Montanelli
Nuk e shkaktova unë pandeminë

Nuk e shkaktova unë pandeminë

Në një intervistë për gazetën franceze “Le Figaro” Bill Gates u përgjigjet teoricienëve të komplotit, që e konsiderojnë si përgjegjës për pandeminë. Ai flet për rolin e Kinës, rëndësinë e vaksinës përveç terapisë, për kritikat e kota ndaj globalizimit dhe tregon se si funksionon fondacioni i tij. “Nuk mendoj se është gjëja e duhur të përdorim këtë krizë për të promovuar pikëpamje ksenofobe. Është si të kërkosh që çdo fshat të jetë në gjendje t’i prodhojë vetë automobilët. Për të folur për një gjë të tillë, nevojiten fakte. Cilat produkte në nivel global u zhdukën për shkak të krizës?”, thotë Gates.

Ju e kishit parashikuar këtë pandemi me një saktësi të habitshme. Që prej shpërthimit të saj, Bill Gates duket se ka kontakte me gjithë botën, për të formuluar një përgjigje globale ndaj Covid-19. Gjithashtu fondacioni juaj, së bashku me OBSH dhe me një grup shtetesh ka dhënë apelin për të reaguar. Çfarë pritshmërish keni?
Është e vërtetë, kam parashikuar pandeminë gjatë një konference të vitit 2015 dhe gjithashtu kam përshkruar me detaje në “New England Revieë of Medicine” masat që duhet të merrnim për të qenë të përgatitur. Ideja ishte që të qëndronim gati, që kur të vinte momenti të përshpejtonim aftësinë tonë për të prodhuar teste, për të përfshirë industrinë, për të krijuar një terapi dhe më pas vaksinat. Por u bë shumë pak. Dy fondacionet, “Wellcome Trust” dhe “Gates Foundation”, ashtu si edhe disa shtete bënë një donacion modest për Qendrën e Përgatitjes ndaj Epidemive, që ka investuar në disa kërkime mbi vaksinat – kërkime për të cilat mendoj se janë shumë premtuese – të cilat kanë për qëllim jo vetëm të mposhtin këtë pandemi por edhe të kurojnë sëmundje të tjera.

Në blogun tuaj zyrtar para pak ditësh është bërë një postim. Duke e lexuar, duket se ju fokusoheni më shumë te vaksina sesa te terapia. Pse?
Absolutisht është shumë e rëndësishme të angazhohemi në terapi. Mund të aplikohen shumë më shpejt se vaksinat, sepse nuk kanë nevojë për t’u testuar në një shkallë të gjerë. Siç dimë, në Mbretërinë e Bashkuar po punojnë mbi disa lloje terapish që për ne janë shumë premtuese. Ata madje i kanë implementuar në sistemin e tyre sanitar, që tani ka për detyrë të vëzhgojë nëse ndryshojnë gjatë stadeve të ndryshme të sëmundjes. Nëse disa terapi që tani konsiderohen më premtueset mund të dështojnë, do të ketë të tjera premtuese, si për shembull përdorimi i imunoglobinës që ekstraktohet nga gjaku i pacientëve të shëruar dhe injektohet te pacientët e sëmurë. Por gjithsesi për t’u rikthyer në normalitet, do të kemi nevojë si për terapi efikase, ashtu edhe për vaksinën. Vaksina është shumë e rëndësishme, sepse vetëm falë asasj do t’i rikthehemi normalitetit.

Në të njëjtin postim thoni se izolimi ka shpëtuar miliona jetë njerëzore dhe thoni me bindje se do të duhet të bashkëjetojmë për një kohë të gjatë me Covid-19, sepse mbi të gjitha për vaksinën do të na duhen muaj ose edhe vite…
Është e vërtetë. Nuk do t’i rikthehemi jetës normale për një ose dy vite. Mund të dalim nga kjo fazë fillestare duke marrë masa mbrojtëse për aktivitetet që mund të na rikthejnë sërish në pikën fillestare, kur virusi përhapej në mënyrë eksponenciale. Me një sistem të bazuar në testime dhe gjurmime, do të jemi në gjendje të zbulojmë në kohë vatrat e infeksionit dhe t’i shtypim. Por edhe në këtë mënyrë, nuk do të rikthehemi në jetën normale, sepse njerëzit do të kenë shumë frikë nga infektimi dhe do të ndryshojnë zakonet. Edhe nëse qeveritë do të thonë se nuk ka rrezik, njerëzit nuk do t’i mbushin shkallët e stadiumeve derisa të jetë e provuar se terapitë apo vaksina shmang rrezikun e vdekjes.

Keni biseduar në telefon me presidentin Macron mbi thirrjen e OBSH-së të shtunën e kaluar. Shtetet e Bashkuara nuk janë bërë pjesë e nismës. Flisni ende me presidentin Trump?
Nuk kam folur me presidentin Trump, por kam folur shpesh me doktor Fauci, me Sekretarin për Shëndetësinë Alex Azar dhe me zëvendëspresidentin. Edhe pse SHBA nuk do të marrin pjesë për momentin në nismën e kërkuar nga OBSH, mendoj se do të luajë rol kyç edhe për hir të rëndësisë së kërkimit shkencor amerikan dhe rolit historik që kanë luajtur në zhvillimin e vaksinave dhe luftës ndaj virusit Hiv/Aids. Duhet t’i japim fund kësaj sëmundjeje në nivel global, jo vetëm sepse e duam qenien njerëzore por edhe sepse duam që ekonomia globale të vazhdojë aktivitetin.

A duhet konsideruar Pekini përgjegjës për fshehjen e së vërtetës mbi epideminë?
Është e vështirë të jesh në rolin e vendit ku shpërthen epidemia. Që prej një momenti të caktuar, Kina përdori mënyra shumë të forta për të ndaluar virusin dhe tani nuk është më burim përhapjeje. Do të vijë edhe koha e bilanceve, por të drejtojmë gishtin drejt fajtorëve në këtë momenton nuk është një qasje konstruktive. Ekonomia ka ndaluar dhe bota po vuan: në këtë pikë, duhet të kemi prioritet bashkëpunimin.

Nuk mendoni se është e rëndësishme të dimë se nga vjen ky virus, nëse vjen nga një laborator apo nga një treg?
E izoluam këtë virus në kohë rekord. Kinezët vunë në dispozicion çdo të dhënë. Gjithë sa dinin dhe përjetuan, i transformuan në të dhëna.

Pavarësisht bujarisë dhe projekteve filantropike, shumë njerëz ju urrejnë. Teoricienët e komplotit ju akuzojnë se e keni shpikur ju virusin për të shitur vaksinat. Pse kjo egërsi?
Ky virus ka shkaktuar shkatërrim të jashtëzakonshëm në një shkallë të gjerë. Edhe unë, që e kisha parashikuar një pandemi të tillë, u shtanga nga pesha e rëndë e dëmit. Që disa njerëz menduan se unë mund të kisha bërë një gjë të tillë është me të vërtetë idiotësi. Fondacioni ynë është krijuar për të bërë dhurime, për të shpëtuar jetë: nuk fitojmë para me këto projekte.

Fondi juaj i investimeve strategjike është burim thashethemesh dhe kurioziteti. Mund të na shpjegoni si funksionon?
Ne jemi në gjendje ta ulim çmimin e vaksinës kundër poliomelitit sepse jemi të aftë të blejmë sasi të mëdha të tij për disa vjet radhazi. Kjo bën të mundur që kompanitë prodhuese të kenë garanci në punën e tyre. Për më tepër, nëse vërejmë që një kompani ka teknologji që mund të shpëtojnë shumë jetë në vendet në zhvillim, ne e mbështesim duke investuar në të. Nëse këto investime sjellin fitime, i riinvestojmë plotësisht në fondacion dhe kështu garantojmë financimin për të zhdukur malarien, poliomielitin …

Ju jeni biznesmen, filantrop, apo të dyja bashkë?
Nuk jam më sipërmarrës, nëse sipërmarrës do të thotë të maksimizosh fitimin. Maksimizoj numrin e jetëve të shpëtuara ose të përmirësuara. Prej vitit 2000, së bashku me partnerët tanë, kemi ndihmuar të ulim numrin e vdekjeve të shkaktuara prej sëmundjeve infektive nga 10 në 5 milionë. Kriteri i vetëm që drejton punën tonë është numri i jetëve të shpëtuara. Jam në gjendje ta bëj këtë gjë sepse harxhoj paratë e fituara në karrierën time të mëparshme.

Si i përzgjidhni projektet tuaja? Jeni kritikuar se keni Monsanto-n si partner.
Luftojmë kequshqyerjen, e cila është ndër arsyet kryesore se pse fëmijët në vendet në zhvillim kanë më shumë mundësi për të vdekur se sa në Francë apo në Shtetet e Bashkuara. Jemi në gjendje që t’i furnizojmë bujqit me fara për t’i rezistuar thatësirave apo fatkeqësive natyrore dhe kjo na duket diçka me interes.

Aplikacionet e krijuara për të luftuar Covid 19 po shkaktojnë shumë shqetësim, sepse mund të na bëjnë të heqim dorë nga privatësia. A po shtrohet rruga e ferrit nga qëllimet e mira teknologjike?
Lexoni sërish postimin tim! As nuk kam të bëj me teknologjitë e gjurmimit, madje përkundrazi, kam thënë që në vendet perëndimore qytetarët nuk do të pranojnë t’u japin qeverive koordinatat e tyre. Në postimin tim kam cituar modelin gjerman (që u bën vizita personale personave të infektuar, për të kuptuar se me kë kanë qenë në kontakt) si një mënyrë që mund të ndiqet. Ka edhe mënyra vullnetare, në bazë të së cilave teknologjitë shërbejnë për të rifreskuar kujtesën e njerëzve. Por nuk mendoj se vendet perëndimore do të aplikojnë metodën koreane. Kjo gjithsesi u takon qeverive. Po gjasat janë që nuk do ta bëjnë. Por edhe kontrolli i të dhënave të GPS nuk është shkopi magjik.

Po flitet për një krizë në sistemin arsimor në Shtetet e Bashkuara dhe në veçanti në mungesën e të diplomuarve në inxhinieri apo në fushën e kërkimeve mjekësore. A ju shqetëson ky fakt?
Sigurisht që po, ky problem më shqetëson shumë. Fondacioni në fakt është i kujdesshmë për të mbuluar Covid-19 në gjithë kompleksitetin e tij, pra edhe në aspekte që nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me mjekësinë. Në projektet tona edukative kemi reflektuar mbi mënyrën më të mirë për zhvillimin e mësimit në distancë. Tre muaj shkollë shkuan për dreq, mbi të gjitha në shkollat e frekuentuara nga shtresat më të dobëta të shoqërisë, pra në ato që kanë më pak akses në internet ose nuk kanë pajisjet e nevojshme dixhitale. Në lagjet e të pasurve ky proces shkoi mirë. Si gjithmonë, efektet negative të risive godasin njerëzit me më pak mundësi…

Shumë mendojnë se kjo krizë hodhi dritë mbi kurthet e globalizimit dhe në rrezikun e një varësie nga Kina, mbi të gjitha për produktet mjekësore. Jeni dakord që globalizimi duhet të zbutet? Që disa produkte duhet të bëhen sërish kombëtare?
Më duket e çuditshme tentativa për të shfrytëzuar këtë epidemi për të nxjerrë në pah idetë personale, edhe në ato raste ku epidemia nuk ka të bëjë fare. Për sa i përket medikamenteve, duhet thënë se nuk pati asnjë ndërprerje në zinxhirin e furnizimeve gjatë pandemisë! Përkundrazi, Kina është faktikisht furnitori më i besueshëm i këtyre parimeve, nëse e krahasojmë me vendet perëndimore që nuk reaguan me fuqinë e duhur. Jo, nuk mendoj se është gjëja e duhur të përdorim këtë krizë për të promovuar pikëpamje ksenofobe. Është si të kërkosh që çdo fshat të jetë në gjendje t’i prodhojë vetë automobilët. Për të folur për një gjë të tillë, nevojiten fakte. Cilat produkte në nivel global u zhdukën për shkak të krizës?

Cilën ëndërr kërkoni ende ta realizoni ende në jetën tuaj?
Për momentin e gjithë vëmendja ime është drejtuar në luftën ndaj Covid-19. Virusi ka interferuar në shumë veprimtari duke shkaktuar kaq shumë dëme ekonomike dhe çrregullime psikologjike, sa kemi vështirësi t’i parashikojmë të gjitha. Është një dramë e madhe dhe do bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar në këtë situatë.

*Fondacioni “Bill & Melinda Gates” është themeluar në vitin 2000 dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftimin e sëmundjeve në botë, kryesisht në Lindjen e Mesme. Kjo intervistë e Bill Gates është botuar në “Le Figaro”, përkthyer në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *