Paqartësia është gjendja jonë natyrore, bota gjithmonë na kap në befasi
E shkuara është po aq imagjinare sa e ardhmja. Nuk keni qenë ndonjëherë në të ardhmen dhe nuk e njihni, por nuk keni qenë as në të shkuarën. E vetmja gjë që mund të bëni është të lexoni libra, gjë që vështirë se mund t’u japë përjetimet e një jete vërtetë të së shkuarës. Të mbështetesh në koherencë, stabilitet dhe parashikueshmëri nuk qenka aspak e mundur.
Nga Zygmunt Bauman/ Fundi i kohës, fundi i botës, fundi i universit: sigurisht një argument ndryshe nga të zakonshmet për mua që nuk jam ekspert i fushës. Prandaj nuk pretendoj t’ju informoj për gjendjen aktuale të astronomisë e kozmologjisë apo mbi gjithçka që shkencëtarët mendojnë për fundin e botës. Do të them vetëm se teoritë shkencore që dëgjohen vërdallë më kanë bërë shumë konfuz për shkak të vështirësisë së pajtimit me shumë vizione të ndryshme.
Jo se kjo gjë duhet të na shqetësojë menjëherë, të kuptohemi, sepse është llogaritur tashmë se universi do të jetojë minimumi edhe 20 miliardë vite të tjerë e të paktën unë që jam pakthyeshmërisht i vjetër, nuk kam asnjë shpresë për ta arritur atë ditë. Por le të rrimë te pyetja fillestare, se përse sot të gjithë janë kaq të shqetësuar, përse bëhen kaq parashikime ogurzinj mbi atë që na pret? Pse po përjetojmë këtë gjendje në këtë fazë të historisë sonë? Kjo është pyetja që duhet ngritur.
“Bota gjithmonë na kap në befasi.”
Ndërkohë do të sugjeroja që të mos kishim frikë. Edhe kur dëfrehemi, kur ikim në ndonjë festë me miqtë tanë, në ndonjë vend në thellësinë tonë përjetojmë ankth. Nuk ndihemi të sigurt: të sigurt se mund të kontrollojmë jetët tona, të sigurt se kemi kapacitetin, mjetet, aftësitë, resurset, të sigurt se mund të jetojmë në një botë ku kjo gjë të jetë e mundur. Pra, nuk mundemi t’i japim jetës sonë formën që dëshirojmë, jemi të frikësuar sepse – e këtu po marr guximin të sugjeroj – jetojmë në një gjendje paqartësie. Por çfarë është paqartësia? Është ndjenja se nuk mund të parashikojmë se si do të jetë bota kur të zgjohemi mëngjesin e nesërm, është brishtësia dhe destabiliteti i botës. Bota gjithmonë na kap në befasi.
Më vjen ndër mend Lisbona e vitit 1755, ku një tërmet i tmerrshëm shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit e më pas një zjarr i dha fund edhe atyre pak gjërave që kishin shpëtuar. Kjo ngjarje shkaktoi shumë reagime dhe mes intelektualëve u diskutua se çfarë kuptimi kishte një tragjedi e tillë dhe se si Zoti mund ta lejonte këtë fatkeqësi për të pafajshmit. Në krye të mendimit filozofik u vu Volteri që tha: “Shihni: Natyra është e verbër, godet me të njëjtën paanshmëri dhe të njëjtën indiferencë të mirët e të këqinjtë. Nuk bën përjashtime, nuk ndëshkon. E shpërndan rastësisht furinë e saj. Nëse doni një botë që të jetë në të njëjtën linjë me etikën dhe arsyen njerëzore, duhet të pushtoni natyrën.”
Sot, më shumë se dyqind vjet më vonë, mund të shohim se si të gjitha përpjekjet për të zotëruar natyrën nuk kanë pasur asnjë efekt dhe ato pak që patën, ishin të konceptuara keq dhe kanë lënë gjurmët e tyre në miliona kilometra katrorë tokë sterile dhe të shkretë, miliona jetë njerëzish të humbura, jetë të atyre që më herët kultivonin atë tokë. Nuk funksionoi. Nga ana tjetër, rreziqe të tjera e fatkeqësi të tjera iu shtuan atyre që kishin ndodhur. Mendoj se ishte Frojdi që përmblodhi kuptimin e impulsit kundrejt civilizimit: presioni i civilizimit për të korrigjuar apo për t’i dhënë një formë të re shoqërisë.
“E shkuara është po aq imagjinare sa e ardhmja. Nuk keni qenë ndonjëherë në të ardhmen dhe nuk e njihni, por nuk keni qenë as në të shkuarën.”
Të gjitha utopitë, pavarësisht se sa të ndryshme kanë qenë, një gjë e kishin të përbashkët: ishin të projektuara diku në të ardhmen. Nuk ekzistonin ende, nuk ishin ende të njohura, nuk ishin të eksploruara, por thjesht ndonjë vetmitar kishte pasur intuitën për t’i formuluar. Por utopia dhe e ardhmja kishin një kuptim shumë të përafërt. Unë mendoj se jemi duke humbur besimin tek e ardhmja. Nuk mendojmë më se e ardhmja mund të jetë e mrekullueshme, se mund të zgjidhë problemet tona, dhe nëse hidhni vështrimin në botën tonë bashkëkohore do të shihni aplikimin e traditave që i përkasin të shkuarës. Ndoshta disa gjëra i braktisëm në mënyrë të parakohshme, të gabuar, idiote e prandaj ndoshta duhet të rikthehemi tek ato stile jetese. Ndoshta dikush prej jush ndjen nostalgji për jetën nën regjimin e Hitlerit, Stalinit apo çdo diktatori të së shkuarës; por nuk e keni përjetuar atë jetë sepse nuk është e mundur. E shkuara është po aq imagjinare sa e ardhmja. Nuk keni qenë ndonjëherë në të ardhmen dhe nuk e njihni, por nuk keni qenë as në të shkuarën. E vetmja gjë që mund të bëni është të lexoni libra, gjë që vështirë se mund t’u japë përjetimet e një jete vërtetë të së shkuarës. Të mbështetesh në koherencë, stabilitet dhe parashikueshmëri nuk qenka aspak e mundur.
Këto janë, në vija të trasha, shkaqet e gjendjes së paqartësisë aktuale: Brishtësia e pozicionit social që kemi fituar pas një punë të gjatë e që duhet ta mbrojmë, pamundësia për të parashikuar të nesërmen, dyshimi se gjithçka që mund të sjellë e ardhmja s’do të jetë më e mirë se e sotmja por mund të jetë edhe më keq, ndjenja e pafuqisë se edhe sikur të dinim çdo sekret të funksionimit të gjërave, nuk do të kishim as aftësinë dhe as mjetet për t’i ndaluar ndodhitë e pakëndshme.
“Është e pamundur t’i besosh koherencës së universit, stabilitetit apo parashikueshmërisë së universit.”
Shkencëtarë të rëndësishëm si Ilya Prigogine dhe Isabelle Stengers kanë fituar çmimin Nobel pasi zbuluan se universi – jo vetëm bota jonë dhe ato që janë pranë nesh, por gjithë universi – qeveriset nga të papriturat, aksidentet dhe rastësisë, pra rastësisht. Nuk ekzistojnë rregulla. Në historinë e botës janë verifikuar të paktën pesë katastrofa të mëdha që thuajse na kanë zhdukur, që kanë shkuar shumë pranë bërjes së pamundur të prezencës sonë këtu, në këtë ndërtesë duke shkëmbyer mendime. Më e madhja është ajo e periudhës permiane që fshiu nga faqja e dheut 95% të të gjithë krijesave. Pra, është absolutisht e drejtë të themi se të gjithë ne jemi këtu prej rastësisë. Paraardhësit tanë ishin pjesë e atij pesë përqindëshi të të mbijetuarve në botë. Pra është e pamundur t’i besosh koherencës së universit, stabilitetit apo parashikueshmërisë së universit.
Çdo gjë që ndodh në univers ndodh rastësisht ndaj nuk mendoj se është i mundur eliminimi i plotë i paqartësisë por besoj se brenda disa limiteve mbetet ende shumë për t’u bërë. Për shembull të parashikojmë kolapsin e sistemeve të kredisë ose largimin e papritur të emigrantëve nga një prej luftërave më të ndyra e të pështira të kohëve tona. Luftëra të parashikueshme, luftëra që mund t’i evitojmë. Dhe më lejoni të sugjeroj se këto gjëra, këto gjëra të vogla që mund t’i bëjmë brenda limiteve tona, janë aq shumë sa mund të na mbajnë të impenjuar për gjithë ekzistencën tonë.
Leksioni i fundit i mbajtur nga sociologu polak Zygmunt Bauman, i ndarë nga jeta në janar të vitit 2017. Shqipëruar me shkurtime nga Erjon Uka. Botuar edhe në Tiranapost.al