Blog
Një leksion (jo)politik nga Romano Prodi, teknokrati që i mungon partive

Një leksion (jo)politik nga Romano Prodi, teknokrati që i mungon partive

Nga Erjon Uka/ Tre orë para fillimit, për shkak të shiut, organizimi u zhvendos nga Piazza Santo Stefano te Teatri Komunal i Bolonjës, një ndërtesë e mrekullueshme me stil barok e ndërtuar në shekullin e XVII. Mendova se do të hyja lehtësisht, deri sa pashë radhën e gjatë të njerëzve që prisnin përpara dyerve të mëdha prej druri. Në të vërtetë nuk prisnin për të parë sallën gjigante të teatrit. Prisnin të merrnin pjesë në takimin me Romano Prodin.

Dy herë kryeministër i Italisë dhe ish-President i Komisionit Europian, Prodi ishte këtë vit i ftuar për të hapur serinë e takimeve të “La Repubblica delle idee”, një event kombëtar i organizuar përgjatë katër ditëve nga gazeta italiane “La Repubblica” me mbi 100 aktivitete ku do të jenë James Kenneth Galbraith, Roberto Saviano, Edgar Morin, Eugenio Scalfari, Abraham Yehoshua, Paolo Gentiloni, Jovanotti etj. “Ku ka përfunduar e ardhmja?” është tema e këtij viti. Sepse e ardhmja premton shumë, por jep pak. Të bën të shpresosh, e pastaj të zhgënjen përjetësisht. Ndryshe nga më parë, kur e ardhmja shihej si frymëzim për të kaluar vështirësitë e së tashmes, sot ajo duket më e paqartë se çdo pengesë që po kalojmë. E vështirë për t’u parashikuar, e vështirë për t’u kuptuar, e ndoshta e vështirë për t’u arritur.

Nëse nuk do të shihja se cili ishte në skenë, nga duartrokitjet e forta të spektatorëve do të mendoja se bëhej fjalë për ndonjë këngëtar pop. Por në të vërtetë, bëhej fjalë për Romano Prodin, profesorin e ekonomisë tashmë 78 vjeçar. Pesha e moshës e bën të duket shumë ndryshe nga sa e kemi parë shpesh herë në Shqipëri, që te vizita në Vlorë i mbrojtur nga Zani Caushi, deri te takimet me Nanon, Berishën e së fundmi me Ramën e Metën. Por teksa e dëgjoje të bashkëbisedonte me drejtorin e “La Repubblica” Mario Calabresi dhe atë të përjavshmes “L’Espresso” Marco Damilano, e kuptoje menjëherë se energjitë i kishte të gjitha të përqëndruara tek idetë. Mund të kishte shumë arsye për të bërë snobin apo arrogantin, siç jemi mësuar të dëgjojmë politikanët në Shqipëri, por jo. Prodi ishte i përulur (kishte ardhur me një tufë shënimesh për të folur për demokracitë liberale), ishte autoironik, ishte i përmbajtur dhe koherent në çdo përgjigje që jepte.

“Kur më parë jepja mësim në Kinë, studentët më kërkonin gjithmonë që t’ju mbaja një leksion për Europën. Sot asnjë nuk ma kërkon, sepse Europa nuk frymëzon më”. Dhe të thëna nga dikush që ka punuar pjesën më të madhe të jetës për projektin europian, këto fjalë peshojnë shumë. Calabresi i vuri në dukje se ditën e parë që u emetua monedha e përbashkët euro, Prodi si President i KE-së, ndodhej në Vjenë ku me kartmonedhën e parë bleu një buqetë me lule për bashkëshorten. “Është e vërtetë”, buzëqeshi ai, “Por a mbani mend se si qeshnin njerëzit? Sa entuziastë ishin? Duhet të kuptojmë se euro nuk është vetëm një projekt financiar. Kur e pyeta Kohlin se si arriti t’ia mbushte mendjen gjermanëve për euron më tha: ‘Gjermanët ishin kundër, por unë e dua euron sepse vëllai im ka humbur jetën në Luftën e Dytë Botërore’. Më thoni ju tani, a ishte ky një arsyetim prej bankieri? Jo. Ishte prej një njeriu që do paqen.”

Diskutime si ai i mbrëmshmi, në një kohë kur Europa është përfshirë nga valët nacionaliste, nga ndjenjat raciste dhe sjelljet populiste, të bëjnë të reflektosh për paqen dhe harmoninë të cilën kur e kemi nuk e vlerësojmë duke e konsideruar diçka të kryer, por që nga momenti në moment mund të mos jetë më dhe pasojat nuk janë fort të vështira për t’u marrë me mend.

Ishte dhe një leksion politik ai i Prodit, mbi të gjitha për Partinë Demokratike të cilën e themeloi vetë e që tani me ironi por jo pa keqardhje thotë se nuk ka asgjë të përbashkët me të majtën. Është një forcë opozitare, por që nuk frymëzon. “Opozita duhet të krijojë alternativën, e cila duhet të frymëzojë. Nuk mund të ketë alternativë pa frymëzim. Mua më përqeshën kur programi politik i vitit 2006 kishte 243 faqe. Mund ta bëja edhe me vetëm 10 faqe, por ishte produkt i debatit të gjerë me njerëzit, me sindikatat, me organizatat, me konfindustrinë, sipërmarrësit. Nëse flet me ta, atëherë do të mund t’i ndryshosh gjërat. Përfshirja është gjëja më e bukur e demokracisë.”

E kur e pyesin se a do të mund të rikthehet edhe një herë në politikë, si personazhi i vetëm që mund të bashkojë të majtën dhe ta drejtojë opozitën në luftën ndaj koalicionit të ri populist në Itali, thotë thjesht: “Unë jam larguar nga politika. Në politikë ose rri brenda, ose del jashtë. Nëse qëndron në mes të derës, të merret fryma”, dhe me një batutë të hollë e mbyll bashkëbisedimin. “Vetëm për një gjë më vjen mirë: që vitet e fundit çmimi i skrapit është rritur goxha.”

Pak më shumë se një orë duke dëgjuar Romano Prodin, kuptova se përse një politikan mund të adhurohej aq shumë jo nga militantët në një aktivitet zgjedhor përgjatë fushatës elektorale, por në një sallë teatri, në një debat idesh për demokracitë liberale, Europën dhe vlerat humane. Sepse përfaqëson teknokratin në politikë, njeriun që ecën drejt ideve dhe jo drejt personave, sepse ishte “Profesori” që iu kundërvu “Kavalierit”, njeriu që diti të krijojë por edhe të tërhiqet, të promovojë dhe t’u hapë rrugë të tjerëve. E nëse sot e ardhmja na duket e paqartë, është edhe sepse veprime skandaloze prej aktorësh mediokër të Donald Trump apo Silvio Berlusconit marrin më shumë vëmendje se idetë e teknokratëve si Romano Prodi.

Botuar në Tiranapost më 8 qershor 2018. Ribotuar në Erjon Uka Blog më 14 prill 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *