëmbor të Pjetrit, sonte dua t’ju besoj të gjithëve te Zoti, përmes ndërmjetësimit të Marisë, shëndet i popullit të tij, yll i detit në stuhi. Nga kjo kolonadë që përqafon Romën dhe botën, bekimi i Zotit zbret mbi ju si një përqafim ngushëllues. Zot, bekoje botën, dhuroji shëndet trupave dhe ngushëllim zemrave. Ti na kërkon të mos kemi frikë. Por besimi ynë është i dobët dhe jemi të frikësuar. Por Ti, Zot, mos na lër në mëshirë të stuhisë. Përsërite edhe një herë: “Mos kini frikë” (Mateu 28,5). Dhe ne, së bashku me Pjetrin “gjitha shqetësimet tona i lëmë në duart e Tua, sepse Ti kujdesesh për ne”./ Lutje e mbajtur mbrëmjen e 27 marsit në sheshin e zbrazur të Shën Pjetrit, ku Papa Françesku i kërkoi Zotit çlirimin nga Pandemia e koronavirusit. 8,2 milionë italianë e ndoqën live përmes televizionit Rai Uno këtë lutje, ku Papa dha bekimin “Urbi et orbi”. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka. Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *