Blog
Ruaju nga mesazhet në WhatsApp!

Ruaju nga mesazhet në WhatsApp!

Nga Erjon Uka/ Është interesante se si përpara se koronavirusi të prekte Shqipërinë, shumë u prekën nga “virusi” i lajmeve të rreme. Një fenomen global, që kishte ndodhur dhe po ndodh thuajse në çdo shtet që po përballet me pandeminë. Çdo ditë shpiket nga një vaksinë, çdo ditë dikush jep miliona dollarë për studime, çdo ditë një teori konspiracioni, çdo ditë një këshillë e re, çdo ditë një shpjegim i ri për virusin e panjohur.

Ia hodhi Amerika Kinës virusin? Apo shkencëtarët në Wuhan u lanë me gjak? E ka bërë Kina për t’i hequr pushtetin Amerikës? Apo ishte një eksperiment social kundër globalizimit dhe kapitalizmit? Virusi jeton 20 orë në karton e 9 orë në asfalt? Apo jo, një studim i ri nxori që rri 9 orë në ajër e 20 orë në asfalt. Merret nga puthjet? Një shkencëtar thotë që gruan mos ta prekim, tjetri që të karantinohemi nëpër dhoma. Një në ballkon dhe një në kuzhinë është zgjidhja më e mirë? Të bëjmë apo mos të bëjmë seks në kohë karantine? Mbahet larg me limonë, xhinxher, hudhra? Apo ndonjë lëng me të gjitha këto? Gjithçka u parashikua në një libër të vitit 1981? E vranë shkrimtarin që bëri librin, se druheshin mos nxirrte sekretin? Po ata regjisorët që kanë bërë filma me virus, paskan pasur dijeni për këtë projekt? A mos ndoshta edhe kjo situatë ishte parashikuar nga Nostradamusi?

E të tjera, e të tjera. Besoj se faqet e rrjeteve sociale, por edhe WhatsApp-i i secilit prej nesh në mos është stërmbushur me artikuj e informacione të rreme, ku nga Amerika deri në Kinë çdo ditë shpiket nga një vaksinë, ka qenë pjesë e këtij fenomeni. Fakti është se për shumë pak nga këto pyetje, në këtë çast ka përgjigje konkrete.

Nëse trupi i njeriut është vendi perfekt për përhapjen e viruseve, situatat e emergjencave dhe krizave janë perfekte për përhapjen e lajmeve false. Për të mos shkuar më larg, mjaft të kujtojmë ditët pas tërmetit të 26 nëntorit ku “burime të sigurta” flisnin për 100 kufoma në morgun e Tiranës, ndërsa në fillimin e koronavirusit, “vjehrra e motrës” së dikujt thoshte se situata kishte dalë jashtë kontrollit.

Ishte tronditës lajmi i para pak javëve, ku në Iran kishin vdekur rreth 300 persona e 1000 të tjerë të helmuar, për shkak se kishin zbatuar një recetë të përhapur në rrjete sociale për ta mposhtur virusin me preparat metanoli. Pra, aktualisht në Iran 10% e viktimave të koronavirusit janë shkaktuar nga një lajm i rremë! Ky është vetëm një shembull, fatkeqësisht i dhimbshëm dhe ekstrem, se sa dëm mund të na bëjnë informacione të rreme.

Dhe njerëzit priren më shumë të shpërndajnë informacione të rreme, sesa ato të vërteta. Pse? Sepse informacionet e rreme përgatiten në të atillë mënyrë që të jenë befasuese, kanë tituj goditës dhe tronditës, kanë foto që të prekin, kanë gjuhë popullore, duken më njerëzore dhe janë të shkurtra. Prandaj bëjnë më shumë përshtypje, prandaj faqet e parodive ndiqen më shumë se Financial Times apo The Economist. Një paragraf është “virus” më i mirë se 2 faqe artikull me gjuhë të kulluar shkencore!

Informacionet që shkruhen thjesht “një studim tha…”, “mjeku i njohur paralajmëron…”, “instituti i famshëm po harton…”, “një qeveri aziatike ka bërë…” pa përmendur emra konkretë e pa vendosur citime, tentojnë të luajnë me nervat e publikut dhe të përfitojnë në momente si ky. E kjo mund të ndodhi qoftë prej dëshirës skizofrenike për argëtim, deri te qëllimet e përfitimit dhe propagandës.

Sot Whatsapp dhe Messanger duhet të jenë vetëm vende ku të ruhen në mënyrë virtuale marrëdhëniet shoqërore. Të refuzohen lajmet që u shpërndahen me një klikim gjithë kontakteve në celular. Nuk shërbejnë as për të qeshur, e as për të kaluar kohën. Për pjesën tjetër, të ndiqen vetëm kanalet zyrtare të komunikimit, nga njoftimet për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë deri te Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe mediat që kanë arritur t’i mbijetojnë edhe situatave më të këqija se kjo, si The Economist, New York Times, La Repubblica, El Pais, Financial Times dhe ato shqiptare që bazohen në burime.

Do të vijë një moment kur do të sqarohen edhe teoritë e konspiracionit, do të kuptohet nëse ia hodhi Kina Amerikës, apo Amerika Kinës, do të arrijë dita që ndoshta vaksinat do të bëhen edhe brenda ditës siç po fantazohet. Do të vijë një ditë që do të kemi më shumë përgjigje se tani. Por ndërkohë, t’i refuzojmë viruset e informacionit që na mbushin inbox-in.

Botuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *